Aktualitet

Çfarë fshihet pas një emri; antroponimet mes traditës dhe modernitetit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 28/07/20 |
Gëzim Kabashi

Avdulla Karalliu punon si kamerier në një nga lokalet e shumta buzë detit në qytetin e Durrësit. Djalë i qeshur dhe i papërtuar, nga ata që “ta merr bakshishin me zor”, Avi, siç e thërrasin shkurt, nuk habitet kur e pyesim për emrin e tij të plotë. “Unë trashëgoj emrin e gjyshit,” tregon ai.


Kur isha i vogël më dukej sikur talleshin me emrin tim dhe i thosha vetes “sa të rritem do ta ndërroj”. “Tani ndihem rehat me emrin tim,” e mbyll bisedën djaloshi që sapo ka mbushur 22 vjeç, dhe vrapon drejt një tavoline tjetër me klientë.


Pas disa dhjetëvjeçarësh me emra, që dëshmonin një entuziazëm shpeshherë të stisur, pas viteve 1990 emrat e përzgjedhur për fëmijët e sapolindur pësuan ndryshime dhe jo pak herë edhe deformime.


Në kopshtin ku punoj, për një kohë të gjatë fëmijët kishin emra të sajuar nga bashkimet e emrave të vetë prindërve,” dëshmon Mirjeta Lala, edukatore në një nga institucionet e arsimit parashkollor. Kombinimet e disa emrave shpeshherë përfshinin, bashkë me rrokje nga emrat e prindërve, edhe germa nga ato të gjyshërve apo të ndonjë vëllai a motre më të vogël të fëmijës që po “pagëzohej”. “Tani te vogëlushët nuk para gjen emra gjyshërish me prejardhje të hershme,” thotë Mirjeta.


Në kopsht vijnë gjithnjë e më shumë fëmijë me emra lloj-llojesh, kryesisht në gjuhë të huaj. Nga një publikim i INSTAT-it rezulton se emrat më të preferuar nga prindërit për fëmijët e tyre gjatë vitit të fundit kanë qenë thuajse të gjithë të huaj.

Emrat, që tashmë kanë zënë vend në listat e Gjendjes Civile, si për djem edhe për vajza, kanë lidhje shumë të largëta me gjuhën shqipe. P.sh. “Amelja”, që zë vendin e parë është përzgjedhur 499 herë brenda një viti, ndërsa po t’i shtosh edhe variantin thuajse të njëjtë “Amelia” numri i preferencave vjetore arrin në 681 gjithsej. Emrat “Amaris” dhe “Amar” ndodhen përkatësisht në listën e vajzave dhe djemve, por ata janë aq të ngjashëm, sa nuk dihen edhe mbaresat që mund t’ua ndryshojnë gjininë e emrit. Tendenca e emrave që i largohen gjuhës shqipe, lidhet me përvojat personale të prindërve në vende të huaja.

Migrimi i ka detyruar ndonjëherë të sillen në mënyrë të çuditshme me emrat e tyre. Për një periudhë jo të shkurtër shqiptarët me punë dhe banim në Greqi kërkuan të ndryshonin emrat për të siguruar më lehtë dokumentet dhe vendin e punës. Një ish-nëpunës i Gjendjes Civile në bashkinë e Durrësit kujton se ligji shqiptar lejonte ndërrimin e emrit mbi bazën e një kërkese të thjeshtë.

“Ndryshime të tilla kanë ndodhur jo pak herë,” thotë ish-nëpunësi i bashkisë, që nuk kishte dëshirë të identifikohet. Më pas gjeografia e migracionit shqiptar në botë u zgjerua ndjeshëm. “Simpatia e prindërve për këto vende shprehet edhe me parapëlqimet e emrave. Bashkë me simpatinë për këto vende, ka prindër që mendojnë se e ardhmja e fëmijëve të tyre duhet të jetë patjetër jashtë vendit,” shprehet mësuesi i letërsisë Ruzhdi Gole.

“Nxënësit e mi nuk e gjykojnë keq njëri-tjetrin për shkak të emrit, por duket qartë se shpeshherë edhe prindërit ngatërrojnë konceptin “bashkëkohor” me atë “modern”,” shton ai. Emrat Gent apo Bardhyl, megjithëse mbijetojnë prej disa dekadash kurdoherë janë “bashkëkohorë” – sipas mësuesit me përvojë, i cili thotë se ato kanë një kuptim historik për ne shqiptarët.

Në vitin 1982 Shtëpia Botuese “8 nëntori” publikoi një “Fjalor me emra njerëzish”, hartuar nga një grup gjuhëtarësh. “E kam blerë këtë libër, kur prisja të bëhesha prind,” tregon për BIRN Edmond Agolli, një aktor në pension. Hallat e mia më kërkonin që të përjetësoja emrin e babait tim, i cili quhej Sadik. Por mbaja mend edhe babanë, i cili shumë vite më parë u thoshte miqve në tavolinë: Uroj që bijtë tanë të mos u vënë fëmijëve të tyre emra për estradë”. “E mbajta fjalën dhe e quajtëm Etrit, pra një shumës si fjala “baballarët”, Etërit”, kujton Agolli.

Agolli mendon se një vëllim orientues i përditësuar me emra shqiptarë do t’i ndihmonte prindërit e rinj në morinë e emrave që qarkullojnë sot, dhe që fillojnë nga emrat e hershëm të gjyshërve dhe përfundojnë tek emrat e huaj pa kuptim dhe pa lidhje me gjuhën amtare./ Birn


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas