Mapo Letrare

CIKLI – KËNGËT E NATËS/ Rita Petro






               Publikuar në : 14:03 - 05/05/19 |
mapo.al

MOS E VRIT VETEN AS KËTË NATË!
Për ty artist i vetmuar


Mos e vrit veten as këtë natë
Ti
Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë
Zhytur në errësirë…
Ku e zeza dhe drita pikturojnë
Imazhet e tua surreale
Lindur prej një truri të eksituar
Nikotine-alkoole-drogash…

Mos e vrit veten as këtë natë
Duaje vetminë tënde
Madhështore, të shurdhët,
Zhurmë-tingujsh dhe aromë-masturbimesh
delirante.

Mos
Mos e vrit veten as këtë natë!
Vetmia jote boheme është më e mirë
Se gënjeshtra që mban në një krevat
burrin dhe gruan,
Se pagjumësia e liderit pervers
Që ëndërron të shembë çdo ditë
nga një ëndërr tonën,
Se makthi i atij që fle
Mbi dyshek parash erëndyrë,
Spërkatur me Pure White Cologne.

Prit!
Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit,
Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë
Klithmën e mbytur të seksit
Pas murit në të majtë,
Drithmën e celularit dritëmekur,
Kur vizatohet një zemër në ekran.

Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik,
Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira!
Jam dhe Unë këtu.
Jemi të Tjerë aty-këtu
Që vrasim natën me një gotë kokteji,
Ku pikëllimi përzihet
Me pak ëndërr
Pak shpresë
Dhe pak gjak cherry.

Prite!
Prite edhe këtë natë dritën e mëngjesit,
Që çan mes për mes
Grilave të vjetra
Dhe vizaton nëpër mure
Vizione të pastra bohemësh.

NATËN E KALUAR
Fjalët e tua
E turbulluan
Shtatëdhjetë përqind të ujit
Që ndodhet në trupin tim.
Filloi riciklimi
Poshtë e lart
Lart e poshtë…

Sytë më mbushen me ujë.

RADIUM NË ERRËSIRËN E SHPIRTRAVE

Sperma jote e bardhë në të kaltër
Çlirohet prej nxehtësisë së trupit

Dhe unë
Nuk e lë të ngrijë mbi lëkurë
E fryj… e bëj frymë
E kthej në aromë shpirti,
Dhe shkrihem e tëra tek shoh
Që fërfëllen nga dridhjet.

Flakë e bukur fosforeshente,
Radium në errësirën e shpirtrave…

MEKATI I SHEGËS
Ti tinëzar i vogël
Që më dhurove një shegë gojëhapur
Nga kopshti i shtëpisë së babait,
A i sheh pasojat e tua?
Kafshuar prej shegës tënde
Lënggjaku rrjedh çurg
Mbi buzët e mia…

Ti hajdut i vogël
Që vodhe shegën
Nga oborri i shtëpisë së babait
Atë shegë që s’duhej ta prekje me dorë,
A i sheh pasojat e tua?
Kafshimi i qenit të babait,
Gjak t’i bëri buzët.

Dy fytyrëplagë
Dy buzëqepur
Nga mëkati i shegës…

E DI QË DO TË MË TRADHTOSH

E di që do të më tradhtosh
Por të lutem jo sot,
Sot nata është e ngrohtë
Plot yje dhe hënë të plotë
Toka është e lagësht
Gjurmë do të lije aty
Zgjidh një natë tjetër
Pa yje e hënë
Kur toka të jetë e thatë
E atëherë do të të fal
Se s’do ishe fajtor i parë
E as unë fajtorja e parë
As të fundit nuk jemi
Kemi lindur për të dashur
Kemi lindur për të tradhtuar
Veç bukur
Plot fisnikëri – Siç thua ti.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas