fbpx

Aktualitet

Çfarë fshihet pas mesazhit të përsëritur të Ramës për Prokurorin?





               Publikuar në : 17:42 - 05/11/19 |
Mapo.al

Dy herë pushtoi mediat prokurori Ndoja. Në rastin e parë, kur u sulmua drejtpërdrejt nga Rama e zëvendësi i tij, në të gjitha frontet. Kjo pas arrestimit të drejtorit të kadastrës së Durrësit, një përfaqësues socialist. Kryeministri e ngriti edhe më shumë tonin e sulmit kur e bëri për një lek njeriun e akuzës nga foltorja e Kuvendit, që është kendi me vizibilitetin më të lartë në vend.


Kur jo pak kohë më pas, i ndodhi atentati, ishte hera e dytë që Ndoja pushtoi mediat. Por kësaj radhe, qeveria dhe shefi i saj heshtën për 4 ditë me radhë. Asnjë fjalë, asnjë qendrim. Vetëm sot dolën në publik, pasi policia ndaloi një të dyshuar. Rama sërish nuk e kurseu prokurorin, duke e quajtur të implikuar në ngjarje, pasi më parë e kish cilësuar anëtar bande.



Nuk ka asnjë dyshim se ky njeri i ligjit ka mesa duket probleme jo të vogla. Por këtu një problem i madh është mesazhi që fsheh kryeministri në qendrimet e tij.


Sulmi me artileri të rëndë, ditën e arrestimit nga Ndoja të një zyrtari, një drejtori kadastre, asi funksionari, për të cilët mbarë opinioni publik ka një opinion të konsoliduar se janë majmur në pasuri e abuzime, është një sinjal për krejt prokurorët dhe drejtësinë.

Pasi e leqendisën në media, dhe pasi e shpalli armik të popullit nga Parlamenti, kryeministri u ka bërë të qartë të gjithë kolegëve të Ndojës, se i njëjti fat i pret nëse guxojnë të merren me drejtorët e tij, me zyrtarët e tij, pra me qeverinë me pak fjalë.

Kush është ai që do të guxonte të ngrinte një padi, të niste hetim, apo të arrestonte një rilindas me peshë, pas asaj që i ndodhi Ndojës. Nuk është fjala këtu për atentatin, por për goditjen e pashembullt politike e mediatike.

Prokurorit iu bë gjyqi e ju dha pretenca nga qeveria, pa u sqaruar asgjë për aktin e tij, për motivet përse ishte arrestuar shefi i hipotekës së Durrësit. Ngelen mister dhe të parëndësishme arsyet, edhe pse në atë rast mund të jenë gjetur shkelje të rënda të ligjit në regjistrimin e pronave.

Pra u pa qartë. Nuk ka rëndësi cka ndodhur me letrat, askush nuk duhet të guxojë ndaj një zyrtari të lartë që ka mbështetjen e qeverisë. Po ashtu, mjeshtrat e kadastrës kudo që ndodhen, morën edhe ata një shenjë. Jepini, nxirrini ujin e zi pronave, se shefat e mëdhenj u japin mbrojtje a priori.

Edhe tek heshtja 4 ditore ka një mesazh. Nëse je prokuror që nuk të ka qejf pushteti, ai të lë vetëm, të injoron edhe para breshërisë së kallashit.

E vetmja gjë që ka munguar në gjithë këtë sagë, është një sjellje normale, prej shtetari, një qendrim sipas ligjit.

Çdokush do të dëshironte të shihte që kryeministri dhe njerëzit e tij, të çonin në prokurori të dhënat që ata kanë për këtë njeri të dyshimtë, për këtë anëtar bande, dhe nëse del siç akuzohet, ai të përballej me drejtësinë me gjithë forcën e saj. Ky mesazh nuk është dhënë. Dime vetëm se rilindja do u punojë qindin prokurorëve dhe gjykatësve që i ka në listën e saj të zezë.

Mapo.al


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas