Me largimin e Kryetarit të komanduar të Bashkisë, Varfaj, për arsye shëndetësore, dalin edhe një herë në pah në Durrës, korrentet dhe beteja e klaneve për pushtet. Situata është e pangjashme dhe e paparashikueshme. Me ligj, pas largimit të Sakos, me ngjarjet e tërmetit, nuk duhej të kishim patur caktim të një kryetari, por zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Zgjedhje të reja lokale të pjesshme tashmë nuk ka, pasi Presidenti Meta nuk dekreton për Durrësin, apo bashki të tjera që janë në të njëjtat kushte, një datë të re. Sepse Meta, e lëshoi atë dekret, duke anuluar 30 qershorin e vitit të shkuar, e duke caktuar zgjedhjet në Tetor.
Me ikjen edhe kryetarit të komanduar, Durrësi bëhet edhe më shumë i pangjashëm si skenar. Një gjë është e sigurt, në krye aty do të vijë personi që gëzon mbështetjen e pushtetit në Tiranë. Pushteti në Durrës tashmë mund të jetë fragmentarizuar, dhe nuk dihet nëse socialistët atje janë totalisht nën kontrollin e Dakos.
Pritet që njëri nga nënkryetarët aktualë, të caktohet nga këshilli bashkiak, si kryetar në detyrë. Kryetari në detyrë, i votuar nga këshilli, në fakt, me ligj, është fuqi-plotë dhe ushtron të gjitha kompetencat. Një prej kompetencave, është sigurisht edhe emërimi i nënkryetarëve. Nuk ka të dhëna nëse Varfaj që u largua, ka emëruar ndonjë nënkryetar tjetër. Kështu që, gjasat janë që Bashkinë ta marrë nën kontroll, nënkryetari Arbër Brahaj, që është edhe i biri i deputetit Spartak Braho.
Në këtë rast, eventualisht do të ndryshonin raportet e pushtetit në qytetin e dytë më të rëndësishëm në vend, dhe mund të zbehej forca e Dakos. Ky skenar, gjithnjë duke marrë parasysh se shanset për t’u emëruar kryetar, për nënkryetarin tjetër, Florian Tahiri, që vjen nga PDIU, janë më të pakta.
Kjo mund të jetë një histori që shkon pa fund. Kryetari i ri në detyrë, emëron një nënkryetar, një të besuarin e tij. Edhe në rast se largohet më pas, nënkryetari bëhet kryetar. Një spirale në vakum që nuk dihet ku e ka fundin.
/ Mapo.al