Nëse çdo gjë do shkonte sipas afateve, institucioni i parë i rëndësishëm që do kishte prodhuar reforma në drejtësi në Shqipëri, do ishte Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Nën frymën e Kushtetutës, ky organ duhej të kishte nisur punën që në qershor të vitit 2017. E megjithatë, Shqipëria nuk e ka akoma një institucion të tillë. Për shkak të mosfunksionimit të ILD-së, dhjetëra ankesa qytetarësh janë arkivuar për shkak se nuk ka kush t’i trajtojë.
Fjala bie, nëse do të funksiononte ILD-ja, do të ishte shqyrtuar ankesa ndaj 3 gjyqtarëve që hoqën vendimin e burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin, apo ankesat e opozitës për prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, zonjën Arta Marku.
Të shtunën, këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi në mbledhjen e radhës të lejojë kandidimin e Eris Hysit si kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë dhe të ndalojë kandidimin e Klodian Rados për këtë post. Burime pranë KED pohuan që zoti Rado nuk plotësonte kriterin e 15-vjetëshit të punës. Me këtë vendim duket se rrezikohet gara për ILD.
Nëse ky vendim për kandidatin Klodian Rado ngelet në fuqi, pas një kundërshtimi të mundshëm në gjykatë, atëherë pozicioni për Inspektor të Lartë të Drejtësisë mund të përsëritet për konkurrim nga KED.
Ligji parashikon që në konkurrimin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë duhet të jenë 5 kandidatë.
Ata duhet të plotësojnë detyrimisht kriteret e 15 vjet përvojë pune në profesion, integritet të lartë moral e profesional, nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratë, ose nëpër parti politike 10 vitet e fundit.
Kandidatët për inspektorë të lartë të drejtësisë duhet po ashtu të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës, të mos jenë dënuar nga drejtësia për vepra penale dhe as të jenë pushuar më parë nga puna për shkaqe disiplinore.
Por dy prej emrave në garë për Inspektoratin e Lartë janë të atakuar publikisht. Artur Metani u akuzua nga Partia Demokratike të shtunën. Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se kandidatura e Metanit bie në kundërshtim me ligjin.
“Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012. Në këto kushte kualifikimi i Artur Metanit nga KED si një nga kandidatët kryesorë për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin në fjalë.
Por KED, siç e dimë tashmë, drejtohet nga dyshja besnike e Edi Ramës Dvorani – Arta Marku. Ata janë të gatshëm të bëjnë gjithshka për të plotësuar urdhrat e shefit të tyre Kryeministër, misioni i të cilit është të kapë çdo qelizë të organeve të reja të drejtësisë.
Metani aktualisht mban postin Avokat të Shtetit, i emëruar këtu direkt nga Kryeministri Rama. Ai është gjithashtu edhe vëllai i deputetes dhe ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni. E pra në këto vende Edi Rama nuk cakton pa dhënë prova të forta besnikërie,” tha Çlirim Gjata.
Një tjetër kandidat, Artur Malaj, është akoma në proces vetingu. Rasti i gjyqtarit Malaj, i cili lufton njëherazi kundër shkarkimit në KPA dhe në kërkim të promovimit nga KED reflekton kontradiktën e proceseve në kundërkohë që po zhvillohen aktualisht në kuadër të reformës në drejtësi.
Çfarë do të ndodhte nëse Malaj fiton këtë detyrë, por shkarkohet nga vetingu? Kjo do e bënte qesharak procesin. Vetë kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani tha për BIRN se kjo nuk do i bënte nder procesit.
Tashmë duhet pritur e hëna për të parë se si do të procedohet në këtë drejtim.
Burime të besueshme e zyrtare i thanë Zërit të Amerikës se KED pritet të mblidhet të hënën për të vendosur nëse do të vijojë këtë garë me kandidatët e mbetur apo nëse duhet të rihapë garën nga e para.
Nëse gara do të rihapet sërish, kjo do ta shtynte me disa muaj të gjithë procesin, duke lënë bosh ngritjen e njërit prej institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë.