Ka një tipar të politikës shqiptare, i cili e dallon atë nga zhvillimi i një politike normale parazgjedhore. Është fjala për heshtjen e aleancave politike. Edhe pse ky kod elektoral favorizon aleancat parazgjedhore, sidomos për partitë e vogla apo ato të spektrit të mesëm siç është Lëvizja Socialiste për Integrim, ka një tendencë për të mos u shprehur deri në çastet e fundit të mandateve qeveritare.
Kjo tregon më së miri se aleancat politike në vendin tonë nuk janë as parimore dhe as në bazë të një programi të përbashkët. Fakti që bindjet apo ideologjitë politike të të gjitha partive politike shqiptare nuk ndryshojnë aspak ose pak nuk e justifikon këtë sjellje që tashmë është kthyer në një zakon që duhet të marrë fund njëherë e mirë.
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë se për çfarë dhe me kë do të garojnë partitë që përfaqësojnë interesat e tyre. Kanë të drejtë të dinë se në bazë të cila parimeve apo programi zhvillohen aleancat politike. Në të kundërt, loja e demokracisë në qytet kthehet në një aferë pazaresh dhe marrëveshjesh të errëta që dëmtojnë interesin e tyre dhe zhvillimin e një gare demokratike transparente.
Askush nuk e di se më kë do të bëjë aleancë Lëvizja Libra, apo Sfida për Shqipërinë. Duket qartë se heshtja e tyre është një strategji, e cila bazohet te retorika e këtyre dy lëvizjeve të reja që kriticizmin 360 gradë për të gjithë klasën politike shqiptare e kanë të vetmin program elektoral të shpallur deri më tani. Por, nëse do të kthehemi te real politika, edhe këto lëvizje kanë nevojë për aleancat e tyre nëse duan vërtet të tentojnë pushtetin. Dhe me të drejtë! Çdo parti politike nëse nuk ka për synim pushtetin atëherë ngelet në nivelin e një lëvizjeje shoqërore dhe jo të një partie politike siç janë tashmë këto dy lëvizje.
Ajo që përbën interes në të gjithë skakieren e aleancave politike është padyshim LSI, e cila duke qenë në pozicionin e saj komod në përcaktimin e mazhorancave vitet e fundit në Shqipëri, shpeshherë luan me kartën e misterit, duke u bërë kështu më joshëse dhe tërheqëse nga dy partitë e mëdha dhe njëkohësisht duke rritur forcën kontraktuale të saj. Mirëpo, në interesin publik nuk është forca e një partie që rritet nëpërmjet marrëveshjeve dhe kontekstit pervers politik që krijon ky sistem zgjedhor dhe politik, por transparenca e parimeve dhe bindjeve që bashkon qytetarët dhe partitë që i përfaqësojnë ata.
Edhe kësaj here, Lëvizja Socialiste për Integrim ka një hezitim për shpalljen e aleancave të saj politike edhe pse ftesa zyrtare i ka ardhur disa herë nga aleati i saj më i madh dhe natyral qeveritar. Jemi në një situatë ku palët janë duket matur forcat dhe duke fituar sa më shumë terren në tavolinën e marrëveshjeve të partive politike që do të paraprijnë fushatën zgjedhore. Një fushatë e cila nuk duhet kurrsesi të përgatitet në kaosin që krijojnë hezitime të tilla politike të cilat shkaktojnë shpeshherë ankthe dhe tensione shoqërore të panevojshme në këto momente kritike në të cilat ndodhet vendi.
Ka disa procese të hapura të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë siç janë, zbatimi i Reformës në Drejtësi apo hapja e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, të cilat kanë nevojë për vullnet politik të qartë dhe të vazhdueshëm. Këto procese jo vetëm që kanë nevojë për aleanca të qarta politike por, edhe për një pakt të përbashkët të të gjithë spektrit politik shqiptar. Andaj, në të mirë të interesit publik dhe vetë Lëvizjes Socialiste për Integrim duhen bërë të qarta që tani aleancat politike dhe misionet që ato do të përfaqësojnë. Kësaj here Lëvizja Socialiste për Integrim duket se s’ka shumë zgjidhje. Duhet të ndjekë interesin e qytetarëve dhe vazhdimësinë politike të saj natyrale. Atë të së majtës, që me sa duket ka përgjegjësinë të çojë përpara të gjitha sfidat që presin vendin./Mapo.al/