Aktualitet

Çfarë do të ndodhë?!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:15 - 01/05/21 |
mapo.al

Zgjedhjet e 25 Prillit nuk sollën ndryshim. Për herë të parë në 30 vite një parti merr mandatin e tretë me gjithë skandalet dhe problemet në qeverisje. Opozita i ka kontestuar zgjedhjet dhe po i denoncon manipulimet çdo ditë. Duket se jemi para një të panjohure të madhe. Çfarë do të ndodhë? Analizojnë për gazetën MAPO Alfred Lela dhe Bledian Koka.





Nga Blerina Gjoka


Kur jemi futur në vitin e 30-të të demokracisë dhe në 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar, zgjedhjet e 25 Prillit nuk arritën të krijojnë dot një standard demokratik. Partia Socialiste në pushtet arriti të fitojë një mandat të tretë qeverisës duke thyer një traditë politike, por problemet me shitblerjen e votave dhe përdorimi i mekanizmit shtetëror në fushatë e ka zbehur këtë fitore.





E futur në zgjedhje edhe me qeverisjen vendore tërësisht në dorë të saj, PS nuk u nda dot as nga eksponentët kriminalë duke bashkëpunuar ose duke sjellë në listat e deputetëve emra të lakuar në përgjimet për vjedhje në zgjedhjet e mëparshme. Nga ana tjetër, opozita e cila prej dy vitesh ishte jashtë parlamentit dhe kishte bojkotuar zgjedhjet e fundit lokale nuk arriti dot të thyente barrierën e pushtetit duke u ngushëlluar deri më tani vetëm me një rritje të mbështetjes popullore, por jo mjaftueshëm sa për të marrë qeverisjen.



Opozita e drejtuar nga PD po sjell çdo ditë prova për “masakrën elektorale” për të cilën foli kryetari i saj Lulzim Basha pas daljes së rezultateve. Elbasani ishte zona më e nxehtë, ku u shënua dhe një përplasje me armë mes shtabit të PD-së dhe grupit të të fortëve që mbështetën PS-në në zgjedhje.


Një investigim i BIRN-it zbuloi se në makinën e mbështetësve socialistë u gjetën “lista me emra dhe fotokopje kartash ID, bllok shënimesh ku shkruhej “pagesa” si dhe një dokument format A4 me përshkrimin “formular patronazhi”, bashkë me disa fletëpalosje të Partisë Socialiste”, prova të mjaftueshme për t’i njollosur zgjedhjet. Aq më shumë për të nxjerrë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë si palë dhe shërbëtor të partisë në pushtet, i cili në një deklarim publik i mohoi këto prova.

Këto shenja po shtojnë çdo ditë mundësinë që opozita të mos i njohë këto zgjedhje si legjitime. Edhe një raport paraprak i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it fliste për mekanizmin shtetëror, kërcënime të administratës, keqpërdorim të burimeve publike, dhe fenomenin e shitblerjes së votave, por pritet raporti final për të kuptuar se sa janë dëmtuar zgjedhjet dhe sa përgjegjësi do t’i vendoset PS-së për këtë.

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama ka shtrirë dorën e bashkëpunimit për opozitën, ndoshta si një kompensim për mënyrën se si i fitoi këto zgjedhje.

Rama shkoi shumë larg duke thënë se nuk vendos një “vijë të kuqe” në ofertën për bashkëpunim. Rilindja ngjan se do të qeverisë dhe 4 vite të tjera me një ekonomi në krizë dhe me barrën e skandaleve të shkuara në kurriz, ku çdo raport ndërkombëtar është i nxirë me konstatime për “kapje të shtetit” nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Perspektiva e integrimit europian të vendit cenohet rëndë nëse vërtetohet masakra elektorale.

Vetë Rama nuk e artikuloi fjalën “integrim” në fushatën e tij, e cila i ngjau më shumë një spektakli me batuta, sesa një shpalosjeje alternative. Rama u fut në zgjedhje me pushtet absolut, me një parlament që e kontrollonte, ku ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke favorizuar veten e duke dëmtuar koalicionin opozitar.

Ai përdori dhe fushatën e vaksinimit anticovid dhe të rindërtimit nga tërmeti në funksion të zgjedhjeve. Analistët e konsiderojnë një mandat të tretë të tij si një shenjë alarmi për forcimin e këtij pushteti autokratik dhe rënie të parametrave demokratikë.

Qëndrimi i opozitës

Ka një bindje në opinionin publik se këto zgjedhje nuk ishin të lira dhe të ndershme nëse do të përdornim togfjalëshin e preferuar të raporteve vëzhguese ndër vite. Po se sa i madh ishte fenomeni i shitblerjes së votës dhe përfshirja e bandave të krimit, dhe sa ndikoi te rezultati akoma nuk ka një panoramë të qartë.

Dy ditë pas zgjedhjeve opozita ia ka vënë detyrë vetes që ta vërtetojë këtë. Kryetari i PD, Lulzim Basha, në deklaratën e tij pas daljes së rezultatit foli për “një masakër elektorale” përballë “një regjimi që bëri gjithçka për ta thyer garën”.

“Hymë në betejë jo me kundërshtarë politikë, por me një regjim që bëri gjithçka për të thyer garën, dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, dy herë më shumë se diferenca mes palëve, miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe të votës, vodhën të dhënat e qytetarëve, përdorën kriminelët duke realizuar masakër elektorale”, -u shpreh Basha.

Ai tha se “PS angazhoi kriminelë për blerjen me miliona euro të votave”, duke përmendur edhe rastin e Tom Doshit, partia e të cilit arriti të marrë tri mandate, megjithëse emri i tij u sulmua nominalisht nga Ambasada amerikane para zgjedhjeve. Pas Bashës, disa figura të tjera të PD-së po flasin për mosnjohje të rezultatit, por jo një vendim për të dalë nga parlamenti, skenar i përdorur më herët, pa rezultat.

Drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, Mark Marku, tha se PD nuk duhet t’i njohë zgjedhjet sa kohë që Rama është organizatori i vjedhjes së tyre.

“Kemi një grup parlamentar shumë të fortë, një masë njerëzish të irrituar, kemi shumë më tepër mbështetës dhe ata janë manipuluar në të gjitha format, por kurrë këto zgjedhje nuk duhen njohur. Motoja jonë do të jetë zgjedhje të parakohshme”, -tha Marku, i cili njoftoi se PD po punon dhe shumë shpejt ka për të dërguar një dosje të pabesueshme të fakteve.

Dje nga selia blu u denoncua përdorimi i legalizimeve në këmbim të votave nga kandidatja socialiste Belinda Balluku. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, publikoi disa biseda të shtabit të saj dhe tha se prokuroria nuk ka vepruar për këtë shkelje flagrante të ligjit dhe pse PD e ka paditur në SPAK ministren Balluku që prej datës 12 prill.

Më tej, Bardhi tha se çdo ditë dalin në pah fakte, prova dhe dëshmi të veprimeve të Ramës/Doshit dhe bandave të tyre për të vjedhur zgjedhjet.

Alfred Lela: Fitorja do e bëjë Ramën më autoritar dhe më të pandjeshëm

Fitorja e një mandati të tretë të qeverisë socialiste do të forcojë më shumë autoritarizmin e kryeministrit Edi Rama në 4 vitet e ardhshme, ku ai mund të fuqizohet më tej duke marrë presidencën dhe legjitimuar pushtetin lokal. Sipas analistit të politikës Alfred Lela, opozita nuk krijoi dot frymën që do të përmbyste digën e ngritur nga mekanizmat e pushtetit. Sipas tij Partisë Demokratike i duhet një hapje reale për të gjitha flukset dhe idetë dhe njerëzit.

Zgjedhjet e 25 Prillit thyen një tabu duke i dhënë dhe një mandat të tretë partisë në pushtet me të gjitha problemet e skandalet që e shoqëruan mandatin e dytë të saj. Si i lexoni këto zgjedhje? Cilat ishin arsyet e këtij rezultati?
Di të them që e kanë në huq shënjestrën ata që i kërkojnë arsyet vetëm te blerja e votave, si dhe ata që i kërkojnë ato vetëm te dobësia e opozitës.

Të dyja janë të vërteta, por jo ekskluzivisht përjashtuese. Ajo që duket nëpërmjet shifrave është pjesëmarrja konstante e votuesve, çka tregon se nuk pati dalje masive, çka nga ana e saj, tregoi se Basha dhe Kryemadhi, me partitë dhe aleatët e tyre, nuk gjeneruan dot frymë.

Mendoj se pjesëmarrja dërrmuese do të ishte i vetmi tregues i sigurt i fitores së opozitës, dhe mundësia që numri i lartë në favor të saj ta përmbyste digën e ngritur nga mekanizmat e pushtetit ku futet edhe shitblerja e votës.

Në këto kushte qeveria arriti të ruajë mbështetjen e vet duke bërë çmos në të njëjtën kohë të pengojë opozitën. Reforma territoriale dhe favorizimet e Kodit Zgjedhor i dhanë atë diferencë në mandate qeverisë, e cila ka arritur jo të fitojë, por të ruajë statusquo-në. Në anën tjetër Partia Demokratike u kthye te votat e saj, por edhe ajo ruajti statusquo-në e vetes. Bashës iu deshën tetë vjet për ta çuar PD në kuotat ku e la Sali Berisha pas tetë vitesh në pushtet. Mendoj se kjo është fabula ku demokratët duhet ta fillojnë analizën.

Çfarë pritet të ndodhë me qeverisjen në 4 vitet e ardhshme me fitoren e Ramës?

Rama është tashmë lideri absolut i vendit dhe kjo do ta bëjë edhe më autoritar, edhe më të pandjeshëm ndaj ankesave për rënien e parametrave demokratikë. Ai zotëron tashmë partinë dhe Shqipërinë, si horizontalisht ashtu dhe vertikalisht. Pas një viti ai çon në Presidencë një njeri të vetin, ndërkohë që pas dy vitesh, nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme, hyn në garë vendore e cila do t’i shërbejë për ta rilegjitimuar edhe në pushtet lokal. Le të themi se është një Ramë edhe më i paparashikueshëm, në nevojë dhe dëshirë të rritur të eksperimenteve.

Në krahun opozitar kanë nisur debatet duke kërkuar një fajtor për humbjen. Partia Demokratike tregoi rritje të mbështetjes, por jo të mjaftueshme për të marrë pushtetin, çfarë pritet që të bëjë partia më e madhe në opozitë pas këtij rezultati?

PD nuk i lejohet të bëjë gabimin e shpërfilljes së atyre që ngrenë zërin sot, por t’i trajtojë si pjesë e rëndësishme e procesit të ringritjes. E di se ka ngazëllim për faktin se ish-demokratët si Topalli e Patozi dështuan në këto zgjedhje, por mjafton të kujtohet se kanë qenë dy ish-demokratë, Jozefina Topalli e Tonin Uldedaj, ish-administrator i Shëngjinit që i kanë hequr një mandat në Shkodër PD-së.

PD nuk mund të bunkerizohet më gjatë dhe do të kishte qenë shumë më mirë nëse Basha në vend që të imitonte Ramën të imitonte Berishën dhe ta hapte partinë për të gjitha flukset dhe idetë dhe njerëzit. Nëse vazhdohet me shpalljen armiq dhe klasifikimin si shërbëtorë të Ramës të gjithë atyre që kanë një ide ndryshe, qoftë të nisur edhe nga premisa personale, 2025 do të jetë një pamje tjetër e 2021.

Qoftë edhe në kujën ‘na vodhën zgjedhjet’. Partia Demokratike nuk është rritur, ajo thjesht doli nga katastrofa që i shkaktoi vetes para katër vjetësh. Edhe njëherë për kujtesë: Bashës i janë dashur 8 vite në opozitë për ta çuar partinë aty ku e mori nga Berisha pas tetë vitesh në pushtet.

Kjo do të thotë se lidershipi i Bashës ka krijuar një ‘analfabetizëm funksional politik’ sa iu takon taktikave, strategjive dhe leximit të kujdesshëm të peizazhit dhe kronikës apo historisë politike. Thënë këtë është dritëshkurtër argumenti ‘mos i kërkoni dorëheqje Bashës’ se e pengoni në zbardhjen e ‘masakrës elektorale’ të Ramës, a thua se është Basha që e bën këtë punë, dhe a thua se aparati i juristëve dhe teknicienëve janë të Bashës dhe jo të Partisë Demokratike.

Basha duhet të japë dorëheqjen si reflektim moral dhe etik dhe pastaj nëse dëshiron le të marrë vendimin politik të rikandidimit. PD nuk duhet dhe nuk ka pse ia mbyll dyert sepse edhe ai, me të këqijat dhe të mirat, është pjesë e repertorit të partisë.

Bledian Koka: Po vendoset një regjim totalisht autokratik me mbështetje ndërkombëtare

Partia Socialiste duke përdorur një parlament surrogato bëri të gjitha lëvizjet për të garantuar zgjedhjet në tavolinë, thotë gazetari Bledian Koka, sipas të cilit me fitoren e PS-së do të instalohet një regjim totalisht autokratik. Sa për PD-në, Koka mendon se asaj i bie barra të faktojë vjedhjen e zgjedhjeve nga PS dhe të bëjë një analizë të sinqertë dhe zgjedhje të brendshme pas dorëheqjes së kryetarit Basha.

Zgjedhjet e 25 Prillit thyen një tabu duke i dhënë dhe një mandat të tretë partisë në pushtet me të gjitha problemet e skandalet që e shoqëruan mandatin e dytë të saj. Si i lexoni këto zgjedhje? Cilat ishin arsyet e këtij rezultati?

E vërteta e zgjedhjeve për këdo që ka patur sy të shikojë është ajo para, gjatë dhe post 25 Prillit. E vërteta e zgjedhjeve është ajo që ka deklaruar për DW edhe Drejtuesja e Misionit të OSBE-së Urszula Gacek që tha se shqetësimi kryesor i vërejtur gjatë këtij procesi është keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore dhe qëndrimi i turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit.

Dhe rastet për këtë nuk mungojnë. Rasti i denoncuar publikisht nga PD pak ditë para votimeve në Berat nga kandidati Tomor Alizoti, i cili bllokoi fugonin e Bashkisë Berat me pako ushqimore të markuara “Rezervat e Shtetit”, rasti i Dibrës kur kandidati i PD Xhelal Mziu bllokoi automjetin e dy punonjësve të bashkisë që kishin brenda para dhe lista votuesish, apo rasti i incidentit të armatosur që prodhoi fatkeqësisht një viktimë në Elbasan.

Qëndrimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe i Prokurorit të Elbasanit që fshehën publikisht faktet që implikonin mbështetësit e PS-së në automjetet e tyre është treguesi dhe fytyra e vërtetë e zgjedhjeve. Ajo që nuk duhet harruar është edhe fakti se Partia Socialiste duke përdorur një parlament surrogato bëri të gjitha lëvizjet për të garantuar zgjedhjet në tavolinë dhe rezultatet janë ato që shohim, ku një parti si PSD me 30 mijë vota ka 3 deputetë, dhe një forcë politike si LSI me 100 mijë vota ka vetëm 4 kandidatë.

Çfarë pritet të ndodhë me qeverisjen në 4 vitet e ardhshme me fitoren e Ramës?

Unë e kam kritikuar Edi Ramën që ditën kur ka vënë këmbë si kryeministër i Shqipërisë 8 vite më parë, duke patur parasysh as më pak e as më shumë atë që ka ndodhur deri tani me vendin. Rrënimi ekonomik, kapja e shtetit, shkatërrimi dhe përvetësimi i pak njerëzve të pasurive të vendit dhe po të doni shtojmë këtu braktisjen masive të shqiptarëve.

Unë mendoj se gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë bërë gati valixhet dhe do të vazhdojnë hemorragjinë njerëzore të Shqipërisë. Sa i takon qeverisjes ajo do të jetë një regjim totalisht autokratik që me sa duket ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në një situatë të tillë, liritë dhe të drejtat e njeriut do vijojnë të pësojnë tkurrje të mëtejshme, me media opozitare që do të shtrëngohen përmes mekanizmave okultë deri në mbyllje dhe me një represion gjithnjë e në rritje ndaj kujtdo që do të tentojë të ngrejë zërin.

Në krahun opozitar kanë nisur debatet duke kërkuar një fajtor për humbjen. Partia Demokratike tregoi rritje të mbështetjes, por jo të mjaftueshme për të marrë pushtetin, çfarë pritet që të bëjë partia më e madhe në opozitë pas këtij rezultati?

Partia Demokratike ka sot barrën kryesore që të faktojë atë që mund të konsiderohet si një nga skemat më ultra-mafioze të shitblerjes së votës e cila në fund u shoqërua me një mega-operacion të zbatuar nga njerëzit e pushtetit me manipulimin e vullnetit të qytetarëve, duke shpallur një seri votash të pavlefshme e cila llogaritet në 83 mijë të tilla.

Denoncimi me emra dhe insistimi që kushdo që ka prekur apo ka blerë një votë të qytetarëve shqiptarë të përballet me drejtësinë është detyra që selia blu ua ka borxh jo vetëm militantëve të saj, por të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Vetëm në fund të këtij procesi, PD duhet të shtrohet në një analizë të brendshme e të sinqertë që duhet të kulmojë me një proces zgjedhor transparent për të gjitha strukturat, duke filluar nga Kryetari i Partisë, i cili do të duhej të jepte dorëheqjen para procesit që t’i hapte rrugë një procesi zgjedhor të paparagjykuar dhe të drejtë.

121


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas