Opozita po përgatitet për protestën e 16 shkurtit, ndërkohë që lideri i saj, Lulzim Basha ka bërë një zotim se nuk do ketë marrëveshje tjetër me Edi Ramën. Demokratët duket se janë të vendosur në qëndrimin e tyre se kjo mazhorancë dhe ky kryeministër nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo frymë po forcohet edhe pas publikimit të një investigimi nga Zëri i Amerikës për manipulimet zgjedhore. Nga ana tjetër janë ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që opozita të marrë pjesë në punimet për reformën zgjedhore.
Atyre, kreu demokrat Lulzim Basha u ka kthyer përgjigje nga Vora, duke thënë se nuk është më problemi tek ndryshimet në ligjin zgjedhor.
“Më thonë “mirato Kodin Elektoral. I them, “miq të dashur, ua kam thënë dhe anglisht, po ua përsëris edhe në shqip, ç’ punë keni me kodin? Po të zbatohet Kodi Elektoral siç është dhe Kodi Penal siç është sot, Vangjush Dako, Tahiri, Balla, Damian Gjiknuri dhe vetë Edi Rama do të ishin para drejtësisë dhe pas hekurave. Nuk është punë kodi dhe letrash, por është çështje zbatimi ligji. Ligji nuk zbatohet se prokuroria është mall i Edi Ramës. Mashë e krimit në rrugë dhe krimit në qeveri”, tha Basha.
Në Vorë, kryetari demokrat u takua me përfaqësues të biznesit të vogël, të cilët i njohu me lehtësirat që parashikon për ta programi ekonomik i demokratëve, ndërsa i ftoi t’i bashkohen më 16 shkurt.
“Rama bredh nga Berlini tek sheikët e Arabisë Saudite dhe kthehet për të nxjerrë gjuhën në Parlament. Më 16 shkurt nuk do të ketë fjalime, zëri i vetëm që do të dëgjohet është zëri juaj”, tha Basha.