Kronika

Çfarë po ndodh me zjarret, apeli rritet, helikopterët nuk duken








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:48 - 03/08/20 |
mapo.al

Janë disa vatra zjarri që prej ditësh po kafshojnë malet në disa pjesë të vendit. Po janë disa zona, ku nuk ka asnjë shenjë ndërhyrjeje nga autoritetet. Përshembull po bëhen javë që flakët kanë rrethuar Kakarriqin në Lezhë, më tej Majën e Zeze dhe kanë mbërritur deri në Rrjoll, në Velipojë.


Gazetari i njohur, Marash Mirashi ka bërë një apel të fortë në faqen e tij në Facebook.


“Pamje apokaliptike mbi malin e Kakarriqit, mes Lezhes dhe Shkodres. Ky mal përbën një nga ekosistemet më të rëndësishëm të veriperendimit të Shqiperise. Veç të tjerave, Mali i Kakarriqit si pasuri kombetare, është habitati i sherebeles së egër, më të mirë në bote, salvia officinalis! Ka një muaj qe Mali vazhdon e digjet! Si nje gazetar që eksploroj Shqipërinë prej 30 vjetesh, kam vetem një thirrje: dergoni dy apo tre helikoptere , sa nuk është vonë! Jam gati të vij me ju! SOS!”, thotë Mirashi.


Po ashtu, me ditë të tëra vijojnë zjarret në Malësitë e Rubikut dhe Mirditës. Edhe atje nuk duket të ketë shenja për ndërhyrje të zjarrfikësve apo emergjencave civile, dhe asgjë nga ajri. Dom Gjergj Meta shkruan sot:


“Ndjehet dhembje e madhe përballë një pylli që digjet, sidomos kur imagjinon që aty ka kafshë, bimësi, jetë të shumllojshme që merr fund. Dëmtohet ekosistemi, dëmtohet cilësia e jetës, dëmtohen bizneset dhe turizmi. Dhimbja më e madhe është se ndjehesh i pafuqishëm të bësh diçka.

Ndërsa ndjen dhembje, ajo përzjehet me zemërimin që shkakton ideja se ekziston një qënie njerëzore që e ka vënë zjarrin qëllimisht. Ai/ajo nuk janë as më shumë as më pak se sa vrasës me pagesë, të frikshëm dhe jetojnë mes nesh çdo ditë.

Ata, apo kush i ka paguar e shtyrë, janë të aftë të djegin gjithçka, edhe njerëz.

Shkakton zemërim indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Gjithçka për politikën, por jo për natyrën e cila po digjet.

Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjt këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujrat që devijuam, me mijra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambjentit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere.

Në këto raste nuk ka nevojë të lëshojë njeri mallkim, sepse mallkimi është vetë natyra e djegur. Ajo klith, bërtet dhe gjëmon e ne frymorët arsyetorë do ta paguajmë shtrenjt”, shkruan Ipeshkvi i Mirditës.

 


Etiketa: , , , ,

Pas