Në trazirat e egra të vitit 1997, si shumë të tjerë në kobin e shkatërrimeve të mëdha, vrasjeve me njëri-tjetrin, vjedhjeve dhe grabitjeve, rëndimit dhe nxirjes së mëtejshme të imazhit të Shqipërisë dhe njerëzve të këtij vendi unë po kuptoja më qartë përgjegjësinë e thellë të klasës politike. E kam kujtuar edhe më vonë në momente të vështira zjarri, deri kur dalëngadalë vendi hyri në një normalitet dhe perspektiva e tij mori një drejtim më të qartë social-politik dhe kulturor. Rrugët e reja, autostradat, vilat e shumta, ndërtimet e pafundme (ndonëse shumë prej tyre pa leje) restaurimi i qyteteve, plazhet, kultura, libri, televizionet e shumta, hyrja në NATO, heqja e vizave me Bashkimin Europian, janë hapa gjigantë që shprehin një Shqipëri të transformuar me mundësi normale për të jetuar, ndryshime këto të pa parashikuara, të cilat bëjnë, që në përjetimin tënd të ardhmen ta shohësh me optimizëm.
Nuk mund të mohohet fakti se gjatë kësaj periudhe të shkurtër ne kemi udhëtuar bashkë me historinë, kemi shkelur mbi shekujt që na kanë braktisur dhe mbi shekujt që na kanë përqeshur, me ata shekuj që shihnin te ne vendin proverbial të veseve, dhe popullin që nuk kishte aftësinë vetëqeverisëse. Duket sikur me ne në këtë periudhë, në përpjekjet e mëdha shekullore për t’iu ribashkuar qytetërimit tonë të lashtë kishin ardhur edhe shenjtorët, ishin dëgjuar edhe zërat e të vërtetave historike të mohuara, edhe mesazhet e kulturës sonë të lashtë, edhe trashëgimia jonë e fshehur dhe së fundi, me ne në të vërtetë ka qenë dhe vetë Europa. Me siguri që ne po afrohemi në periudhën më të lirë dhe ndoshta më të begatë, që nga periudha e marrëdhënieve shqiptaro–veneciane, kur Iliria ishte një vend perëndimor që përhapte dritë qytetëruese, që gëlonte nga rregulli, paqja, drejtësia dhe qetësia.
Por fantazmat e 1997 –ës tash kanë filluar të vërtiten papritur sërish rreth paqes sonë sociale, kontributit të gjithsecilit dhe vijimësisë së ndryshimeve tona politiko -shoqërore.
Nuk kam kurrfarë dëshirë, sepse nuk do kishin asnjë vlerë komentet e mia, nëse do përsëritja veten për ato që po ndodhin sot kur anarkia politike dhe sociale po kërcënon sërish të ardhmen tonë. Ato s’janë gjë tjetër veçse fotokopjo e gabimeve trashanike të klasës sonë politike që në mungesë të qetësisë, që të japin vizionet dhe programet politike frymëzojnë sherre dhe zgjojnë instinkte të vjetra populiste, për të demonstruar fuqi të madhe elektorale. Pra, riciklimi i këtyre ngjarjeve, i kësaj kulture të mbrapshtë i ngjanë në mënyrë të përpiktë filozofisë së vjetër të Kalasë së Rozafës, duke zhvleftësuar kohën moderne, duke nënvleftësuar kontekstin historik dhe hapësirën e madhe që të jep zhvillimi dhe liria. Sot mureve të prishura të Kalasë së Shkodrës nuk i ngjanë vetëm turizmi i cili nga majat mund të bjerë përtokë, por gjithashtu, siguria edhe qetësia, ekonomia dhe biznesi, arsimi i rrënuar, kultura dhe libri i harruar, shanset gjeopolitike, por me gjasa ka edhe lëvizja e lirë e fituar me shumë mund.
Kjo tregon më së miri se në këtë udhë të gjatë që kemi bërë, s’ka dyshim fare se ne kemi ecur. Kemi ecur, por shumë procese i kemi kapërcyer. Ndoshta të nxituar për të kapur kohën, ndoshta për shkak të neglizhimit, ndoshta për shkak se nuk guxuam të përballemi me to. Gabimet dhe të metat që manifestoi çdo palë u shtynë te tjetra, duke mos bërë reflektimin e duhur të brendshëm, që është e nevojshme të bëjë çdo shoqëri demokratike. Pra, nuk u kultivuam, për çka na duhej në të ardhmen. Dhe ndryshim nuk është thjesht ekonomia, mirëqenia, bukuria, qetësia, drita dhe shkëlqimi; por para se gjithash është shpirti dhe kultura, dituria dhe ndjeshmëria njerëzore, toleranca dhe demokracia.
Dhe demokracia nuk është një kulturë e thjeshtë. Po të kemi parasysh një shprehje të Churchillit i cili thotë, se demokracia është më e keqja e të gjitha formave të qeverisjes me përjashtimin e vetëm të gjithë të tjerave mund të themi se demokracia nuk është një kollajllëk, por një sistem për të cilin nuk duhet të bësh vetëm deklarata, por duhet të punosh shumë, shumë dhe në vijimësi. Unë dëshiroj të shtoj në këtë kontekst atë që Karl Popper e pat thënë fare qartë: “Për qeverinë demokracia është ku e ku forma më e parehatshme dhe më e vështirë e qeverisjes, sepse qeveritë kërcënohen vazhdimisht me shkarkimin e tyre. Ato duhet të mbajnë përgjegjësi para të gjithë neve. Ato duhet të kenë pakëz frikë prej nesh”. Kjo është krejtësisht e mirë, por e bën të vështirë punën e tyre. Ne në fakt jemi juria, anëtarët e saj, por rreziku ynë është se mund të joshemi përkatësisht nga premtimet e gabuara që edhe janë besuar lehtë me besim të tepruar jo rrallëherë prej nesh.
Por nuk dua t’i akuzoj më gjatë politikanët, sepse e kanë bërë të tjerët me vend dhe pa vend më shumë se unë këto ditë. Unë dua t’iu bëj një thirrje që ta kuptojnë më në fund përgjegjësinë e tyre për kombin tonë dhe për fatin e tij. Liria e tyre dhe imuniteti u lejon atyre të thonë gjithçka, u lejon edhe ta shajnë njëri-tjetrin, u lejon ta paraqesin si të keqe alternativën e njëri-tjetrit, por përgjegjësia u dikton atyre arsyen dhe përmbajtjen mbi gjithçka në veprimet që kryejnë.
Kjo është me pak fjalë e drejta dhe detyra e tyre legjitime. Por kthehet në baras me të pavërtetën dhe të pamoralshmen kur përhap të pavërtetën, për hir të pushtetit. Dhe nuk është vetëm e pamoralshme, përkundrazi është edhe mungesë përgjegjësie që ta rrezikosh veprën e madhe të Rilindasve tanë, paraardhësve tanë, të heronjve të penës, të luftës të heronjve të lirisë dhe demokracisë, projektin e madh euroatlantik, duke poshtëruar kundërshtarin ose duke iu drejtuar formave ilegale të konkurrimit politik siç është vjedhja dhe manipulimi i votës së lirë, me pasojë rrënimin e paqes sociale të krijuar me shumë mundim dhe vështirësi.
Dëshiroj të kujtoj se të majtë e të djathtë ne kemi të paktën mbi një 20-vjeçar, që po e kuptojmë dhe pranojmë jetën tonë në rrugën europiane ku po shkojmë, me një miratim dhe lumturi të çiltër. Dhe për një politikan tjetër në Ballkan, kjo mund të shkoj gati në kufijtë e zilisë dhe utopisë, çdo ngjashmëri me popujt e tyre. Ishte detyra e politikës sonë që ta kuptonte e të mobilizonte gjithçka për ta zmadhuar e jo zvogëluar ose rrënuar këtë mundësi. Por nuk e bëri dhe fatkeqësisht sot po bën të kundërtën.
Ne realisht kemi filluar që të jetojmë në një shoqëri të hapur, sigurisht në qiellin e parë dhe jo në qiellin e shtatë. Por kjo shoqëri në stadin tonë ka aftësinë e madhe për t’u përmirësuar. Nuk na lejohet ta shajmë më gjatë botën tonë dhe ta poshtërojmë atë që kemi krijuar dhe arritur të gjithë. Ajo mbi këtë tokë, që i thonë Shqipëri është ku e ku më e mira, që ka ekzistuar ndonjëherë të paktën që mbas mesjetës. E vërteta është se ne si popull i bëjmë me kënaqësi reformat dhe në këtë vend nuk mungon muza dhe aventura popullore për të krijuar. Ne shqiptarët jemi njerëz me vullnet të mirë dhe plot sakrifica dhe këtë do të jetë e nevojshme ta themi për nxitje dhe kurajë.
Këtë e kanë vërtetuar ndryshimet tona me faktet e tyre me gjithë sfidat e vështira. Në këtë mënyrë janë të krijuara kushtet më të rëndësishme për ta realizuar paqen mes njëri-tjetrit. Por është dhe një konditë e domosdoshme që na duhet, se na mungon; ne duhet të bashkëpunojmë. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë; si individë, si ortakë, si fqinjë, si grupime shoqërore, si sindikata, duhet të bashkëpunojmë si shoqëri. Por duhet të bashkëpunojnë së pari, partitë politike. Dhe pragmatizmi siç thotë filozofi William Jamës duhet të fillojë menjëherë të bëhet korridori i detyruar, nga ku politikanët tanë duhet të shkojnë kur të fillojnë të zbatojnë programet e tyre. Nëse ata bashkëpunojnë, atëherë – ndoshta – mund të realizohet ëndrra e të gjithëve dhe rruga për në qytetërimin e ëndërruar (e kur dikur kemi qenë kontribuues të çmuar), dhe nuk do ketë më kthesa dhe të papritura, por do vazhdojë vetëm drejt.
Për ta bërë të mundur këtë bashkëpunim, vetë ne duhet para së gjithash që ta pranojmë dhe ta mbrojmë atë që kemi arritur. Dhe ashtu siç thonë filozofët, vendimmarrësit tanë duhet të kuptojnë patjetër një gjë, që ata s’dinë asgjë – ose pothuajse asgjë. Për t’iu afruar paqes së tyre që prish dhe paqen tonë, qoftë dhe vetëm një hap, ata duhet të heqin patjetër dorë nga ideologjitë e tyre fanatike, dhe sidomos nga ideologjia shumë e rrezikshme për paqen e mbajtjes së pushtetit me çdo mjet duke shkelur mbi skandale të papërfytyrueshme qeverimi.
Ne duhet ta kërkojmë me modestinë më të madhe të vërtetën objektive, duke kontrolluar në mënyrë kritike me të prekur në të gjitha anët, siç bëjnë brumbujt. Nuk na lejohet më gjatë, që të përpiqemi për të luajtur rolet e profetëve të gjithëditur. Dhe kjo do të thotë: Ne duhet të ndryshojmë patjetër.
E ardhmja e hapur para nesh përmban mundësi të paparashikueshme dhe moralisht krejtësisht të ndryshme. Prandaj në këto momente qëndrimi ynë bazë nuk duhet të mbisundohet nga pyetja “Çfarë do të ndodhë?”, por nga pyetja e përgjegjshme e të talentuarve dhe të mençurve: “Çfarë duhet të bëjmë për ta bërë jetën tonë mundësisht pak më të mirë?”.
Për sa i përket të ardhmes ne nuk duhet të përpiqemi që të profetizojmë, por vetëm të përpiqemi që të veprojmë moralisht drejt dhe me përgjegjësi. Dhe kjo e kthen në detyrë që të mësojmë ta shohim drejt të tashmen dhe të mos e shohim nëpërmjet syzeve me ngjyra ideologjike. Në qoftë se do vazhdojmë ta shohim realitetin nëpërmjet syzeve ideologjike ose pushtetin e parasë, atëherë ne do cenojmë aftësitë tona për të kuptuar detyrat që kemi në këtë moment të historisë.
E ardhmja është e hapur dhe ne jemi përgjegjës, që të bëjmë më të mirën, për ta bërë të ardhmen akoma më të mirë, se sa është e tashmja..