Ekonomi

Civici: “Kënaqësia e Brendshme Bruto” po shkon në të kundërt të PBB-së














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:24 - 13/01/19 |
mapo.al

Flet prof. dr. Adrian Civici, president i UET: Produktiviteti i ekonomisë shqiptare ka vazhduar të jetë mjaft i ulët; PPP, në vend që të bëhen faktor i rritjes së investimeve dhe zhvillimit, janë shndërruar në klientelizëm të pastër oligarkik dhe burim konfliktualiteti të ashpër politik e shoqëror; etj….





Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në 2018. Rritja ekonomike (PBB) ka kaluar shifrën 4%, deficiti buxhetor është ulur, papunësia është ulur, sektorë strategjikë si p.sh., turizmi kanë pasur ecuri pozitive në vitin 2018, por, po t’i referohemi konceptit “paralel” të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është “Kënaqësia e Brendshme Bruto”, ose e thënë ndryshe sa e kënaqur është popullsia nga ekonomia e saj, problemet dhe dobësitë e ekonomisë janë të shumta, thotë prof. dr. Adrian Civici, president i UET.


Civici parashikon si shqetësim ekstra në vitin 2019 thellimin e konfliktualitetit politik dhe klimën e tensionuar sociale, duke qenë se është vit elektoral i zgjedhjeve lokale. Ai vlerëson si emergjencë për 2019 rikthimin me fokus të veçantë te politikat për reduktimin e varfërisë, sidomos në zonat rurale, periferike e periurbane.




Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2018?


Në një kuptim të gjerë e kompleks, vlerësimi i ecurisë së ekonomisë për një vit të dhënë, konkretisht i ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2018, mendoj se duhet bërë në dy këndvështrime komplementare me njëra-tjetrën. Ecuria e shifrave dhe statistikave të përgjithshme që evidentojnë shëndetin e përgjithshëm të ekonomisë dhe, nga ana tjetër, efektet konkrete dhe përfitimet e njerëzve nga ekonomia e tyre.


Në këtë prizëm, ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në 2018: rritja ekonomike (PBB) ka kaluar shifrën 4%, çka është një tregues pozitiv edhe në raport me rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, përveç faktit që kemi të bëjmë me një proces të qëndrueshëm ndër vite të rritjes ekonomike (0.9 në 2013 – 4.2 në 2018); deficiti buxhetor ka ardhur duke u ulur vazhdimisht dhe është në kontroll të plotë, referuar veçanërisht buxhetit të vitit 2018 dhe 2019; ecuri pozitive ka pasur dhe punësimi, gjë që e dëshmon dhe shifra e ulët e papunësisë aktuale (12.2%); sektorë strategjikë si p.sh., turizmi kanë pasur ecuri pozitive gjatë vitit 2018 duke siguruar një kontribut në nivele historike në PBB (rreth 18%); etj.

Nga ana tjetër, po t’i referohemi konceptit “paralel” të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është “Kënaqësia e Brendshme Bruto”, ose e thënë ndryshe, sa e kënaqur është popullsia nga ekonomia e saj, problemet dhe dobësitë e ekonomisë janë të shumta: sektorë të tërë të ekonomisë ofrojnë paga të ulëta apo shumë të ulëta (sidomos sektori fason dhe call center); fuqia blerëse e një pjese të konsiderueshme të popullsisë është e ulët; diferencimi ekonomik dhe financiar ka vazhduar të thellohet; po kështu dhe zhvillimi i pabarabartë territorial; IHD kanë qenë në stanjacion; rritja ekonomike vazhdon të reflektojë tiparet e një rritje ekonomike përjashtuese e përqendruar në pak pjesë të territorit dhe aktorëve ekonomikë; produktiviteti i ekonomisë shqiptare ka vazhduar të jetë mjaft i ulët; PPP, në vend që të bëhen faktor i rritjes së investimeve dhe zhvillimit, janë shndërruar në klientelizëm të pastër oligarkik dhe burim konfliktualiteti të ashpër politik e shoqëror; etj.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2019 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Nga pikëpamja e trendit ekonomik, mendoj se edhe në 2019, ekonomia shqiptare do të vazhdojë trendin e saj pozitiv rritës, megjithëse një pjesë e parashikimeve të disa institucioneve ndërkombëtare shohin njëfarë zbehje të ritmeve të rritjes ekonomike për periudhën 2019 – 2021. Mendoj se papunësia do të vazhdojë të ulet në nivelet 11-11.5%, por kjo si efekt edhe i fenomenit të emigracionit që aktualisht dominohet nga moshat aktive në punësim.

Shpresoj që borxhi publik të vazhdojë të mbahet në kontroll me tendencë të ulët rënie drejt niveleve 66-67%/PBB. Element i rëndësishëm në kuadrin makroekonomik mbetet përmirësimi i bilancit tregtar që vazhdon të dominohet nga eksportet dhe, mbi të gjitha, rritja e fuqisë eksportuese të vendit, e cila vazhdon të jetë e dobët. Shumë studime e rekomandime të institucioneve ndërkombëtare apo ekspertëve shqiptarë sugjerojnë faktin se për të pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme në nivelet mbi 5%, Shqipëria duhet të rrisë ndjeshëm prodhimin dhe veçanërisht eksportet dhe konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të saj.

Në faktorët e brendshëm që pritet të ndikojnë në ecurinë e ekonomisë sonë do të veçoja ndikimin negativ të konfliktualitetit të lartë politik dhe klimën e tensionuar sociale, aq më tepër që 2019-a është vit elektoral i zgjedhjeve lokale. Përvoja e këtyre 27 viteve ka treguar se në vitet elektorale, më pak apo më shumë, ekonomia është lëkundur dhe ka pasur dëme kolaterale nga sherret politike.

Ndërsa në faktorët e jashtëm do të veçoja ndikimet potenciale negative të situatës ekonomike, financiare e monetare në BE dhe Eurozonë për të cilat ka parashikime jo optimiste për 2019 dhe, veçanërisht situata e ekonomisë italiane dhe greke, të cilat kanë ndikime të konsiderueshme në ekonominë shqiptare. Si faktor i jashtëm që, në raport me vendimin e tij, mund të jetë pozitiv ose negativ, është dhe mundësia e hapjes ose jo të negociatave të anëtarësimit në BE, përgjigje që pritet të vijë në 6-mujorin e dytë të 2019.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë më 2019?

Sfida kryesore lidhet me përfundimin e Reformës në Drejtësi dhe fillimi i efekteve pozitive të zbatimit korrekt e eficient të saj. Besoj se vendi do të ndiejë një qetësim të ndjeshëm institucional e ligjor, nëse Reforma në Drejtësi përfundon në mënyrë korrekte e efikase, duke u hapur rrugën shumë proceseve të tjera që e bëjnë drejtësinë të besueshme, korrekte dhe mbi të gjitha e kthejnë në një forcë zhvillimi ekonomik, shoqëror dhe jo në një frenues e të zhvillimit. Edhe zgjidhja e ngërçit të reformës zgjedhore, pavarësisht se mund të duket se ka lidhje direkte me politikën, në fakt është një element që e fut në ngërç ekonominë, klimën e biznesit dhe investimet.

Si “shans” më të ndjeshëm për 2019 do të veçoja mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, eliminimin e çdo barriere doganore e tregtare, rritjen e shkëmbimeve tregtare, etj., si dhe vazhdimin e trendit pozitiv të turizmit, duke synuar një kontribut të tij në PBB në nivelet mbi 2 miliardë euro.

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik) në periudhën afatmesme?

Për periudhën afatmesme, mendoj se politikat ekonomike duhet të fokusohen veçanërisht në realizimin e disa reformave të rëndësishme strukturore: ndryshimi i strukturës së ekonomisë shqiptare duke u dhënë përparësi degëve e sektorëve me nivel të lartë teknologjik e inovativ; degëve e sektorëve me vlerë të shtuar të lartë; politikat që kanë të bëjnë me rritjen e produktivitetit të ekonomisë në përgjithësi, por edhe disa degëve e sektorëve më strategjikë në veçanti; reforma specifike që i hapin rrugë përmirësimit të klimës së biznesit, veçanërisht biznesit të vogël dhe atij të mesëm; reformat që përmirësojnë klimën e investimeve, veçanërisht IHD, aq më tepër që për periudhën afatmesme 2019-2021, sfida e gjetjes apo thithjes të IHD të reja që të zëvendësojnë efektet pozitive të TAP dhe HEC të Devollit është jetike për ruajtjen e ritmeve të rritjes dhe punësimit; reformat për zhvillimin e tregjeve financiare e monetare dhe rritjen e kreditimit.

Më shumë se gjithçka në raport me fokusimin e politikave do të nënvizoja nevojën imediate, por dhe më strukturore se të tjerat: domosdoshmërinë e kthimit maksimal të vëmendjes drejt një ekonomie më prodhuese, drejt një politike me tendenca industrializuese për Shqipërinë e viteve 2020 e përtej. Me këtë strukturë ekonomike që kemi – rreth 90% e bizneseve janë në përmasa mikro apo shumë të vogla me 1-4 punëtorë – të dominuar nga shërbimet me vlerë të shtuar minimale është e pamundur të pretendojmë zhvillim, punësim cilësor dhe rritje ekonomike të qëndrueshme.

Cilën konsideronin ju si emergjencë në aspektin ekonomik dhe social mbi të cilën qeveria duhet të ketë fokus të veçantë në vitin 2019?

Është e nevojshme t’i rikthehemi me fokusim të veçantë politikave të adresuara për reduktimin e varfërisë, sidomos në zonat rurale, periferike e periurbane dhe verilindore të vendit; të bëjmë një shpërndarje më të mirë të aktiviteteve ekonomike në gjithë territorin e vendit; të gjejmë një ekuilibër më të drejtë, sidomos në raport me biznesin të “politikave pro-biznes” me “politikat pro-treg”; të rrisim tërheqjen e kapitaleve dhe investimeve të huaja serioze e cilësore në Shqipëri. Mjaft thelbësore mbetet gjetja e rrugëve dhe shtimi i mundësive për rritjen e kreditimit nga sistemi bankar shqiptar, i cili vazhdon të jetë në stanjacion për sa u përket kredive të reja./monitor.al/

1


Etiketa: , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas