Aktualitet

Çfarë është nitrati i amonit, substanca që shkaktoi shpërthimin në Bejrut?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:56 - 05/08/20 |
mapo.al

Shpërthimi masiv që shkatërroi pjesën më të madhe të Bejrutit, është më i fuqishmi që nga lufta civile e vendit në 1975-1990. Qeveria e Libanit u shpreh se shkaktari për këtë është nitrati i amonit, i cili ruhet në portin e qytetit. Ndërsa ekspertët besojnë se ngjarja erdhi pas ndezjes së fishekzjarreve.


Pyetja që shtrohet është se përse ky material i dëmshëm, ruhej në një zonë jo të sigurt dhe shumë pranë zonave të banuara. Kjo substancë ka qenë shkak i shpërthimeve të shumta industriale në të kaluarën.


Çfarë është nitrati i amonit?



Nitrati i amonit është substancë kristalore, pa erë, që zakonisht përdoret si pleh. Në sektorin e bujqësisë, fermerët e përdorin me shumicë pasi aplikimi i tij lejon që azoti, i cili është i rëndësishëm në rritjen e bimëve, të shpërndahet nën tokë.


Në gjendje natyrale nuk është lehtësisht i djegshëm. Substanca mund të shpërthejë vetëm nëse bie në kontakt me një tjetër burim që ndizet lehtë.


Rregullat se ku dhe si mund të ruhet nitrati i amonit janë të rrepta: kryesisht duhet të mbahet larg karburanteve apo burimeve të tjera të nxehtësisë dhe larg zonave të banuara.

Çfarë shpërthimesh të tjera të mëdha ka shkaktuar substanca?

Nitrati i amonit ishte implikuar në një shpërthim në një fabrikë kimike në qytetin francez të Toulouse në 2001, që vrau 31 njerëz dhe u gjykua se ishte ngjarje aksidentale.

Materiali u përdor gjithashtu në një shpërthim në një fabrikë të plehrave në shtetin amerikan të Teksasit në vitin 2013, duke vrarë 15 persona dhe autoritetet e vlerësuan si veprim të qëllimshëm.

Gjithashtu, një sulm në qershor të 1996 në Britani shkaktoi dëme të mëdha në qendrën e qytetit të Manchester. Nuk pati viktima dhe numri i të plagosurve ishte 200.

Pse u mbajt nitrati i amonit në një zonë të populluar të Bejrutit?

Kryeministri i Libanit, Hassan Diab tha ngarkesa prej 2,750 tonësh ishte ruajtur në një depo në port, pasi ishte konfiskuar nga një anije ngarkese në 2014.

“Për shkak të rreziqeve që lidhen me mbajtjen e nitratit të amonit në bordin e anijes, autoritetet e portit shkarkuan sasinë në depo. Anija dhe ngarkesat mbetën në port në pritje të ankandit dhe / ose asgjësimit të duhur”.

Libani ishte në prag kolapsi dhe përpara shpërthimit. Rënia ekonomike, rritja e papunësisë kanë sjellë protesta masive në muajt e fundit. Akuzat i drejtohen paaftësisë dhe korrupsionit në qeveri.

Ndërkohë kryeministri libanez ka premtuar se përgjegjësit e ngjarjes së 4 gushtit do të gjenden dhe do të vihen përpara drejtësisë. /Euronews


Etiketa: , , , ,

Pas