Aktualitet

Çfarë më tha Ndoc Gjetja para 18 vitesh?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:19 - 08/05/21 |
Mark Simoni

Librin s’mund ta zbresë askush nga hierarkia e dijes
Bisedë me poetin e mirënjohur Ndoc Gjetja. kur unë isha redaktor i kulturës në gazetën “Koha Jonë”. (Gazeta “Koha Jonë”, e dielë, 14 dhjetor 2003, faqe 21)






Bashkëbisedoi Mark Simoni


Ndoc Gjetja është në perandorinë e heshtjes, apo në vendin tonë mungojnë gazetat që botojnë letërsi?







Gjatë viteve të fundit kam botuar vetëm një libër me poezi, “Dhjata ime”, ndërsa në shtypin letrar nuk jam dukur me poezi të reja. Prandaj më duhet të pranoj njëfarë heshtje që ka rënë mbi emrin tim si krijues, por këtë kurrësesi nuk ma bën zemra ta pranoj si perandori e heshtjes. Një të tillë do ta pranoj vetëm në çastin e kalimit në “al di la”. Qoftë për atëherë. Ndërsa kjo, në të cilën po jetoj aktualisht, është thjeshtë një pauz disi e gjatë, që ma kanë krijuar disa shkaqe shëndetsore, dhe jo mungesa e gazetave që botojnë letërsi.
Pavarësisht se krijimtarinë e kam rralluar ndjeshëm, nuk më kanë munguar poezitë e reja, me të cilat mund ta kisha thyer ndonjëherë heshtjen duke botuar në “Drita”, “Ars”, apo në suplementet letrare dhe kulturore që nxjerrin periodikisht disa gazeta me profil politik. Lidhur me këto të fundit, nuk mund të rri pa shprehur rezervat e mia, duke thënë haptas që nuk i preferoj. Kur shoh krijimtarinë letrare, sidomos poezitë, të shtrira në këto suplemente që dalin nga sqetullat joerëmira të politikës, se si më vjen dhe më jepet t’i qajë hallin. Thënë më troç: Përse poezia, kjo perlë e gjallë e shpirtit njerëzor, të ambalazhohet kështu me materie të trashë të politikës ditore shtrembane, ngjeshur bri më brinjë me lajmet çnjerëzore, kronikat e zeza, reklamat e prostitutave etj. Hirushja poezi duhet të ketë shtëpinë e vet dhe të mos pranojë të përdhoset, duke u shtrirë në strehëzat e suplementeve që ofron politika, duke dashur të realizojë pozën e artdashjes.




Shoqëria jonë a e ka humbur vemendjen ndaj letërsisë dhe a ndjeni dhimbje nëse është kështu?



Krahasuar me 12-15 vite më parë, shoqëria shqiptare mendoj se e ka pakësuar ndjeshëm vemendjen ndaj librit letrar, por dhe ndaj librave në përgjithësi. Për këtë s’është nevoja të përmendim statistika, mjafton të vërejmë raftet e librave në Tiranë dhe në rrethe. Atje shikon vepra të njohura të letërsisë botërore, deri edhe vepra të nobelistëve, që nusërojnë me vite para lexuesve indiferentë. Për mua ky fakt është trishtues dhe i pa shpjegueshëm vetëm me pamundësinë e blerjes për shkak të çmimeve të larta, siç kam dëgjuar të thuhet nga plot njerëz. Kostoja e librit për mendimin tim është dytësore apo tretësore. Primar është pasioni dhe interesi për të lexuar. Për të argumentuar këtë, le të kemi parasyshë që librat e mirë vetëm ndonjëherë e kalojnë tirazhin 1000-1500 kopje. Blerësit e parë të kësaj sasie kaq të vogël librash duhet të ishin intelektualët dhe nënpunësit e administratës shtetërore dhe private, që e kanë pagën mujore 40 mijë lekë e lart, pa llogaritur burimet e tjera të të ardhurave që mund të kenë ata. Pastaj sa mijra biznesmenë të mesëm dhe të mëdhenj gëzojnë një standart të konsiderueshëm apo të lartë jetese. Në qoftë se këta dhjetra mijë njerëz, në rastin më fatlum do të ishin libradashës, as trefishi i tirazhit të librave më të mirë nuk do të mjaftonte për të plotësuar kërkesat e tyre. Pra, nga kjo del që, në radhën e dhjetra mijë rrogëmëdhenjëve mjerisht shumë të paktë janë ato që i bëjnë hyzmetin mendjes dhe shpirtit, duke i ushqyer me libra të blerë gjatë vitit. O Zot falua biznesmenëve mëkatin e kënaqësisë që të jep shfletimi vetëm i parave, purifikoji ata duke ua ngjallur dëshirën të shfletojnë edhe romane, tregime dhe poezi.

Cilën literaturë lexoni më tepër në këtë periudhë?

Dihet që një krijuesi pjesën më të madhe të kohës ia merr leximi i literaturës artistike. Vitet e fundit unë i jam larguar këtij rregulli, duke u dhënë më tepër pas literaturës studimore, që i kushtohet lindjes dhe zhvillimeve të civilizimeve e religjioneve më të mëdha gjatë mijëvjeçarëve të historisë botërore. Këtë e kam bërë duke qenë i thirrur nga një vokacion i brendshëm, për të sqaruar më shumë vetveten si njeri e qytetar, lidhur me antagonizmat e reja që kanë lindur në botë, si rezultat ndoshta i boshtit që krijoi rrëzimin e sistemit komunist. Njeriu prandaj është njeri, që të dijë përsenë e ndodhjeve, që para hundes së tij e deri në fund të botës. Dhe çelësin magjik për t’iu futu të gjitha pseve dhe sfidave të jetës e ka libri, i cili ka qenë dhe është mbreti i informacionit dituror. Atë s’do të mund ta “shkurorëzojë” ose ta zbresë sado pak nga hierarkia e dijes as mjeti më magjik i teknologjisë moderne, që këtu e deri në të sosur të botës.

Sa e ka furnizuar filozofia juaj krijimtarinë tuaj poetike?

Mënyra si i përcepton botën dhe njeriun, mënyra se si vepron në mardhënie me ta, dhe mënyra se si shkruan, përbëjnë trinitetin e pandarë të një krijuesi të vërtetë, që sasinë e hekurit që duhet për të prodhuar katër gozhdët e Jezusit, i ka në përbërjen e gjakut të vet që nga lindja. Përsa i përket përgjigjes së pyetjes suaj, preferoj ta jap atë tërthoras, duke riprodhuar si në formë proze magmën e një poezie të botuar në librin tim të fundit: “Poetët jetojnë në qytetet e ideve, në lagjen e ndjenjave, në shtëpinë e fantazisë, në dhomën pa sende rreth e rrotull. Aty s’ka kuzhinë me erëra gjellësh, as WC, as tule grashë, të cilat me shikime të hedhin spec në shqisa”. Por, kohët e fundit edhe në këtë qytet, tregu i lirë ka filluar të hapë dyqane, dhe fisi i poetëve të zhduket si lëkurëkuqët e australisë nga dyndja e madhe e parexhinjëve. Parashikohet një lulëzim i paparë i kultit të përtypsit, një tkurrje e kobshme shpirtrash para Shën Veturës, një konsumim i paparë i letrës higjenike, dhe një stokllëk i madh hallesh popullore të mbetura pa zgjidhje. Parashikohet gjithashtu ardhja e një dite kur poeti, ky banor i lashtë i qytetit të ideve, si Mohikani i fundit, do të leçisë me vete shpëtimin tuaj, dhe mbajtjen tuaj nga vetja juaj, o njerëz! Ave Poezia gratia plena! i frymuar qoftë prej teje çdo njeri mbi dhe’! Amen!

Në përfytyrimin e shumëkujt, Lezha është një trevë e penave të spikatura poetike. A vazhdojnë të buisin talente të reja dhe a ka një klimë krijimtarie si dhjetë vite më parë?

Tridhjetë e dy vite më parë unë kam shënuar botimin e parë poetik në Lezhë. Pasi e zhvillova 13 vite krijimtarinë në Tiranë, po e vazhdoj sërish po në Lezhë, duke shpresuar se nuk do ta lë në këtë muzg të moshës. Shpesh më kaplon një mall i thekshëm për bohemën poetike të miqëve, me të cilët jam rritur e formuar në jetë e në krijimtari. Tani ata nuk i kam pranë. Më i afërti në jetën time, i talentuari Rudolf Marku, ka shumë vite që është larguar nga Lezha, dhe sot ndodhet i punësuar në Angli. Po kështu poeti i njohur Preç Zogaj është ngjitur në sferat e larta të metropolit shqiptar, duke qendruar ekuilibrisht mirë midis dy gravitacioneve, të poezisë dhe të politikës. Këtu, në Lezhë, e pati shpëthyer poezinë e vet më të arrirë dhe korçari i lezhjanizuar për disa vite Agim Isaku, i cili aktualisht ka hyrë nën sqetullën e politikës, ku muza poetike besoj se do të ketë droje t’i qaset. Gjithashtu vitet e fundit u larguan nga Lezha, por pa bërë divorc me të, edhe prozatori dhe studiuesi i njohur Tonin Çobani, prozatori dhe publicisti me përvojë Kujtim Dashi, si dhe ju Mark Simoni, si autori i librave mjaft origjinalë, që nga letërsia për fëmijë dhe deri tek proza e gjatë dhe brilante për të rritur.

Trevës së Lezhës ka vite që i mungon prania fizike dhe kulturore e autorëve mjaft të talentuar dhe të veçantë, që kanë dalë me librat e parë dhe të dytë si Pjetër Jaku, Elinda Marku, Viktor Vokrri, Edmond Kaçeli, Tonin Nikolli dhe plot të tjerë që meritojnë të përmenden e të kujtohen për vlerat e krijimtarisë së botuar. Të gjithë këta janë shpërndarë në dy kontinente. E bëra këtë panoramë për të dëshmuar se bahçes së poezisë në Lezhë i janë shkulur pemët më frutore, ndërsa pak filiza poetike që kanë mbirë përrreth, ende të njomë dhe fillestarë, nuk gëzojnë as minimumin e klimës që kërkohet për tua inkurajuar talentin. Thuhet se kur talenti qysh në nukël është i fuqishëm, shpërthen vetë, dhe nuk mund ta prishë rrethina e disfavorshme. Kam besim se Lezhën dhe trevën rreth saj, ku pati mbirë dhe poeti më i madh i Kombit, nuk do ta dënojë as Zoti dhe as Natyra me shterpësi poetike. Ashtu qoftë!

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas