Kryesore

Civici: Tregu i Arsimit të Lartë nuk duhet të jetë tregti diplomash














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:51 - 13/05/19 |
mapo.al

Intervistë për suplementin Mapo Arsim me prof. dr. Adrian Civici, një nga anëtarët e komisionit të ligjit të ri të arsimit të lartë. Pse jemi në emergjencë të reformave në këtë sektor dhe pse po dështon ligji i ri në zbatim





Shqipëria ndodhet në emergjencën e rivlerësimit dhe realizimit të reformave cilësore për sa i përket organizimit dhe administrimit të universiteteve, politikave të kërkim-zhvillimit, funksionimit të tregut shkencor dhe efekteve të tyre në politikat dhe strategjitë e zhvillimit të vendit. Kështu mendon prof. dr. Adrian Civici, ekonomist dhe ekspert i arsimit të lartë. Në një analizë shteruese për gazetën MAPO, ai shtjellon të gjitha problemet që po has arsimi i lartë në vend dhe nevojën për t’iu përshtatur modelit europian. Sipas Civicit, me treg të arsimit nuk duhet të kuptojmë tregtinë e diplomave apo funksionimin e universiteteve si biznese tregtare me qëllime fitimi.


Intervistoi: Blerina Gjoka




Në Shqipëri, por dhe në Europë e botë, ekziston një shqetësim dhe angazhim i madh politik, akademik e shoqëror në kërkim të sfidave fondamentale për rolin dhe vendin e universiteteve në shoqërinë tonë, për misionin e tyre në funksion të përhapjes së dijes, cilësisë së studentëve të diplomuar dhe zhvillimit ekonomiko-social të vendit?


Cilësia e universiteteve dhe e kërkimit shkencor në raport me zhvillimin ekonomik e social të një vendi konsiderohen të barabarta me efektet dhe produktivitetin që japin teknologjitë moderne, inovacionet dhe format e avancuara të drejtimit e menaxhimit. Vendet e zhvilluara, si një nga indikatorët bazë të suksesit kanë performancën e sistemit të tyre universitar dhe kërkimit shkencor, rolin dhe cilësinë e kapitalit human që prodhojnë, duke i dhënë përparësi kreativitetit individual e kolektiv në shërbim të zhvillimit.


Përpara universiteteve sot shtrohen pyetje e sfida thelbësore: Si po i përgjigjet sistemi universitar nevojave të shoqërisë në shek. XXI? Çfarë kontributi duhet të japë universiteti dhe kërkimi shkencor në zhvillimin e ekonomisë së dijes? Si mund të matet cilësia dhe impakti i universiteteve në zhvillimin ekonomik dhe social të çdo vendi?

Shqipëria ndodhet në emergjencën e rivlerësimit dhe realizimit të reformave cilësore për sa i përket organizimit dhe administrimit të universiteteve, politikave të kërkim-zhvillimit, funksionimit të tregut shkencor dhe efekteve të tyre në politikat dhe strategjitë e zhvillimit të vendit, mënyrave të financimit etj. Sinteza e kësaj eksperience mbetet roli thelbësor i edukimit dhe formimit profesional në promovimin e zhvillimit ekonomik e social. Por, një zgjerim thjesht sasior dhe mbështetje formale e sektorit të edukimit nuk çon automatikisht në zhvillim ekonomik. Plani i zhvillimit perspektiv të çdo sistemi arsimor është koordinimi dhe kombinimi i tij me planin e zhvillimit perspektiv ekonomiko-social të çdo vendi, ndërkohë që vendimmarrja në fushën e arsimit nuk mund të jetë pronë vetëm e pedagogëve apo ekspertëve të edukimit, por edhe e ekspertëve të ekonomisë dhe zhvillimit.

Politikanë, drejtues universitetesh, intelektualë apo përfaqësues të shoqërisë civile e pranojnë se universitetet janë bërë një përqendrim privilegjesh e të ardhurash, se qeverisja e tyre dominohet nga «prodhuesit», pra nga profesorët dhe administratorët, ndërkohë që duhej të dominohej nga «përdoruesit» e produkteve universitare, nga bota e biznesit, bankat, institucionet publike etj. A ndodhen përpara një situate të tillë universitetet shqiptare?

Në senatet apo bordet e administrimit të tyre, përfaqësimi i bizneseve, bankave, industrisë, tregtisë, institucioneve publike, OJQ-ve etj., është i mangët. Por, janë pikërisht këta konsumatorët kryesorë të produkteve të universiteteve, dhe duhet të jenë ata që duhet ta formatojnë studentin dhe specialistin e ardhshëm. Filozofia e “Kartës së Bolonjës” është fleksibiliteti i Universiteteve dhe drejtimeve të diplomimit në raport me dinamikën e tregut të punës.

Aktiviteti i rektorateve, senateve, fakulteteve e departamenteve dëshmon se janë të pakta studimet fondamentale cilësore për kërkesat e tregut të punës, perspektivat e tij, tendencat dhe strategjitë e zhvillimit ekonomiko-social të vendit, studime mbi teknologjitë e reja dhe inovacionet që duhet të implementohen në ekonomi, implikimet që sjellin në tregun e punës proceset e integrimit rajonal e europian, përballja gjithnjë e më e madhe me globalizimin, krizat ekonomike e financiare, ekonomia e energjisë, papunësia etj.

Të mangëta janë dhe analizat për shpejtësinë dhe eficiencën e integrimit të të diplomuarve në tregun e punës. Cilësia e universiteteve evidentohet pikërisht duke përdorur këtë tregues, duke i listuar universitetet sipas performancës që paraqesin të diplomuarit e tyre në tregun e punës, ndërkohë që nuk kemi evidenca të plota apo database me punësimin dhe ecurinë në karrierë të të diplomuarve. Universitetet duhet të kalojnë nga një logjikë bazuar në ofertën që ato japin, në një logjikë të re, e cila integron gjerësisht kërkesën e shoqërisë dhe biznesit për produktet universitare.

A mund të jepet një përkufizim gjithëpërfshirës për misionin apo misionet e universiteteve sot? A mund të portretizohet “universiteti ideal”? A mund të thuhet se cila është mënyra më e mirë e organizimit të universiteteve apo modeli më i mirë i tyre?

Nga një këndvështrim i gjerë historik e gjeografik, universitetet i gjejmë të përcaktuara apo aplikuar në katër mënyra të ndryshme:

“Universitetet e arteve liberale”, që ofrojnë kryesisht studime në ciklin e parë bachelor në sferën e arteve liberale dhe shkencave, që synim kryesor kanë “dhënien e njohurive të përgjithshme kulturore, sociale e akademike në shkencat e natyrës dhe ato humane, njohjen e kulturës dhe dijeve të trashëgimisë humane, si dhe zhvillimin e kapaciteteve logjike e intelektuale te studentët, më shumë se sa formimi profesional apo teknik i tyre. Tipari karakteristik i tyre është “madhësia e vogël”, cilësia e lartë e profesorëve dhe bibliotekave e qendrave të informacionit, komunikimi direkt dhe i personalizuar i pedagogëve me studentët dhe funksionimi i tyre në kampuse të veçanta.

“Universitetet shkencore”, që kanë si mision kryesor “gjetjen e të vërtetës dhe kërkimin shkencor fondamental” si dhe “kërkimin e aplikuar”. Këto universitete janë më të zhvilluara në ciklin e dytë Master dhe ciklin e tretë Doktoratura apo postdoktoratura. Nëpërmjet kërkimit fondamental universitar synohet shpjegimi i ligjeve dhe ligjësive themelore në shkenca të ndryshme, ndërsa nëpërmjet kërkimit të aplikuar veprimet dhe projektet konkrete në sferat e këtyre shkencave. Liria, meritokracia, prestigji publik dhe cilësia e kërkuesve shkencorë përbën kushtin bazë të kreativitetit dhe pjesëmarrjes në debatet shkencore e akademike.

“Universitetet e shërbimit publik”, të lidhura me zhvillimet dhe preokupimet sociale, ekonomike e politike të vendit, që formojnë ekspertë e menaxherë për nevojat e Shtetit, administratës, qeverisjes qendrore e lokale, pra, universitete në shërbim të shoqërisë dhe Shtetit. Këto lloj universitetesh nuk janë me natyrë të pastër akademike e shkencore, por e shohin veten në shërbim të nevojave të zhvillimit ekonomiko-social të shoqërisë. Përgjithësisht këto lloj universitetesh funksionojnë si entitete publike të financuara nga Shteti.

“Universitetet e biznesit” që janë tërësisht në funksion të nevojave të sipërmarrjes, nevojave të zhvillimeve ekonomike e financiare, cilësisë së ekspertëve dhe burimeve njerëzore, ose akoma më shumë, janë organizma universitarë të krijuar nga shoqatat e bizneseve, korporatat, dhomat e industrisë dhe tregtisë, rrjetet kombëtare e ndërkombëtare të zhvillimit, transferimit dhe marketingut të inovacioneve, institutet e kërkim-zhvillimit etj. Janë kryesisht universitete private, aktualisht në ekspansion të vazhdueshëm.

Në horizont ka filluar kristalizimi i një koncepti të ri universitetesh, që përmblidhen me termin “universitetet e të ardhmes 2050”, të cilat shihen si instrumenti kryesor i kuptimit të qartë dhe reflektimeve që kanë të bëjnë me big data, revolucionin digjital, revolucionin 4.0, inteligjencën artificiale, të cilat kanë efekte e pasoja të jashtëzakonshme për ekonominë, punësimin, shëndetin, mjedisin, bujqësinë, ushqimin, sigurinë dhe gjithë shoqërinë e sotme dhe të ardhme.

Në Shqipëri është akoma mjaft prezent debati për ligjin e Arsimin e Lartë, një ligj që duhej të ndryshonte filozofinë e funksionimit dhe administrimit të universiteteve. Reagimet lidhen me faktin “nëse thjesht u kopjua modeli anglosakson i universiteteve, model i pazbatueshëm në kushtet dhe mentalitetin shqiptar, apo Ligji i ri reflektonte një filozofi bashkëkohore reformash universitare që po ndodhnin në shumë vende të botës, veçanërisht në vendet e zhvilluara?

Ky përbën një shqetësim objektiv, sidomos nga këndvështrimi se “po kërkohet të kopjohet një model”. Eksperimente me kopjime Kushtetutash, institucionesh, ligjesh, receta zhvillimi etj., kanë treguar se rreziku i rënies në iluzion për suksesin e lehtë ka qenë real.

Çfarë përgjigje mund t’i jepet dyshimit se Ligji i ri në qendër të tij kishte “propozimin e një modeli më të mirë dhe më eficient për universitetet tona”?

Përpjekjet ndërkombëtare për reformimin e sistemeve universitare janë grupuar në dy drejtime: modelit të “decentralizuar” anglez dhe modelit “të centralizuar” francez apo “modelit kontinental”. Modeli anglez bazohet në një qeverisje të fortë e të përgjegjshme nga “qendra drejtuese”, “këshilla administrimi” apo “borde besimi”. Edhe pse financimet publike jepen në mënyra selektive “sipas përparësive të zhvillimit apo nevojave sociale”, kjo formë “e lidhur më ngushtë me konkurrencën dhe tregun” e forcon më shumë rolin e Shtetit dhe prezencën e tij në sistem, por si “hartues dhe zbatues i politikave publike që garantojnë një nivel të lartë cilësor e standarde të një shërbimi publik” siç është arsimi i lartë.

BE e ka bërë të qartë se “mbetet e hapur për të ndjekur rrugën britanike në reformimin e sistemit universitar”, përfshirë këtu dhe kërkimin shkencor, nënkupton se në të ardhmen e afërt “futja në treg e institucioneve akademike duket e paevitueshme, rritja e nivelit të kompetivitetit të universiteteve europiane në arenën akademike ndërkombëtare është domosdoshmëri, se konvergjimi drejt një modeli me elemente britaniko-amerikane është rruga më e sigurt për të krijuar pole të fuqishme kompetencash akademike e shkencore me staturë ndërkombëtare në Europë”.

Lexo edhe :  13 Eurodeputetë- Mapo nesër: Qeveria shqiptare shkeli praktikat europiane

Ka mbi dy dekada që BE po realizon reforma strukturore në arsimin e lartë. Vendin e shtetit që financonte zhvillimin nëpërmjet buxhetit dhe financave publike po e zë “ndërtimi” i një lloj tjetër Shteti i cili e redukton ndërhyrjen në ekonomi duke e zëvendësuar me “krijimin e kushteve më transparente e eficiente që aktorët ekonomikë e socialë të ofrojnë shërbime cilësore publike”.

Politikat e edukimit nuk mund t’i devijojnë kësaj lëvizje me përmasa globale, sidomos kur bëhet fjalë për kalimin nga logjika “shtetërore” në logjikën “publike”. Në kushtet kur burimet shtetërore janë duke u kufizuar ose janë të pamjaftueshme, Shteti ka tendencë të çlirohet nga “mjediset dhe sektorët e mbrojtur, të sigurt e të garantuar 100%” duke i vendosur këta sektorë në kushtet e presionit që ka sektori privat për të arritur performancë e eficiencë maksimale në mënyrë që të garantojë suksesin.

Në BE, reformat futën tri elemente të reja: rritjen e autonomisë së universiteteve; rritjen e konkurrencës universitare dhe futjen e strukturave vlerësuese akredituese e rankuese të decentralizuara. Universitetet filluan të veprojnë në bazë të sistemit të kontratave me Shtetin duke mos u financuar automatikisht në raport me numrin e studentëve dhe profesorëve, por duke u financuar në bazë të planeve të zhvillimit, rankimit, cilësisë akademike dhe rezultateve të kërkimit shkencor. “Karta e Bolonjës” e vuri theksin tek akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë së universiteteve duke futur “logjikën e tregut sipas së cilës studenti duhej të njihte cilësinë e produktit që i ofrohej, ndërkohë që Shteti apo burimet e tjera të financimit duhej të vendosnin mbi bazën e performancës së universiteteve. Universitetet u përballën me një dimension të ri: konkurrencën në emër të cilësisë, standardeve dhe financimit.

Akademikë, ekspertë të arsimit të lartë etj., vazhdimisht shtrojnë pyetjen: Cilët janë faktorët kryesorë që universitetet anglosaksone dominojnë botën për cilësinë dhe standardet e tyre?

Përgjigjet fokusohen në 4 elemente thelbësore që bëjnë diferencën dhe forcën e tyre: Sistemi i qeverisjes së universiteteve, që vlerësohet si një nga avantazhet më të mëdha të modelit anglosakson, qëndron në qeverisjen “me dy koka” të tyre, këshillat administrues dhe senatet/rektoratet, dhe organizimin e tyre në formë fondacionesh apo korporatash të pavarura; Konkurrenca reale ndërmjet universiteteve në tregun e arsimit të lartë që nxit vazhdimisht kërkesat për standarde e rezultate sa më të larta, por që kushtëzon dhe nivelin e financimit dhe mbështetjes së tyre; Shkalla shumë e lartë e autonomisë në 4 drejtimet kryesore të saj (autonomi organizative, financiare, akademike dhe përzgjedhjen e stafit); Niveli i lartë dhe diversiteti i financimeve duke bërë që universitetet anglosaksone të kenë një financim 3.5 – 5 herë më të madh për çdo student se analoget e tyre europiane.

Në 2015, miratuam një ligj të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor- megjithëse duhet pranuar se fryma e ligjit u ndryshua ndjeshëm nga momenti i draftit të ekspertëve deri në miratimin përfundimtar të tij, dhe aq më shumë në mënyrën se si u tentua të aplikohej në detaje ky ligj në kuadrin e elementëve specifikë të tij. Ky ligj mund të kishte të meta e boshllëqe, aq më tepër që procesi i kompletimit të tij me VKM-të apo rregulloret e nevojshme u zvarrit dhe u devijua nga fryma e Ligjit, por në filozofinë e tij, ky Ligj tentonte t’i hapte rrugën një reformimi rrënjësor të universiteteve duke iu referuar modelit më të suksesshëm të tyre. Realizimi praktik i tij u shoqërua me një sërë vështirësish e kundërshtimesh të ashpra.

Në çfarë situate jemi sot? Studentët janë të pakënaqur, referuar protestës së tyre masive disa muaj më parë, Qeverisë që ofroi dhe po përpiqet të zbatojë “Paktin për universitetin”, cilësisë së mësimdhënies dhe autonomisë së universiteteve që akoma është në fokus të kritikave, nepotizmit në emërimet e stafeve akademike, fenomenit të plagjiaturës etj.

Një pjesë e masave dhe frymës së ligjit të ri të propozuar u asfiksua gjatë procesit të miratimit politik të tij. Kontrolli shtetëror i universiteteve dhe zgjidhja e problemeve apo marrja e shumë vendimeve me VKM në vend që ta përmirësonte sistemin e qeverisjes së universiteteve sipas modelit anglosakson, bëri të kundërtën: e ruajti dhe në raste të veçanta e thelloi kontrollin shtetëror dhe centralizimin e vendimmarrjes.

Zbatimi i Kreut XII të ligjit “Institucioni Publik i Pavarur i Arsimit të Lartë” që nënkuptonte krijimin e institucioneve publike të pavarura të arsimit të lartë u shty në kohë të papërcaktuar me mendimin se mund të eliminohet fare si perspektivë e transformimit të universiteteve shtetërore e private. Me përjashtim të ngritjes dhe mënyrës problematike të funksionimit të Bordeve të Administrimit, që u bënë pjesa më e kontestuar e Ligjit të ri, transformimi i qeverisjes së universiteteve drejt IALPP u hoq fare nga agjenda e reformës si diçka e pamundur për t’u aplikuar në kushtet e Shqipërisë.

Në lidhje me krijimin e “tregut të arsimit të lartë” dhe funksionimin e një konkurrence reale ndërmjet universiteteve, jemi larg, qoftë pranimit si koncept, qoftë si praktikë pozitive e modelit anglosakson, që këtë element e vlerëson si një nga faktorët kryesorë të cilësisë dhe standardeve të larta të universiteteve. “Tregu i arsimit të lartë” nuk ka të bëjë me tregtinë e diplomave apo funksionimin e universiteteve si biznese tregtare me qëllime fitimi. Përkundrazi, nënkupton krijimin dhe funksionimin e aktorëve autonomë e të pavarur që ofrojnë shërbime publike arsimore cilësore në sferën e edukimit universitar. Në vendet e zhvilluara shtrohet si kërkesë urgjente “përfshirja e fondeve të investimeve apo korporatave të mëdha në ofrimin e shërbimeve arsimore, kryesisht universitare dhe kolegjeve profesionale”.

Politikat publike synojnë “sigurimin e një oferte akademike universitare më cilësore në shërbim të publikut dhe zhvillimit” dhe jo kufizime ideologjike apo burokratike për ofrimin e saj me çdo kusht vetëm nga universitete shtetërore apo vetëm private. Universitetet duhen konceptuar si “korporata publike” që financimet dhe mbështetja ju vjen vetëm nga cilësia dhe standardet e larta të produkteve të tyre të ofruara : diploma cilësore dhe kërkimi shkencor real dhe eficient, botime akademike prestigjioze.

Në lidhje me shkallën e lartë të autonomisë së universiteteve, nënkuptuar këtu autonominë financiare, organizative, akademike dhe autonominë e burimeve njerëzore, referuar studimit të European University Association, “University Autonomy in Europe”, megjithëse Shqipëria nuk bën pjesë në vendet e studiuara, konstatohet se mbetet shumë për të bërë në autonominë organizative, autonominë financiare dhe autonominë e burimeve njerëzore ku rezultojmë në nivelet 10-20% në raport me universitetet që zbatojnë modelin anglosakson.

Çështja e financimit të universiteteve vazhdon të mbetet një element çelës në reformën tonë universitare. Kërkesa për financimin e arsimit në shifrat 5% të PBB po artikulohet si një nevojë emergjente. Ku duhet synuar në realizimin e saj?

Nëse ka një arsye madhore për cilësinë e ulët të ofertës universitare në Shqipëri, kjo është financimi i pakët i tyre. Për një student shqiptar sot harxhohet rreth 500-600 euro/vit, rreth 300-500 euro/vit në sektorin shtetëror dhe rreth 800-1000euro/vit në atë privat. N.q.s. do marrim tri nivele referimi: 2600–3000 euro/student/vit në vende si Bullgaria apo Rumania; 9000-10000 euro/student/vit si mesatare e vendeve të BE, apo 25000-40000 euro/student/vit në Britaninë e madhe dhe SHBA, kuptohet lehtë se çfarë cilësie e mundësish të limituara ka struktura universitare shqiptare për diploma cilësore.

Si ta financojmë më mirë arsimin e lartë? Në kushtet e ekonomisë dhe fuqisë financiare të Shqipërisë, “financimi 100 nga Shteti” duket i pamundur dhe krejtësisht utopik, edhe sikur të ekzistojnë mundësitë buxhetore që pjesa për arsimin të dyfishohet dhe t’i afrohet shifrës së 5% të PBB siç po kërkohet me të drejtë dhe me forcë sot nga studentët. Nëse i referohemi Bullgarisë dhe Rumanisë, do na duhej një buxhet 4-5 herë më i lartë për universitetet se buxheti aktual, ose duhet të pranojmë si kuota studimesh universitare shumë më të reduktuara se aktualet. Referuar mesatares europiane, duhet ta 15-20-fishojmë buxhetin e universiteteve. A mundet ta realizojë buxheti i shtetit këtë? Praktikisht duket e pamundur.

Nëse duam të ruajmë nivelin e masivizimit edhe të përpiqemi për universitete cilësore me standarde të larta, duhet të shtojmë dhe diversifikojmë burimet e financimit, të përcaktojmë një kosto reale të një cikli studimesh cilësore, dhe mbi këtë bazë të shpërndajmë financimet buxhetore dhe të kërkojmë burime të reja financimi. Edhe në modelin anglosakson, Shteti e financon arsimin e lartë. Në SHBA dhe Britaninë e Madhe, financimet publike janë rreth 40% të buxheteve universitare, ndërsa në Francë, Itali Spanjë apo Gjermani ato zënë rreth 80-90%. Dallimi qëndron te struktura e financimeve. Universiteteve në Francë e Gjermani iu shtohen vetëm 10-20% financimet e tjera alternative, ndërsa në SHBA e Angli iu shtohen 60%. Kjo bën diferencën ndërmjet tyre.

Duhet ta ristrukturojmë burimin e financimit të universiteteve. Shteti është i detyruar t’i shtojë vazhdimisht financimet për arsimin, por në shumat që mund të ofrojë, ashtu siç parashikohet dhe në ligjin e arsimit të lartë, të paktën të financojë cilësisht e në mënyrë prioritare degët e programet me interes kombëtar, studentët ekselentë dhe ata në vështirësi ekonomike, pa pretenduar të financojë gjithçka e të gjithë, por në nivele mediokre për “produkte” mediokre.

1


Etiketa: , , , , ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas