fbpx

Kryesore

Çfarë bëri gabim Alexis Tsipras





               Publikuar në : 19:07 - 08/07/19 |
Nga Mark Lowen

Nga Mark Lowen, BBC


Teksa Kyriakos Mitsotakis po fliste përpara mbështetësve të zjarrtë pas fitores, ai heshti për një moment reflektimi. “E ndjej se shpirti i prindërve të mi po më mbron,” tha ai.



Për kryeministrin e ri të Greqisë, bisedat për familjen e tij nuk janë thjesht një çështje personale. Ai është pasardhësi i një prej dinastive politike më të fuqishme në vend: babai i tij, Konstantinos, ishte kryeministër, motra e tij ka qenë ministre e Jashtme dhe nipi i tij është kryebashkiaku i ri i Athinës.


Asnjë vend tjetër europian nuk ka një traditë të familjeve politike si Greqia. Kjo është një nga arsyet pas krizës financiare- kultura e nepotizmit që ka rrënuar qeveritë e njëpasnjëshme të pasluftës.

Por Kyriakos Mitsotakis ka arritur ta prezantojë veten si imazhi i ri pavarësisht nga trashëgimia e tij, duke fuqizuar një parti që është larguar nga pushteti në vitin 2015 si simbol i gardës së vjetër të korruptuar.

Në atë vit, Alexis Tsipras dukej se ishte imazhi që simbolizonte ndryshimin. Në tubimet e zjarrta, populisti i majtë angazhohej se do të griste programin e kursimeve të BE dhe do u jepte fund masave të shpëtimit.

Ai emëroi Yannis Varoufakis si ministër të financave, i njohur për faktin se ngiste motoçikletën dhe vishte xhaketë lëkure. Ai u përplas me BE dhe bëri jo pak armiq në Berlin dhe Bruksel. Ai e udhëhoqi Greqinë drejt një referendumi për refuzimin e kërkesës së BE për shkurtimin e buxhetit, pavarësisht paralajmërimeve nga kreditorët se po shkonte drejt largimit nga eurozona.

Në mënyrë të pashpresë, ai premtoi më shumë se ç’duhej.

Nën presionin e BE, kontrollit të kapitalit mbi bankat dhe kërcënimit për Grexit- daljen nga Euro- ai u detyrua të bënte një kthesë të plotë poshtëruese, duke nënshkruar një tjetër paketë shtrëngimesh prej 89 miliardë eurosh.

Baza e mbështetjes nisi të lëkundej.

“Fakti që Tsipras ia doli të qëndrojë në pushtet për katër vite, pavarësisht se kishte thyer zotimet e tij, është një dëshmi e talentit të tij politik,” thotë profesori George Pagoulatos i Universitetit Ekonomik të Athinës. “Partia e tij, Syriza, tani mban një tjetër ideologji nga ajo që ka aplikuar- e vetmja gjë e madhe që mban bashkë partinë, është Tsipras,” thotë Pagoulatos.

Dimitris Rapides, një përfaqësues i Syriza në Bruksel, bie dakord. “E kuptoj 100 përqind se përse njerëzit janë të zhgënjyer me partinë,” më thotë ai në një kafene të mbushur të Athinës. “Njerëzit kishin pritshmëri të larta- ne e ngritëm shumë stekën- dhe nuk e arritëm”.

Megjithatë Alexis Tsipras arriti disa suksese gjatë kohës në detyrë:

-Papunësia, e cila kapi 28 përqind gjatë krizës, u ul në 19 përqind.

-Greqia e ka përfunduar formalisht programin e shpëtimit- edhe pse vendi mbetet nën mbikëqyrjen strikte të kreditorëve të saj.

-Turistët po vërshojnë sërish në plazhet e Greqisë, duke e ndihmuar ekonominë të rikthehet tek rritja modeste gjatë vitit të shkuar.

-Dhe disa prej 500 mijë mendjeve të reja, që ishin larguar gjatë krizës, kanë nisur të kthehen, të nxitur nga start-up-et dhe ndjesia se Greqia e ka bërë një kthesë.

Por Tsipras u rrëzua edhe nga skandalet, pasi u shkëput nga retorika e tij ‘njerëzit kundër elitës’ teksa u fotografua në një jaht luksoz të një pronari grek anijesh gjatë vitit të shkuar- vetëm disa javë pas keqmenaxhimit të përgjigjes ndaj zjarreve vdekjeprurëse.

“Tsipras në fakt erdhi me një politikë shumë anti-europiane,” thotë Pavlos Eleftheriades, një mbështetës i Demokracisë së Re, që është kthyer nga Britania e Madhe për të votuar. “Ai më kujton Nigel Farage (liderin e partisë Brexit në Britaninë e Madhe), edhe pse njëri është majtas dhe tjetri djathtas. Ky rezultat është një fitore për Greqinë Europiane dhe jam shumë i emocionuar”.

Zoti Mitsotakis ka premtuar ulje taksash dhe hapje vendesh pune, me një axhendë të privatizimeve dhe menaxhimi të shëndoshë politik. Ai do të përfitojë nga fakti që Demokracia e Re është pjesë e bllokut më të madh në Parlamentin Europian, duke e portretizuar fitoren e tij si një fund i eksperimentit populist në Greqi dhe rikthim tek politika tradicionale.

“Ai ka një shans të mirë për të bërë shumë nga ato që ka premtuar, me një skuadër më kompetente rreth tij,” thotë profesor Pagoulatos. “Fitorja e tij tregon se populizmi është një fenomen ciklik, më shumë se një trend”.

“Kur populistët janë në pushtet, ata përballen me të njëjtat probleme si qeveritë tradicionale dhe nuk reagojnë domosdoshmërisht në mënyrën më të suksesshme. Në rastin e Greqisë, ata ishin të paaftë dhe e çuan vendin në prag të kolapsit ekonomik”.

Trashëgimia e vërtetë e Alexis Tsipras është se ai la pas demagogjinë populiste sapo erdhi në pushtet.

Dhe në terma konkret, trashëgimia më e madhe e tij në politikën e jashtme është ajo që i kushtoi mbështetjen brenda vendit: arritja e një marrëveshje që e njeh fqinjin verior të Greqisë me emrin Maqedonia Veriore, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje prej dy dekadash me grekët që pretendojnë pronësinë mbi identitetin maqedonas. Kjo i normalizoi marrëdhëniet mes dy vendeve, por nxiti thirrje- nga zoti Mitsotakis mes të tjerëve, për tradhti.

Ndërsa po nis epoka e Mitsotakis (të riut)- një nga liderët ikonë të së majtës europiane po zbret nga skena. Por ai do riorganizohet në opozitë dhe do të presë në krahë për të kapur çdo hap të gabuar të udhëheqësit të ri të Greqisë.

Kjo nuk është në asnjë mënyrë hera e fundit që Greqia do dëgjojë për Alexis Tsipras.


Etiketa: , , , , ,

Pas