Mapo Letrare

Çfarë më tha Ali Podrimja para 17 vitesh?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:35 - 22/05/21 |
Mark Simoni

T’i kujtojmë më shpesh Rilindasit që vërtet ishin më të mençur se ne, sidomos kur ishte çështja e kombit. (Intervistë me poetin e madh kosovar Ali Podrimja, në gazetën “Koha Jonë”, me 24 janar 2004)
Bashkëbisedoi Mark Simoni






Çfarë mendoni për nivelin e këmbimeve të kulturës në të dy anët e kufirit?


Megjithëse vendet tona i konsiderojmë të pavarura dhe shtete më vete, unë konstatoj se mungon komunikimi normal mes shqiptarëve. Përse ndodh kjo? As vetë nuk e di. Por duhet bërë çmos të rrënohet edhe ai muri që ekziston në logjikën o akcilit njeri tonë, qoftë në pushtet apo intelektual. Ne nuk bën ta shohim veten përherë xhuxhë, sepse përpara botës dalim qesharakë dhe dëshmojmë propagandën e fqinjëve tanë që na konsiderojnë ende si fis. Shqiptarët e dy anëve duhet të bindën, së pari, se vetëm si komb mund ta realizojmë ëndrrën tonë.







Cili është Ali Podrimja, si shkrimtar e si qytetar në këto momente?



Në këto çaste jam një shqiptar i pakënaqur me vetveten dhe me atë që më rrethon. E them këtë se ajo që ndodh shpesh është pjesë edhe e elaborateve të huaja. Ne duhet të besojmë në fjalën dhe mendimin tonë. Përkundrazi, çdo përpjekje e njeriut tonë si individ do të shkojë dëm. Që kjo të mos ndodhë, ne duhet ta shikojmë secilin krijues e intelektual si pjesë e shoqërisë shqiptare, e cila e kërkon voton në familjen evropianë.



Ku është pika juaj e ndodhjes në botën e madhe te letrave?

Si shkrimtar, jam aty ku është edhe fjala ime, ku është edhe mendimi im dhe prania ime. E, kjo ka një hapësirë mjaft të madhe.

Shpeshherë edhe ju kanë kritikuar. Përse ka ndodhur kjo?

Unë kam dëshirë edhe të me kritikojnë sepse vetëm ashtu mund të korrigjoj ndonjë lajthitje timen, por edhe të depërtoj në çështje që kërkojnë të shoshiten. Unë nuk di krijues, qoftë ai i letërsisë shqipe, apo i metropoleve që nuk kanë kaluar përmes fërkimeve. Bile, me ca që më kritikojnë e pi dhe ndonjë kafe. Asgjë ‘në jetë nuk është e përsosur. Përse duhet të jenë krijuesit përjashtimi i këtij rregulli?

A mund të flasim pak edhe për angazhimet e kohëve të fundit në letërsi?

Kam në gjendje dorëshkrimi dy libra që dalin këtë vit. Njëri titullohet “Gjysmë fotografia” që do të thotë “Gjysmë Shqipëria”, ndërsa tjetri deri në tani titullohet “Kur mungon atdheu”, Ne, shqiptarët e Kosovës ka mbi një shekull e gjysmë që na mungon, por megjithatë ne kemi krijuar atë atdheun shpirtëror ku s’ekzistojnë mure e as gjëra të tjera të trishta. Këtë duhet ta lexojmë me kujdes nga akcili shkrimtar që vjen nga Kosova.

Ç’ndjesi provoni kur vini në Shqipëri?

Unë kur shkel në Shqipëri, vij i çliruar, si një shqiptar që si përket asnjë partie dhe që partitë në Shqipëri i konsideroj si problemi i shqiptarëve të krahut tuaj. Unë përkrah opsionet demokratike, por kurrë nuk dua të bëhem pjesë e fërkimeve të asnjë partie, mbasi të gjitha i konsideroj dhe janë shqiptare.

Duke patur parasysh se shkrimtarët përbëjnë një nga komunitetet me sentimentin më të lartë, a mund të na thoni se çfarë keni ndjerë në momentet kur shqiptaret janë vënë në provën e rrezikut e të fatkeqësive?

Kam përcjellë me dhimbje të madhe ngjarjen tragjike të 9 janarit. Siç duket, mbasi toka ishte mbushur me varre, tani e ka radhën deti. Nuk e di nëse nënat e miqtë tanë do ta kenë të mundur të na i gjejnë varret. Dikur kishte varre vetëm në dhe të zi (siç thotë populli ynë) ndërsa tani varret i kemi edhe të kaltër, në krah të ndonjë pulëbardhe, i dhimbshëm e tronditës ky realitet..,

Ç’raporte keni me miqtë tuaj dhe si ndiheni né respektin, dashurinë e vëmendjen e tyre?

Shkëlqyer. Dritëroin e kam mik nga ditët e para, qysh kur fillova të shkruaj poezitë e para. Mik e kam edhe Ismail Kadarenë, me të cilin nganjëherë dhe grindemi për çështje letrare. Por, kur vij në Shqipëri, nuk mund të mos iu pi kafenë Moikom Zeqos, Besnik Mustafait, Xhevahir Spahiut, e deri tek më të rinjtë. Unë nuk mund t’i shikoj shqiptarët të ndarë, sepse jam edukuar në një familje qytetare, siç është Gjakova, familje e shumë burrave të kombit që të keqen nuk e shohin veçse përreth. E, fatkeqësisht, ne merremi pak si tepër me vetveten, në një kohë kur na duhet të mposhtim imazhin e së keqes për neve.

Cili është formati i prezantimit të kulturës shqiptare nëpër botë, sipas mendimit tuaj?

Vetëm si etni, ku do të merrnin pjesë krijuesit e të gjithë trojeve shqiptare që nderojnë kombin.

Çfarë duhet të rregullojë shoqëria jonë nga regjistri i marrëdhënieve mes njëri-tjetrit?

Patjetër që duhet t’i lëmë fërkimet dhe të mendojmë për të ardhmen tonë, për besimin tonë, mes nesh dhe t’i kujtojmë më shpesh Rilindasit që vërtet ishin më të mençur se ne, sidomos kur ishte çështja e kombit. Një mik i imi, Azem Shkreli, thoshte “nuk është poet ai nëse s’vdes edhe për një varr”.

Këtë varg po e perifrazoj: nuk është shqiptar, ai që në fatkeqësinë e popullit kërkon përfitimin e vet.

Ju kërkoj me zemër në dorë juve të Shqipërisë së vjetër, të bëni kujdes edhe për pavarësinë e Kosovës. Ne nuk dimë me çka të merremi tani, kur fërkimet, në të dy anët tensionohen e bëhen siç e dëshiron ora e fqinjëve tanë, që aq shumë e aq gjatë na kanë parë keqas.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas