fbpx

Editorial

Çfarë e shqetëson më shumë Edi Ramën?






               Publikuar në : 20:41 - 03/10/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Kryeministri Edi Rama u shfaq të enjten përpara biznesmenëve të mëdhenj në vend duke u kërkuar që të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Në mbyllje të fjalës së tij, ai u tha ‘gëzuar, pasi nuk do ketë një taksë të re’. Me fjalë të tjera, sërish do ketë një detyrim për t’u paguar prej tyre. Siç dihet, taksat i rëndojnë mbi shpinë atij të shkallës fundore, konsumatorëve.



Një ditë më parë, me të njëjtën banderolë ku shkruhej “Shqipëria solidare”, ai foli për dëmet e tërmetit dhe u angazhua se nuk do ketë asnjë ndërtim që nuk do të sigurohet. Me pak fjalë, u shtoi edhe një ‘taksë’ mbi shpinë, jo atyre që ndërtojnë, por atyre mijëra njerëzve që duan të blejnë.

Për më shumë se një orë, kryeministri tentoi të bindte median se problemi është se shqiptarët nuk i sigurojnë banesat e tyre. Kjo u bë e qartë sidomos pas tërmetit të frikshëm të 21 shtatorit. Nuk është se nuk ka të drejtë. Tregu i sigurimeve është i nënzhvilluar dhe shqiptarët nuk janë aq të apasionuar për të siguruar banesat, përveçse kur ua kërkon banka me detyrim për kreditim.

Atëherë kur është kaq e thjeshtë historia, përse kryeministri shqiptar e stërhollonte kaq shumë muhabetin për t’u treguar shqiptarëve se sa i nevojshëm është sigurimi?

E thjeshtë: sepse në syrin e tyre ai duket më shumë si zëdhënës i një grushti biznesmenësh se një kryeministër që kujdeset për fatin e qytetarëve.

E para, sepse rreziqet dhe nevoja për të siguruar banesat ka qenë gjithmonë aty, por kryeministri nuk dënjoi as të mërkurën të fliste për shumicën, pra për fuqinë ekonomike të atyre që do paguajnë, por foli vetëm për pakicën, për ata që do përfitojnë.

E dyta, sepse edhe pse ky spekulim nuk mund të qëndrojë, njerëzit mendojnë se njerëz të fuqishëm kanë lobuar që një vendim i tillë të miratohet.

E treta, sepse shqiptarët nuk e kanë parë qeverinë në krahun e atyre që blejnë, por e shohin vazhdimisht në krahun e atyre që shesin. Erion Veliaj e pati nisur karrierën si kryebashkiak duke u krenuar në çdo rrugë ku dilte se tashmë vlera e pronave po rritej. Këtë muhabet e zgjati deri kur dikush mund ta ketë këshilluar që të ndalonte. Sepse është mirë që të jesh në krah të atyre që shesin, por duhet të thuash edhe ndonjë gjë për ata që blejnë, sepse janë shumicë.

E katërta, sepse problemi nuk është se tregjet funksionojnë për mrekulli tek ne, por sepse korrupsioni dhe krimi i ka futur tregjet në qorrsokak. A është sqaruar ndonjëherë se sa fuqi ka një familje normale shqiptare për të përballuar këto çmime banesash? Jo. Dhe për ironi, edhe sikur tregjet të funksionojnë shumë mirë, sërish do prodhojnë ‘monstruozitete’ për shumë njerëz. Nuk janë budallenj ata në Francë e Gjermani që protestojnë për çmimet dhe qiratë e banesave.

E pesta, sepse njerëzit zgjohen thuajse çdo ditë duke gjetur ose çmimet e rritura, ose një tarifë a taksë më tepër mbi shpinë. Të gjitha u vijnë mbi kokë me justifikimin se do bëjmë shtet dhe se kështu ndodh edhe në botën e zhvilluar. Po rrogat e pensionet, do përparojnë ndonjëherë me këtë ritëm? Për këtë nuk përgjigjet askush.

E gjashta, sepse u bë kohë që nuk e shohin shtetin e tyre të bëjë ndonjë investim për ta. Për gjithçka i drejtohet biznesit, më saktë një grupi biznesmenësh, të cilët në këmbim të këtyre lëmoshave si ndonjë shtëpi për ndonjë fukara, marrin llokma në tendera e koncesione marramendëse.

Edi Rama foli të mërkurën edhe për vdekjen. Me mjekrën e bardhë që i paralajmëron pleqërinë, ai u tha gazetarëve se ata do jetojnë më shumë se ai. Ndoshta ka nisur të mendojë për trashëgiminë që lë pas. Një gjë është e sigurt, nëse do kujtohet ndonjëherë dikush për të, ai do mbahet mend si njeriu që punoi për një grusht milionerësh.


Etiketa: , , ,

Pas