Aktualitet

Çfarë ndryshimi do sjellë protesta sot?






               Publikuar në : 08:58 - 13/04/19 |
mapo.al

Opozita ka premtuar se 13 prilli do të sjellë një demonstratë kulmore, shoqëruar nga entuziazmi se këto lëvizje e kanë rritur ndjeshëm në sondazhe. Megjithatë, teksa zgjedhjet po afrohen, palët duket se kanë rënë në një ‘ekuilibër’ të ri, me opozitën që proteston dhe mazhorancën që ka nisur fushatën. Opozita do deklarojë qëndrimin për zgjedhjet dhe vjen me një skenografi të re.


Çfarë premtojnë ditët dhe javët në vazhdim? Flasin Alfred Lela, Denis Dyrnjaja dhe Ilir Kalemaj

 

Teksa kryedemokrati Lulzim Basha përcolli deri në portën e selisë Zëvendës.ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, mikun Matthew Palmer, më datë 9 prill, shteti, (qeveria), pikërisht në ato momente, për 3.5 minuta pushoi së funksionuari. Aeroporti i Rinasit ra nën komandën e 5 grabitësve të armatosur që ikën me 10 milionë euro në duar. Miku amerikan i kishte folur se qeveria është legjitime, opozita duhet të kthehet në institucione dhe se në një vend normal duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Fjalët e Bashës nuk kanë ndryshuar më shumë nga ato që shpesh ka përsëritur; vendi ka pasiguri nga grupet kriminale, korrupsionin, trafikun e drogës dhe përfshirjen e elitës drejtuese qeverisëse në shitblerjen e votave. Edhe nëse Palmer iku me dilema mbi vërtetësinë e pretendimeve të partive opozitare, me siguri ngjarjet në vijim, më se paku i kujtuan se vizitoi një vend jo fort normal. Mund të ishte momenti që krahas qeverisë, të merren seriozisht edhe kërkesat e opozitës, që sot është në rrugë të madhe. Ajo sot është e pambrojtur nga mandati i djegur i deputetëve, pa status të “veçantë”, por në tentativë për t’u shkrirë me masivitetin qytetar, ku këta të fundit kanë motive parësore edhe më shumë se vetë partitë opozitare për të protestuar. Vetë opozita pretendon se pikërisht lëvizjet e fundit, djegia e mandateve dhe dalja në rrugë i kanë shtuar ndjeshëm pikët nëpër sondazhe, çka e bën 13 prillin edhe më të rëndësishëm. Kjo rritje në sondazhe do reflektohet edhe në tubimin e sotëm.

Ndryshe nga herët e tjera, ajo që përbën risinë tashmë të njohur, është koha e zgjedhur për protestën. Ora 18:00 është pragu i muzgut dhe prej ditësh kanë nisur skenarë jo aq imagjinarë që mund të jetë një protestë që nuk do ketë rutinën e mëparshme. Edhe koreografia premtohet se do jetë ndryshe. A kanë shqiptarët arsye për të protestuar? Mund të jenë edhe më shumë se 1000 motive për të dalë në rrugë, por protestat e opozitës duket se kanë një ngërç që nuk po krijojnë frymë ndryshimi.

*
Nuk është vetëm kundërreagimi qeveritar, as propaganda si “armë shfarosëse” në duart e Ramës, por edhe një lloj pasigurie e vetë opozitës. Nëse djegia e mandateve ishte një akt që tërhoqi publik, gjithçka që vijoi më pas mbeti në skenarët e vjetër; denoncime edhe me fakte, deklarata, takime me ndërkombëtarë dhe rikthim në ritualitetin ditor. Pjesa tjetër e skenarit është skenografi me protestues, në disa raste të shumtë në numër, që bëjnë një xhiro shtyrje e kundërshtyrje me policinë, hedhjen e ndonjë tymueseje dhe pritjen e ndonjë “gazi lotsjellës” që në protestat e fundit policia për të mos “nxirë imazh” nuk po i përdor shumë. Detyra opozitare në një vend të paktën me disa shtylla kryesore të demokracisë është që të denoncojnë atë që qeveria e bën keq dhe të ofrojë alternativë ndryshe për të ardhmen. Media dhe opozita e kanë vënë shpesh qeverinë në vështirësi, por vetëm për tre a më pak ditë, pasi edhe pse janë publikuar afera mjaft të rënda që në normalitet politik, do kishin sjellë vetërënien e çdo qeverie. Megjithatë frika e madhe se protestat nuk sjellin ndryshim rri si një ‘hije’ mbi çdo lëvizje të mundshme duke e bërë edhe më të vështirë misionin opozitar. Atëherë si mund të dilet nga ky ngërç?

*
Zgjedhjet janë pak javë larg dhe opozita pritet të zbulojë edhe lëvizjen e radhës. Teksa PS vazhdon punën e saj për regjistrimin zyrtar në zgjedhje, demokratët nuk e kanë bërë lëvizjen e tyre, duke e lënë të hapur deri në momentin e fundit deklarimin për bojkot të mundshëm të votimeve. Protesta e 13 prillit do shërbejë që opozita të mbajë qëndrimin përfundimtar për zgjedhjet që do vijnë. Kryeministri duket i vendosur për të marshuar drejt kutive të votimit.

“Ne nuk jemi perfektë, i kemi bërë këto gjëra, por ata (opozita) janë më të këqij se ne”, kjo është fraza që Rama herë e pohon përciptas e herë e nënkupton, duke u “larë” nga çdo mëkat, që në fundin e saj, rëndon më së shumti qytetarët. Kryeministri është në mesin e mandatit të dytë dhe nuk ka më kujt t’ia lërë fajin për paudhësitë që ndodhin në zyrat e shtetit. Dikur, në mandatin e parë, bënte përgjegjëse aleaten LSI, ndërsa sot “përgjegjësinë” ia atribuon opozitës dhe medias.

Të imagjinohet rasti që opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale dhe Rama me vendosmëri i mban ato më 30 qershor. Përfundimi… Rama merr 61 bashkitë e vendit, të gjitha nën logon e PS-së, me Parlament de facto pa opozitarizëm brenda, drejtësi të re, por sërish me hijen e dyshimeve dhe një President që mund të tërhiqej… A do ishte kjo fitore e madhe e të gjithave edhe humbja e tij? Edhe ky skenar kërkon kohë për të ndodhur. Për më shumë, kurrsesi nuk do i jepte merita opozitës, si një forcë e “re” alternative, madje mund të rrezikonte që edhe ajo vetë të prekej nga rrënojat e qeverisë së rënë. Tashmë opozita duhet të gjejë dhe të bëjë reale një fabul, aq sa të bindë qytetarët të dalin vetë në protestë dhe t’i bashkohen organizimit të saj. Ky do ishte ai elektorat gri që kërkon më shumë se një motiv për t’iu bashkangjitur një force opozitare. Është po ky elektorat që nuk ka nevojë për thirrjen me “bilbil” nga organizatorët partiakë dhe janë aq të vendosur sa nuk mund të ketë gaz lotsjellës që i tërheq… Një nga aktet e para që bëri në kryeministri e ekzaltuar në zyrat e kryeministrisë në vitin 2013 ishte heqja e kangjellave të çelikta nga oborri rrethues. Sot do jetë penduar dhe gradualisht ka nisur rivendosjen. A do jetë e sotmja faqja e parë e një fabule të re? Kjo mbetet për t’u parë, por diçka pritet të ndryshojë për opozitën që është në sprovën e madhe, këtë herë edhe me veten, jo vetëm përballë qeverisë.

Alfred Lela, analist, drejtor i Politiko.al

“Opozita mund ‘të marrë’ Kuvendin dhe të shpallë një ‘Parlament’ paralel”

Protesta e opozitës pati frymë dhe relativisht masivitet pas djegies së mandateve të deputetëve, ndërsa parashikimet ishin se kjo situatë do të detyronte qeverinë të shkonte deri në zgjedhje të parakohshme. A ka rënë ky parashikim, deri ku mund të shkohet me protesta?

Mendoj se kërkesa e opozitës nuk janë ‘zgjedhjet e parakohshme’ si të tilla, por ‘qeveria tranzitore’ si instrument domosdoshmërie që e përcjell vendin në mënyrë të shëndetshme dhe të besueshme drejt zgjedhjeve. Nuk mendoj se qeveria, dhe as ajo pjesë e opinionit që e mbështet duhet ‘trembur’ nga togfjalëshi ‘zgjedhje të parakohshme’. I duhet mëshuar më shumë ‘zgjedhjeve’ të cilat duhet të jenë të lira, të ndershme, të hapura dhe me garë të alternativave, kandidatëve, siglave, rekordeve personale dhe kolektive, apo dhe trashëgimive. Zgjedhjet mund të ndodhin edhe një vit prej tani, dhe një kohë e tillë është e nevojshme në fakt për të konkretizuar një programacion kombëtar të zgjedhjeve. Ideja nuk duhet të jetë për t’i dhënë fund pushtetit të Edi Ramës, por për të penguar çdo pushtet (qoftë ky i Bashës apo Veliajt), që mund të dalë prej shtrembërimit dhe infiltrimit të vlerave monetare dhe jovlerave njerëzore në sistemin politik. Kjo formulë e bën nevojën e zgjedhjeve të pakohë apo të gjithkohshme. Edhe qeverisë i duhen ‘zgjedhjet e parakohshme’, qoftë edhe për t’u takuar me veten apo me vetëbesimin e propagandës ‘ne i fitojmë zgjedhjet’. Kjo fitore ama duhet arritur në kushte të barabarta.

Qeveria vijon të jetë të paktën publikisht “indiferente” ndaj kërkesave të opozitës dhe këmbëngul se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. A mendoni se PD dhe partitë e tjera opozitare do të futen në zgjedhje? Nëse jo, a mund të konsiderohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës?

Indiferenca e qeverisë, ndërkohë që duket si guxim dhe mosinteresim, është në fakt një shkelje e re në serinë e gabimeve të vjetra që shndërrohen në faje dhe shlyhen nga publiku, taksapaguesit, qytetarët. Z. Rama ka qenë indiferent edhe pranverën e 2017, dhe më pas, në cajtnot, u kthye me ngut nga Elbasani për t’u ulur me krerët e partive opozitare. Indiferenca është vetëm maska e së rrejshmes në portretin e lodhur të një qeverie së cilës opozita po i bën nder duke e shtyrë drejt zgjedhjeve. PS apo Rilindja, kanë mundësinë e një rishpikjeje tani, që u jep një shans për një rikthim në pushtet nën idenë e vetëpastrimit. Nëse e zgjasin këtë agoni të tyren, keq për vendin dhe më keq për ta. Imagjinoni për një çast një Shqipëri me 61 bashki të PS, parlamentin ku oponencën ‘e luajnë’ të gjithë hanxhinjtë e lavdisë dritëshkurtër që vetëquhen ‘opozitë e re’, apo dhe një tërheqje të presidentit Meta. Çfarë roli do të luanin ‘indiferentët’ atëherë?! Opozita nuk mund të futet në zgjedhjet e 30 qershorit dhe njëkohësisht të ketë ato kërkesa që ka tani. Ajo i ka djegur të gjitha mundësitë për zgjidhje të pjesshme kur ka kërkuar një zgjidhje totale. Të kërkosh zgjedhje të ndershme të garantuara nga një qeveri tranzitore dhe të hysh në zgjedhje me të njëjtën qeveri që e konsideron si ‘mama’ dhe ‘mami’ të zgjedhjeve të vjedhura është, në më të paktën, inkoherencë politike.

Të shtunën opozita ka parashikuar protestë masive para Kryeministrisë, ndërsa skenarët deri tani të protestave kanë qenë të ngjashme; disi incidente të vogla, por pa akte dhune. A mendoni se kjo formë proteste duhet të ndryshojë. Çfarë mendoni se do të ndodhë?

Skenografia e protestave të opozitës nuk ka qenë e njëjta dhe ky element i bën mirë imazhit opozitar, sepse politika është imazh sa edhe thelb. Ka patur ‘lëvizje’ në repertorin e protestave dhe kjo është gjë e mirë. Ama duhet vazhduar me ‘lëvizjet’. Poshtë njëtrajtshmëria! Kohët dhe njerëzit janë likuidë, të lëvizshëm, në kërkim të një habie dhe emocioni tjetër, dhe opozita duhet me iu përgjigj kësaj antropologjie psiko-emocionale. ‘Sit in’, për shembull, është një formë shumë e suksesshme në Perëndim. Opozita mund ‘të marrë’ Kuvendin ose Kryesinë e Kuvendit dhe prej aty të shpallë një ‘parlament paralel’. Aty mund të mbahen fjalime, të ftohet publiku, të dëgjohen apo këndohen këngë patriotike, e me radhë. Duke thënë se parlamenti ka rënë dhe se deputetët e opozitës janë bashkuar me popullin, një formë e tillë proteste, një ‘sit in’, kthen agorën apo kuvendin e publikut. Kjo është vetëm një ide. Repertori i protestave ka qindra të tilla. Duke mbajt gjithmonë në sy dhe mendje një gjë: jo dhunë. Shumë simbolikë dhe zero violencë!

 

Denis Dyrjanja, gazetar, drejtues i “Top Talk”

“Djegia e mandateve, autogol për opozitën; autori dihet, por nuk thuhet”

Protesta e opozitës pati frymë dhe relativisht masivitet pas djegies së mandateve të deputetëve, ndërsa parashikimet ishin se kjo situatë do të detyronte qeverinë të shkonte deri në zgjedhje të parakohshme. A ka rënë ky parashikim, deri ku mund të shkohet me protesta?

Opozita në të gjithë aksionin e saj politik që shënjoi si kulm dorëzimin e mandateve të përfaqësimit parlamentar u tradhtua nga dy fajtorë kryesorë dhe madhorë për rezultatin e dëshiruar të saj; rrëzimin e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama. Së pari, u tradhtua nga faktori ndërkombëtar që në mënyrë unanime i doli kundër të gjithë aksionit opozitar, pavarësisht toneve për të theksuar të drejtën legjitime të opozitës për të protestuar dhe së dyti, kjo opozitë nuk u mbështet nga elektorati gri, që aktualisht është shumicë në Shqipëri. Kjo do të thotë që opozita nuk prodhoi frymë dhe se liderdshipi i saj nuk krijon besim në publik. Kjo lidhet me të shkuarën dhe mënyrën sesi individët që e përfaqësojnë sot opozitën janë sjellë dhe qasur ndaj pushtetit. Masiviteti në protesta sporadike është tregues subjektiv në një mënyrë, pra nuk prezanton domethënien reale të votës, por një perceptim të saj, ose është tregues objektiv se strukturat partiake të të dy partive kryesore arrijnë të mbledhin militantët në ditët dhe datat e caktuara për protesta. Kjo do të thotë se opozita po krijon më shumë një vetësugjestionim të krizës politike dhe të mbështetjes popullore sesa një realitet faktik. Populli i pakënaqur del pa komandë në shesh, opozita thjesht i bashkëngjitet nëse ai e pranon. Studentët e refuzuan opozitën kur ajo tentoi t’i bashkëngjitej. Ky është një tregues domethënës, përkundër asaj që opozita propagandon dhe ky nuk është një mëkat i saj gjithsesi. Realiteti po tregon se populli mund të ketë dhe ka pakënaqësi pafund ndaj abuzimeve, skandaleve, korrupsionit, arrogancës apo prepotencës së kësaj qeverie, por opozita nuk i ka krijuar elektoratit të pavendosur bindjen se ajo është alternativa e duhur.

Qeveria vijon të jetë të paktën publikisht “indiferente” ndaj kërkesave të opozitës dhe këmbëngul se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. A mendoni se PD dhe partitë e tjera opozitare do të futen në zgjedhje? Nëse jo, a mund të konsiderohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës?
Shumica e shqiptarëve të lodhur nga demagogjia politike dhe një tranzicion i gjatë dhe i vuajtshëm besojnë se qëllimi është rotacioni i pushtetit, jo ndryshimi i konceptit të përdorimit të pushtetit dhe shtetit. Ndaj protestat e opozitës nuk po e shqetësojnë Ramën sepse ato janë numrat e militantëve dhe Rama beson se betejën me militantë e fiton ai. Ndërsa betejën me popullin pa parti nuk e kanë humbur që të gjithë. Establishmenti është zgjatje e agonisë politike dhe e tranzicionit postdiktatorial. Opozita duhet të kuptojë se strategjia e saj e ekstremit politik nuk i solli produktin e shumëpritur. Sensibilizimi ndërkombëtar ndodhi por jo në mbështetje të opozitës, por në mbështetjeje të qeverisë. Ky ishte një autogol politik i opozitës, autori i së cilit dihet por nuk thuhet!

Të shtunën opozita ka parashikuar protestë masive para Kryeministrisë, ndërsa skenarët deri tani të protestave kanë qenë të ngjashme; disi incidente të vogla, por pa akte dhune. A mendoni se kjo formë proteste duhet të ndryshojë. Çfarë mendoni se do të ndodhë?

Është në të drejtën e saj të krijojë klimën për rrëzimin e qeverisë, që nga dita e parë që humbet pushtetin dhe del në minorancë. Në këtë rast ky është një postulat i vjetër sa dhe vetë demokracia si sistem. Çështja qëndron te realitetet sesi palët e shohin këtë reaksion politik. Pyetja parimore është përse opozita e ka ndërmarrë këtë aksion politik që kulmoi me dorëheqjen nga mandatet e përfaqësimit legjislativ?!

Ilir Kalemaj, analist, politilog

“Opozita duhet të vijojë, protestat paqësore tërheqin elektoratin gri”

Protesta e opozitës pati frymë dhe relativisht masivitet pas djegies së mandateve të deputetëve, ndërsa parashikimet ishin se kjo situatë do të detyronte qeverinë të shkonte deri në zgjedhje të parakohshme. A ka rënë ky parashikim, deri ku mund të shkohet me protesta?

Barra e përgjegjësisë në këtë rast i takon qeverisë dhe është ende e pashpjegueshme se pse mazhoranca ngurron të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, një praktikë kjo që është ndjekur pa përjashtim nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në të kaluarën e afërt. Aq më tepër që partia socialiste këmbëngul që sondazhet e brendshme dhe të jashtme e nxjerrin qartazi fituese të zgjedhjeve të përgjithshme nëse do bëheshin sot. Në këtë kontekst, arroganca është e pashpjegueshme. Ndoshta për të ruajtur deri në fund efektin surprizë të veprimit politik, ose të kapurit gafil të opozitës, siç do i pëlqente kryeshahistit Rama.

Qeveria vijon të jetë të paktën publikisht “indiferente” ndaj kërkesave të opozitës dhe këmbëngul se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. A mendoni se PD dhe partitë e tjera opozitare do të futen në zgjedhje? Nëse jo, a mund të konsiderohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës?

Loja e fjalëve që shpesh bën qeveria duke lënë të nënkuptohet se Rama është negociatori absolut i palës tjetër dhe ai nuk mund të dorëhiqet, është një alogjizëm në rastin më të mirë, pasi opozita nuk po kërkon dorëheqjen e Ramës si kryetar i PS-së dhe lider i mazhorancës, por dorëheqjen e tij nga timoni pasi është kapur në “gjendje të dehur” ose po e nget makinën në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor. Si mundet t’i besosh një qeverie të drejtuar nga një kryetimonier që është i përqendruar totalisht te fasada dhe propaganda dhe thuajse aspak te mijëra problemet dhe sfidat me të cilat po haset vendi aktualisht. Korrupsioni sistemik dhe politik i thelluar nga viti në vit sipas Transparency International, Shqipëria si vend tranzit i drogërave të forta sipas Departamentit të Shtetit, pyjet që po shkretohen dita-ditës për t’i hapur vend kultivimit të narkotikëve sepse kushtet atmosferike krahasuar me vjet nuk është se kanë ndryshuar drastikisht që të justifikojnë këto akte kriminale, siguria e rënë përtokë me ngjarjen e Rinasit si qershia mbi tortë. Këto probleme e bëjnë akoma më të pabesueshëm lënien në dorë të kryetimonierit përdorimin e administratës publike në zgjedhje, burimet financiare dhe kontrollin mbi “bajronët” lokalë.

Opozita është shprehur qartë për kushtin e dorëheqjes së Ramës si shef i ekzekutivit dhe pasjen e një qeverie kalimtare për të përgatitur infrastrukturën zgjedhore për zgjedhjet lokale që këto të fundit të kenë një rezultat të besueshëm dhe të pakontestueshëm dhe më e rëndësishmja për gatitjen e reformës së re elektorale e cila duhet të ndryshojë në mënyrë integrale. Qoftë për sa i përket sistemit të ri zgjedhor, qoftë dhe për një hartë të re territoriale e cila do të përfaqësojë në mënyrë adekuate parimet e përqendrimit të popullsisë, lidhje eko-sociale dhe kulturore të zonave të ndryshme etj., dhe mos të jetë një hartë e mirëfilltë elektorale si deri tani, e konceptuar njëanshmërisht nga mazhoranca në fuqi.

Të shtunën opozita ka parashikuar protestë masive para kryeministrisë, ndërsa skenarët deri tani të protestave kanë qenë të ngjashme; disi incidente të vogla, por pa akte dhune.

A mendoni se kjo formë proteste duhet të ndryshojë. Çfarë mendoni se do të ndodhë të shtunën?

Mendoj se formati i deritanishëm, i protestave masive dhe paqësore, është e vetmja rrugë për të fituar mbështetje nga elektorati “gri” dhe simpati nga faktori ndërkombëtar. E kombinuar me mbështetje në terren të protestave të grupeve të interesit, nga banorët e shpronësuar dhunshëm deri te fermerët e abuzuar, është një mjet i fortë presioni për veshë që duan të dëgjojnë. Qeveria e përhumbur në gjumin trallisës si mbas vakti, ka nevojë për një trandje të fortë për ta sjellë në binarët e përgjegjshmërisë dhe transparencës, llogaridhënies dhe kuptueshmërisë së fatit të mbramë të situatës në vend. Paralajmërimi i formave të tjera të mosbindjes civile si akt përshkallëzues, duhet të merret vetëm pas një strategjie të mirëmenduar që të synojë kufizimin e dëmit nga keqqeverisja, bllokimin e akteve arbitrare në një shtet pa sundim të mirëfilltë ligji dhe në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

/GAZETA MAPO


Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas