Aktualitet

Çfarë strategjie u duhet Lulzim Bashës dhe Ditmir Bushatit






               Publikuar në : 10:00 - 02/09/19 |
Nga Enton Palushi

Nga Enton Palushi


Pasi iu kundërvu një prej ideve më toksike që ka përkrahur ndonjë qeveri shqiptare, asaj për ndarjen e Kosovës, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati u bë i pari zyrtar i lartë socialist që kritikoi ashpër ambientin toksik ku e ka zhytur vendin dhe Partinë Socialiste, kryeministri Edi Rama. E bëri këtë gjë nga Shkodra, aty ku përzierja e krimit me politikën ka krijuar një ambient aq acid, sa socialistët nuk janë në gjendje të fitojnë edhe kur garojnë vetëm.

Pavarësisht se të gjithë e dimë se sa e vështirë është t’i kundërvihesh pushtetit në Shqipëri, sidomos këtij pushteti që sa më shumë forcohet, aq më pak i reduktohen zërat kundër, pati prej atyre që e kritikuan në vend që të vlerësonin aktin e tij kurajoz.

Asnjë prej kritikave nuk e zbeh faktin se ky është një veprim që i bën mirë vendit dhe demokracisë. Por një nga kritikat më të çuditshme që i bëhen atij, lidhet me faktin se ai dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha nuk e kanë një strategji kur denoncojnë lidhjen e krimit me politikën. Si gjithmonë në këto  raste, zgjohen shqisat e kryeministrit që thotë se ka ndërmend të propozojë një amendim te ligji i dekriminalizimit. Sa për saktësim, opozita shqiptare ka propozuar një ligj shumë të ashpër dekriminalizimi si një nevojë jetike përballë faktit që kryeministri po e zhyste politiken në qelbin e krimit.

E gjitha kjo të kujton deklaratat e një ish-ambasadori të një vendi të BE në Tiranë, një diplomat që i entuziazmonte njerëzit me komentet e tij. I neveritur nga ligjet e shumta, amendimet, projektet, strategjitë, platformat, OJQ-të, portalet, që synonin luftën ndaj korrupsionit, ai tha se në vendin e tij kanë një strategji shumë të thjeshtë: nëse doni të luftoni korrupsionin, mos bëni korrupsion. E qartë si drita e diellit. Nëse doni të luftoni krimin në politikë, mos e fusni në politikë. Të paktën mos na fyeni inteligjencën. Nëse flisni për strategji, do i çoni ujë në kanalin e tij një kryeministri të njohur për shfaqje e propagandë. Po ia ngrini topin që të na ‘zhysë’ ndonjë projekt antikrim. Nuk është çudi që të nisë brenda pak ditësh ndonjë portal denoncimesh ShqipëriaLuftonKrimin.al dhe të na dalë çdo dy ditë kryeministri me disa koordinatorë dhe ndonjë fakir denoncues në ekran.

Nëse nuk e besoni, shihni se ia ka nisur që tani propagandës. A nuk po kërkon gra për të luftuar korrupsionin në Shkodër, ndërkohë që dy njerëzit më të pushtetshëm në këtë qytet i ka të denoncuar që nga Uashingtoni e deri te mediat e Brukselit. Nëse vërtet e besoni, na e gjeni një rast kur gratë ministre apo deputete në qeverisjen e tij kanë pasur pushtet real. Apo doni të besoni se gjithë këto molla të kalbura po i kalojnë nën hundë njeriut që përveç ligjit të ashpër të dekriminalizimit, ka nën kontroll çdo pushtet e mjet ligjor për të verifikuar njerëzit që kandidon. A nuk ishte ai njeriu që brenda disa orësh vendosi për autenticitetin e një videopërgjimi për vëllanë e një ish-ministri të tij? Apo sa shpejt vendosi për pastërtinë e Saimir Tahirit?

Ndaj nuk ka pse hiqet si kryeministri i Kinës apo Indisë, që i ka dalë jashtë kontrollit ndonjë provincë, sepse drejton një fshat ku siç e pranon vetë, edhe taksistët e dinë më mirë se si po shkojnë gjërat. Një vendth ku krimin e organizuar dhe korrupsionin sinjifikativ ia shohin që nga Uashingtoni te njerëzit që mban në krahun e djathtë. Vetëm ai nuk sheh gjë, por na propozon strategji për të dalë nga llumi ku na ka zhytur. Ka vetëm një strategji që mund të bashkojë Bashën, Bushatin dhe çdo njeri racional që ia do të mirën vendit dhe PS-së. Edhe ajo është e thjeshtë: të largohet ky kryeministër me gjithë llumin që e ndjek nga pas.

Për të gjithë ata që nuk e kuptojnë akoma se në çfarë moçali të krimit – siç shkruan gazeta Bild- jemi zhytur, koha do e tregojë. Po të paktën për momentin duhet të duartrokasim ata pak njerëz që po ngrenë kokën dhe zërin në këto ditë të errëta.

 


Etiketa: , , , ,

Pas