Mançester Siti dhe Dinamo Zagreb kanë fituar me rezultate të pastra sfidat e para të luajtura sot në Grupin C. Nëse suksesi i anglezëve ndaj Shakhtar Donjetsk ishte i pritshëm, i tillë nuk mund të thuhet se është, të paktën me shifrat që dhuroi, suksesi i kroatëve ndaj Atalantës.
Dinamo Zagreb ka marrë një fitore të paparashikuar me rezultatin 4-0 duke zbërthyer totalisht skuadrën italiane ku Berat Gjiimshiti ishte titullar. Dominim absolut i skuadrës vendase e cila zbërtheu që në pjesën e parë italianët me aksione të shpejta e kundërsulme që gjenin hapësira qetësisht mes mbrojtjes kundërshtare. Orsiç me tre gola ishte protagonisti kryesor i sfidës së sotme.
Ndërkohë, Mançester Siti ka siguruar fitoren e radhës ndaj Shakhtar Donjetsk, në një duel që është kthyer në “klasike” në Ligën e Kampioneve në vitet e fundit. Edhe pse në transfertë, ekipi i Guardiolës dominoi dhe falë magjive të repartit të avancuar siguroi suksesin 3-0 përballë ukrainasve me Mahrez, Gyndogan e Gabriel Zhezus të cilët gjetën rrjetën.