Editorial

Çfarë fshihet pas ndjesës së Ramës për popullin e Facebook?!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:33 - 04/05/20 |
Mapo.al

Kryeministri Edi Rama u shfaq dje në darkë në një përmasë të jashtëzakonshme, enkas për të kërkuar ndjesë, për ndjekësit në rrjetin social. E beftë, surprizuese si ngjarje. Duke njohur vitet e tij në pushtet, prej motit të largët 1998, kur u emërua Ministër i Kulturës, e deri më sot, rrallë ose asnjëherë nuk ka ndodhur, që Rama të ketë një komunikim të posaçëm, thjesht për të kërkuar ndjesë.


Çka do të thotë se kjo nuk është një sjellje e tij e zakonshme, normale. Nuk bën pjesë në korpusin e virtyteve. Gjithnjë, ka lënë të kuptojë që ka pasur të drejtë, se e vërteta anon nga ai, madje, retorika ka treguar se është i pagabueshëm, gati hyjnor, dhe kur e kur, rreshtohet veçse me të mirën.


Kur e degjon të kërkojë ndjesë, mendja të shkon që diçka ka ndodhur. Një hall e ka sjellë në këtë pikë.


Dhe nuk është e vështirë për të kuptuar, se halli ka të bëjë me popullaritetin me gjasë të rënë në këto ditë krize.


Njerëzit, populli që ai pretendon se e ndjeh mirë, mund të tolerojë shumëçka, pamundësi, dështime, paaftësi ndoshta, por kur e gjitha kjo, shoqërohet edhe me arrogancë, me tendera sekrete e me favore për oligarkët, zor se do të gjesh më konsensus dhe aministi.

Në këtë shteg, Rama ka shkuar aq larg, sa në ndonjë moment të esëllt e racional, mund ta ketë kuptuar edhe vetë. Nuk i harron kush qendrimet e tipit, unë ju ruajta nga flama, unë kurseva mijëra jetë njerëzish, mua më ra kjo barrë, unë jam babai i kombit, unë nuk po mjekoj dot dhembin tim, unë po vuaj më shumë nga të gjithë, unë jam kampioni anti-covid i Europës, unë e dërrmova armikun e padukshëm, unë shpëtova 18 mijë frymë.

Teksa menaxhimi nga ana shëndetësore ka lënë për të dëshiruar, dhe ndihma ekonomike, edhe më e qortueshme, haptazi është kuptuar se retorika e kësaj natyre, jo vetëm nuk ka shërbyer, por ka prodhuar një pakënaqësi dhe revoltë ndaj tij.

Të dhënat e sondazheve me siguri e tregojnë këtë. Ditët e fundit kishte dhe ca si inspektime nëpër rrugë e kantiere, po që ngjanin si kuturisje në shkretëritë, pa asnjë efekt.

Nisur nga këto rrethana, duhet të ketë lindur konkluzioni, se kur nuk ke bilanc, arroganca nuk shet. Ndaj lypsej një kthesë e fortë. Dhe ndjesa e një nate më parë, është e sforcuar dhe fsheh ligështinë e një dështimi, e rënies së aksioneve në publik.

Mund të dukej fillimisht si luhatje humori, çka e kemi parë jo rrallë. Por gjasat janë që më shumë të jetë një strategji e re PR-i, një zgjatim tjetërsoj i propagandës. Kjo, kur u kuptua se miti i heroit që shpëtoi 18 mijë shqiptarë nga ploja e koronavirusit, nga mali me arkivole e nga hektaret me varre, mund të ketë ngjitur tek elisa dhe taulanti, po askund tjetër.

Mapo.al

 

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas