Për shkak të rrethanave familjare Henri Çilin e njoh prej gati 30 vjetësh! Ndoshta se njoh aq mirë sa shumë prej bashkepunëtorëve të tij, por e njoh. E ka nisur karrierën nga zeroja, madje nën zero dhe arriti të bëhej publicist, botues dhe biznesmen i suksesshëm. Ka qenë kryeredaktori im i parë këtu e 20 vjet të shkuara, koleg, ashtu sikundër shumë të tjerë qe sot kanë qepur gojën në rastin më të mirë, ose janë lëshuar ta shqyejnë në rastin më të keq.
Që nga mëngjesi i sotëm (djeshëm) po shoh një zell të tepruar të pushtetit për ta njollosur. Të aferm te tij po më thone që është arrestuar në oret e vona të nates dhe të pakten deri në orën 00.30 të mbrëmjes policia ka refuzuar të tregojë vendimin e gjykatës. Deri në oret e para të mengjesit Çili nuk e dinte përse akuzohej! As nuk i shkonte mendja. Më pas policia pa treguar asgjë, asnjë urdhër apo vendim i ka kontrolluar shtëpine dhe universitetin.
Çështja është fare e thjeshtë! Nuk po goditet Henri Çili se ka ndërhyrë për lirimin nga burgu të një të dënuari në një gjykatë që fundja nuk ekziston (Bëhet fjalë për Gjykatën e Lartë ku laj thaj është vetëm Dvorani) po goditet imazhi i tij. Ai nuk ishte pjesë oborrit të Rilindjes, pavarësisht piruetave me sfond politik majtas e djathtas që unë personalisht i kam kuptuar. Prej do kohësh ai kish shfaqur shenja pakënaqësie ndaj Ramës që e përkrahu për të ardhur në pushtet në vitin 2013.
Pse e them këtë? Të arrestosh me forca policore një personazh publik, biznesmen dhe botues pa vendim gjykate kjo do të thote se dikujt i ke shkelur në kallo, ndersa vendi ka rrëshkitur në diktaturë. Henri Çilit do i mjaftonte një telefonatë për tu paraqitur ku të donte Prokuroria, e Permetit apo e Mezhgoranit qoftë. Por në fakt jo më kot është përzgjedhur një degë prokurie periferike ku prokurori i vetëm eshte dhe kreu i institucionit për të bërë tërë këtë bujë . Për të nxjerre drejtorin e Policise në media e pas tij të gjithë shpuren qeveritare që nga Erjon Brace, Sandër Lleshaj e deri tek Prokurori i Përgjithshem që pershendeste pavaresinë e institucionit të tij. Zot na ruaj!
Ne të gjithë këtë zallamahi, që më shumë se vepër penale është ushqim për qentë e ndryshëm mediatikë të oborrit, ka disa gjëra që nuk shkojnë. E para nëse flasim për ndikim kush është pasoja? Pra nga ky ndikim i Çilit kush u lirua nga burgu?!
E dyta bëhet fjalë për nje marrëdhënie mes dy individësh, dhe ai që ka paguar sdimë të ketë bërë ndonjë denoncim. Çili ka në pronësi një biznes që quhet Studio Legale, e pavarur nga UET. Në rast se Aliko Senior kërkonte një shërbim për Aliko Junior atëhere aq është çmimi i shërbimit të atij biznesi?! Sa studio ka që kanë çmime shumë herë më të kripura?
E dyta, nëse bëhet fjalë për ndikim të paligjshëm, pse krimi ekonomik shkon e rrëmon kartelat e studentëve apo pasqyrat financiare të universitetit kur studioja legale është biznes tjetër me vete?! Apo dhe për këtë ka dhënë urdhër prokuroria e Mezhgoranit?
Dhe e treta mbetet për tu parë se tek kush ka ndikuar!. Pse prokuria dhe policia nuk bën të ditur emrin e personit te kontaktuar nga Çili ne Gjykatën e Lartë që nuk është ngritur ende. Pra flitet vetëm për ndikuesin por jo të ndikuarin qe tek e fundit ka në dorë dhe çështjen?
Kemi të bëjmë me nje ngjarje aq qesharake sa nuk ke nga ta kapësh nga ta lëshosh. Por dicka ma tha me të drejtë dikush sot “ këta ( Rilindja) janë te aftë t’a bëjnë qimen buall, e buallin qime”! Fjala vjen në rastin kur në përgjime për trafik votash kapet Gjushi, bualli bëhet qime, kur flitet për trafikun e drogës së Tahirit e njëjta gjë. Kur flitet për Ulsiun, Damianin, Taulantin, apo dhe vetë Lartgjatësinë që dirigjon manupulime votash dhe çuditi botën, sërish “Bualli bëhet qime”, ose përgjimet interpretohen si “ biseda mes miqsh”! Natyrisht ska si ndodh ndryshe, këta janë oborri ose pjesë e oborrit.
Këtij establishment të leckë nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar i duhet dikush bëhet “ kurban” në emër të “Reformës për Drejtësi” që po vetë e bënë paçavure. Dikush duhet të paguajë që ta marrin vesh dhe ata “ ndyrësirat” e opozitës, se me Zeusin dhe Olimpin nuk luhet. Dhe ku ka më mirë se Çili, që deri dje përkrahte Ramën? Ne kete rast po, ajt ta bëjmë “ Qimen Buall”! Po kujdes, drejtësia duhet të vije nga Përmeti nëpërmjet operacionit Mezhgorani që të dukemi si “Biçim të pavarurish” ose të “hedhim gurin dhe fshehim dorën”.
Ashtu siç kjo drejtësi e “pavarur” vjen dhe për ata të dritave që varnin veten në qeli , apo ata të çative pa leje që sot qajnë fëmijët që ju vranë në aksidente teksa shkonin për të takuar baballarët në burgjet e Rrogozhinës. Duhet dhe një Erjon, që Rilindja i ka me shumicë që të na mbushë mendjen se po vihet drejtësi. Mundësisht atë të voglin që kërcëononte gjyqtarët në sallë në Durrës me qëllim që të nxirrnin nga qelitë të arrestuarit e rilindjes për korrupsion dhe “Shpërdorim detyre”.
Po ai nuk ishte ndikim madje akoma më keq kërcënim apo kjo kjo bëhet në emër të një “ideali të madh”. Duan të na mbushin mendjen se kjo që i ndodh gazetarit nuk bëhet se duan ti rrëmbejnë biznesin, me metoda mafioze dhe banditeske pasi Çili nuk vjen nga kasta e bllokut dhe e oborrit Rilindas. Jo, jo gjithçka bëhet në emër të “Drejtesisë së re”! Medet ku na hodhi Zoti!