Sot janë dëgjuar dëshmi të reja kundër Bashës, në atë që mesa duket është një fushatë e organizuar mirë, e gjërë, e bollshme dhe e pasur sidomos me fantazi.
Sot një ish-komandant lufte në UÇK, paskësh thënë se Lulzim Basha i maskuar dhe i veshur tebdil, vetë me dorën e tij e ka arrestuar, dhe ky e ka njohur fort mirë, pasi i ka dalluar vetullën.
Duhet thënë se kur punonte në UNMIK, Basha nuk ka qënë një figurë publike. Nuk ka qënë pra aq i njohur, sa dikush t’i pikasë kaq mirë një tipar të fytyrës.
Për shkak se kjo fushatë është bërë tashmë qesharake, dhe memet e prodhuara në rrjet ja kalojnë edhe deklaratave të Spiropalit, është mirë që Rama të kujdeset, e ta pasurojë pak skenarin. Përshembull, dëshmive u mungon një gjë thelbësore, që mund t’i bënte ato edhe më goditëse.
Kushdo që flet se është torturuar nga Basha, lypset të shtojë përshembull, që teksa kreu i opozitës sulej mbi ta si i madhi shejtan, sakaq, aty për aty shfaqej Edi Rama dhe i shpëtonte, i çlironte nga vargonjtë dhe ky engjëll mbrojtës sak nuk donte shumë të shquhej, e s’donte protagonizëm, ndaj mbante maskë, por ata e kanë identifikuar, e kanë njohur nga vetulla e djathtë.
Përtej humorit.
Përfytyroni një moment, sikur Lulzim Basha të kishte mik Aleksandër Vuçiç?
Ç’rrufe do të ishin hedhur mbi të.