SHBA kanë deklaruar se mund të ndërhyjnë ushtarakisht në Venezuelë për të mbështetur opozitën. Por Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga aleati i saj, presidenti Maduro
Nga Chris Pleasance, Daily Mail
Teksa Juan Guaido ka nisur përpjekjen e tij më të fundit për rrëzimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, liderët botërorë janë pozicionuar në mbështetje të palëve në këtë betejë. Nga njëra anë në mbështetje të Guaido kanë dalë SHBA dhe shumica e qeverive perëndimore, teksa Maduro ka mbështetjen e fortë të Rusisë dhe aleatëve të saj, përfshi Kubën, Bolivinë dhe Sirinë.
Në lojë për Moskën është kontrolli mbi rezervat më të mëdha të naftës në botë, miliarda dollarë në investime dhe kredi që i kanë dhënë qeverisë së Maduros. Por Rusia synon edhe të vendosë ‘këmbët’ në një pikëmbështetje të rëndësishme pranë oborrit amerikan, duke projektuar kështu pushtetin në rajon.
Ndërkohë Amerika shpreson që të rrëzojë regjimin dhe të ndihmojë në instalimin e një demokracie perëndimore, e cila do ishte miqësore ndaj Uashingtonit dhe do e sillte këtë vend në sferën e ndikimit të SHBA.
Që prej vitit 2009, Rusia dhe gjigandi i saj shtetëror i naftës, Rosneft, kanë investuar thuajse 9 miliardë dollarë në kompaninë e naftës në Venezuelë, PDVSA. Rusia i ka dhënë këtij vendi rreth 17 miliardë dollarë në kredi, të nënshkruara mbi rezervat e naftës – që janë më të mëdhatë në botë. Nëse kontrolli i vendit do të kalojë në duart e Guaido, që mbështetet nga SHBA, atëherë ka gjasa që Rusia të mos e shohë kurrë një cent të këtyre parave të rimbursuara.
Por Venezuela është edhe një blerës i madh i armëve ruse, pasi ka shpenzuar mbi 11 miliardë dollarë nga viti 2005-2013 për tanke, avionë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armatime të tjera më të vogla. Ripagimi i këtyre armëve do ishte sigurisht një humbje nëse Guaido merr pushtetin, ndërsa në të ardhmen, porositë për armatim do bëhen në Amerikë.
Bazat ajrore, portet dhe pikat mbështetëse të ushtrisë do ishin ideale për forcat ruse në rajon. Në dhjetor të vitit 2018, Rusia uli bombarduesit supersonikë në këtë vend si një shfaqje e forcës kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane. Mercenarët e grupit rus ‘Vagner’, që mendohet se kontrollohet pjesërisht nga shteti, janë stacionuar në Venezuelë.
Ky vend është po ashtu edhe një importues i madh i grurit rus, si dhe ka lidhje të forta me sistemin bankar të këtij vendi.
Por ndoshta më shumë se burimet dhe të ardhurat, Rusia kërkon që të mbajë këtë pozicion strategjik dhe ideologjik në oborrin amerikan, prej nga mund të projektojë ndikimin e saj në të gjithë rajonin.
Eksperti Mikael Wigell, një studiues i Institutit finlandez të Punëve të Jashtme, tha për RFE: “Vendosja e marrëdhënieve të ngushta me Venezuelën i jep Moskës një fuqi bezdisëse në raport me SHBA, e cila mund të përdoret si kushtëzim në bisedimet e ardhshme me Uashingtonin”.
“Gjithashtu kjo mund të shihet edhe si shfaqje e aspiratave ruse për t’u konsideruar fuqi globale”.
Shpërthimet e betejës për pushtet pritet të vazhdojnë, pasi Guaido postoi një video online duke u kërkuar banorëve të Venezuelës që të dalin në rrugë në protesta kundër Maduros. Ai premtoi protestat më të mëdha në historinë e vendit, duke rrëzuar pretendimet e Maduros se ai ka kontrollin mbi uhstrinë.
Vetë Maduro reagoi në një program televiziv duke denoncuar atë që e quajti grusht shteti, ndërsa bëri thirrje për besnikëri maksimale nga trupat e tij. Ekziston frika se më shumë gjakderdhje do të pasojë në kryeqytetin Karakas, pasi forcat e rëndit përdorën plumba dhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit u shtypën nga mjetet e blinduara.