Prej ditësh po spekulohet shumë për kryeministrin Edi Rama dhe vendndodhjen e tij. Kjo situatë paqartësie ka bërë që rrjeti dhe disa portale të mos përmbahen.
Fillimisht u tha se Edi Rama ka pësuar parainfarkt. Këtë deklaratë e bëri një deputet i PD. Kurse Rama, që nuk para reagon ndaj ndonjë deputeti, tha se ishte në studion e Adit, mikut të tij, madje postoi edhe një foto nga një skulpturë që kishte bërë.
Paqartësia vazhdoi të shtohej pasi u mësua se Edi Rama nuk do ishte në Tiranë të enjten, kur do protestohej para Kuvendit. Sërish kjo situatë bëri që të kishte lajme të pakonfirmuara për shëndetin e Ramës. Dikush ironizoi se duhet të dimë edhe nëse Rama sëmuret, pasi edhe ai është njeri si të tjerët.
Kryeministria nxitoi dhe bëri një sqarim.
“Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në Kuvend këtë të enjte. Kreu i qeverisë prej ditës së djeshme ka qenë në Paris, ndërsa sot ai gjendet në Berlin. Rama po zhvillon takime me fokus rrugën e vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku në muajin qershor pritet të lexohet progres raporti i bërë. Kryeministri do të kthehet sonte në Shqipëri,” sqaroi më në fund kryeministria.
Por se për çfarë takimesh bëhet fjalë, sërish heshtje dhe paqartësi. Në faqet e homologëve të tij në Paris e Berlin nuk ka ndonjë të dhënë nëse prisnin kryeministrin shqiptar.