fbpx

Aktualitet

Çfarë ironie, Edi Ramës iu rrëzua qeverisja prej KÇK-së






               Publikuar në : 22:45 - 09/10/19 |
Nga Enton Palushi

Nga Enton Palushi


Pasi e shpalli veten orator të shkëlqyer, kryeministri Edi Rama doli sërish përpara parlamentit për të thënë të njëjtat gjëra. I vënë nën presion pas kushteve gjermane, që e vënë gishtin te dy plagë që ka prodhuar reforma në drejtësi: vonesat në ngritjen e organeve të drejtësisë dhe mosndëshkimi i atyre që dalin jashtë sistemit, Rama foli me zjarrin tipik mesdhetar sikur po e dëgjonte ‘Mutti’ Merkel.



Vazhdon akoma të besojë marrinë e prodhuar prej tij se ka funksionuar ofensiva e joshjes ndaj politikanes më të ftohtë në Europë, asaj që nuk i ka dhënë kurrë një dritë jeshile në rrugëtimin si kryeministër.

Ndërsa fjalimet nuk kishin ndonjë gjë të re, kryeministri sulmoi prokurorët dhe gjyqtarët që janë larguar dhe që do të largohen nga sistemi i drejtësisë, duke thënë se ata janë lëshuar sipas formulës K-Ç-K (kap ça të kapësh).

Edhe pse kopjoi një term të përdorur më herët nga ish-ministri demokrat, Eduard Halimi, nuk është kjo gjëja më e rëndë. Nuk të dëshpëron as fakti që kryeministri e thekson se reforma kërkon shumë vite për të futur drejtësinë në shina. As fakti që Rama e pranon se reforma më e rëndësishme e tij është katandisur në K-Ç-K.

Por kulmi i ironisë është se qeverisja e tij u shkërmoq brenda pak muajsh për shkak të parimit K-Ç-K (kap ça të kapësh).

Opozita me zgjuarsi e futi në një kurth me protestat e saj, duke nxjerrë në pah në sytë e të gjithë botës se çfarë qeverisje ka prodhuar Edi Rama. U desh pak kohë që shteti të shembej i tëri. Paradoksalisht u shemb pasi Edi Rama mori një mandat të qartë për qeverisjen.

Mjaftoi paniku që shkaktoi opozita te shteti i korruptuar, dhe sapo nisi të ndihej frika e largimit nga pushteti, KÇK arriti në nivele të frikshme. Thonë se kur vjen në pushtet për KÇK (kap çfarë të kapësh), me KÇK do të ikësh.

*
Nëse nuk e besoni, atëherë mund t’iu përgjigjeni pyetjeve: A mendoni se është e rastësishme se ekonomia është në pikë të hallit, me Bankën Botërore që e ul ndjeshëm parashikimin për rritjen e saj? Apo mendoni se informaliteti u shtua aksidentalisht? Apo jeni të mendimit se portet e vendit dhe rrugët e trafikut të drogës u mbushën kot me tonelata kokaine dhe kanabisi? Apo mund të jetë koincidencë që drejtoritë më të rëndësishme në vend po bëhen të padrejtueshme? Ose ndoshta mund të jetë vetëm statistikë që nuk po kalon asnjë reformë e rëndësishme në vend? Apo është thjesht një keqdashje e medias që raporton se ‘feudalët’ e politikës kanë nisur të shqyhen për postet që do ndahen në administratë?

*
Të fajësosh opozitën se ka bllokuar integrimin, do të thotë të mos dish as të bësh propagandë. Historia e demokracisë ka treguar se qeverisjet më të mira në Europë janë bërë pikërisht në kohën kur janë mbajtur edhe protestat më të mëdha e më të dhunshme.

Por ajo që bëri opozita shqiptare ishte se tërhoqi prozhektorët e ndërkombëtarëve dhe të medias së huaj mbi Shqipërinë dhe e la dramën të zhvillohet vetë. Nëse kriza do ishte artificiale, asgjë nuk do ndodhte. Por e gjithë bota dëshmoi, se si në panik e sipër, shteti u bë lesh e li për pak javë prej KÇK-së. Jo vetëm kaq, por për të treguar se situata nuk është ashtu siç e ka prezantuar opozita, pushtetet vazhduan të bien një e nga një në duart e qeverisë.

Mediat e pësuan të parat pasi duhej të tregonin vetëm realitetin rozë. Pastaj u vazhdua me drejtësinë, e cila nuk duhej të lëvizte bishtin fare gjatë kësaj kohe. Në fund fare u manipuluan edhe votimet njëpartiake për t’iu treguar shqiptarëve dhe botës se njerëzit e duan këtë qeveri. Aq surreale u bë situata, sa dukej se çdo përpjekje e qeverisë i ngjante tentativës për të nxjerrë ujë me kova nga një varkë që po mbytej.

Shteti u shemb prej KÇK-së dhe Rama mbeti si ai Gjenerali i një ushtrie të vdekur, si drejtues i një shteti letre që mund të shembet nga çdo puhizë. Prandaj edhe këto fjalimet me zjarr në Kuvend ngjajnë më shumë si një përpjekje për t’i dhënë gajret vetes me parimin: SHSTSH. Ta shtyjmë sa ta shtyjmë!


Etiketa: , , , ,

Pas