Borussia Dortmund-Barcelona, super ndeshja e Grupit F të Champions League, është mbyllur në barazim 0-0. Një barazim që ka shijen e fitores për katalanasit, të cilët kanë shmangur humbjen falë një Marc-Andre Ter Stegen në një formë të shkëlqyer dhe pasaktësisë së treguar nga verdhezinjtë para portës.
Numri 1 i spanjollëve ka qenë lojtari më i mirë i ndeshjes me disa pritje të jashtëzakonshme, por më e rëndësishmja ka ardhur në minutën e 57-të, kur ka ndalur Marco Reus nga pika e bardhë. Gjermani ka pritur katër nga gjashtë penalltitë që ka patur kundër në Champions League, më shumë se çdo portier tjetër.
Lajmi tjetër i mirë për Barçën, përveç shmangies së humbjes, ka qenë kthimi në fushë i Leo Messi-t në minutën e 59-të. Kjo ka qenë ndeshja e parë e sezonit për argjentinasin, i cili ka qëndruar larg fushave për shkak të një dëmtimi muskulor.
Vendin e numrit 10-të në formacionin titullar e ka marrë 16-vjeçari Ansu Fati, i cili është bërë lojtari më i ri që luan një ndeshje të Champions League në historinë e Barcelona-s.