Nga Kosova, ka shumë sikur unë që nuk dëgjojnë muzikën serbe për argëtim. Nuk ka të bëjë as me nacionalizëm as me urrejtje por ka të bëjë me shije. Kjo shije, nuk është kalitur në gjeneratat pas bojkotimit të socializimit dhe inaugurimit në pionierë të shokut Tito dhe për shumë arsye të tjera.
Hera e parë kur unë kam parë një kallashnikov sipas të gjitha gjasave është rreth fillimit të viteve 1990 kur në Drenicë, dhe në tërë Kosovën pat demostrata që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese. Policia e cila ishte ende shqiptare dhe serbe së bashku me njësitet speciale të federatës Jugosllave ishin të armatosur me armë të gjata që ju thonin kallashnikovë.
Tutje më vonë, çka edhe ndërlidhet me kangën e Bregoviqit për të cilën specifikisht mendoj se shpreh glorifikim për armën famëkeqe dhe normalizon urdhër-dhënien për vrasje gjatë luftërave në ish-Jugosllavi e posaçërisht në Kosovë dhe Bosnje, është një rast specifik që unë vetë kam përjetuar. Masakra e Izbicës ku u vranë mes 144-166 shqiptarë të paarmatosur nga forcat serbe ndodhi në mars të vitit 1999 dhe unë si 16-vjeçar u gjenda i fshehur afër një pozicioni të automjetit serb.
Ushtarakët serbë të cilët dilnin vetëm për nevoja fiziologjike nga ky automjet para se të gjuanin me armë të kalibrit të madh, që më vonë mësova se ishte rreth 30 mm që qëllonte në shtëpitë e shqiptarëve. Këta ushtarakë kishin një farë rituali të thirrjes: “pucaj- boom boom” dhe “juriš” që tingëllonte sikurse kanga në fjalë. Natyrisht, unë këtu nuk mund të them me saktësi se kanë kënduar këtë kangë të Bregoviqit. Çka mund të them me saktësi është se këta shqiptarë u thirrën në emra shqiptarësh, në malet përreth, nga forcat serbe, u kapën dhe u vunë në rend. Thirrja ngjante sikurse rasti i Ramës që si prind, thërret Nerminin të zbret nga malet e Srebrenicës për t’u dorëzuar te serbët.
“Juriš, Stoj, Pucaj.” Ipet komanda dhe përfundon gjithçka.
Sipas dëshmitarëve që kanë shpëtuar nga kjo ngjarje, ata u plaçkitën, u zhveshën, u detyruan të ndërrojnë rrobat dhe u vunë në grupe më të vogla. U vranë pa mëshirë. Pak ditë më vonë, morëm vesh me saktësi se çka ka ndodhur. Ky krim u tentua të fshihej pasi që shumica e trupave të vdekur u varrosën pa emra, u transportuan në vende të tjera sikurse masakrat në Rezallë, Meje, Kralan, Abri dhe vende të tjera.
Duhet theksuar se unë nuk besoj se Bregoviq ka të bëjë drejtpërdrejtë me këto punë. Por muzika që Bregoviq ka krijuar, ka inspiruar këto veprime johumane. Këto rituale të çmendura të veprimeve çnjerëzore të cilat përshkruhen saktësisht në një raport të Human Rights Watch të quajtur “Nën urdhra.”
Dehumanizimi i viktimave nuk ndodh vetëm me zhdukjen e kufomave, krimeve në varreza masive që ende hapen nga njësitet forensike, si bëri regjimi serb në kohën kur Bregoviq arriti kulminacionin e krijimtarisë së tij. Mjafton të lexohet libri i Elliot Behar për shqiptarët e vrarë në Kosovë, trupat e të cilëve u hodhën në Liqenin e Peruqacit për t’u fshehur. Dehumanizimi i viktimave bëhet edhe me glorifikimin e armës me të cilën ata u vranë vetëm për faktin se ishin shqiptarë. Dehumanizimi i viktimave bëhet edhe kur kemi zë dhe vendosim të mos flasim për këto krime por shikojmë vetëm punën tonë të arritjeve artistike.
Ka një argument se arti është art dhe nuk ka lidhje me politike. Ky argument bëhet jo vetëm nga Tirana por edhe nga disa në Kosovë. Por, duhet thënë se arti që nuk është politik, në kohën e vrazhdë të luftës së viteve ’90 në ish-Jugosllavi është art qyqar. Është art i stilit “Stambolli digjet e Bregoviqi krihet.” Pra, duke pretenduar Bregoviqi se merret ekskluzivisht vetëm me art, është shumë politikë në kohën kur një botë e tërë, e edhe miqtë tradicionalë serbë bënin thirrje për ndalim të masakrave. Bregoviqi krihej dukë vjedhur muzikën nga Enrico Macias për të cilin veprim u dënua nga një gjykatë në Paris, me jo më pak se 1 milion Euro.
Arti është edhe piketimi i Gjorgje Martinoviqit nga piktori Serb Miqa Popoviqi në vitin 1985 i cili e portretizonte veprimin e sakrificës së Martinoviqit në një fshat të Gjilanit ku pasi që i thyhet një shishe e birrës brenda rektumit të tij, gjatë aktit të vetëkënaqësisë seksuale, tentojë t’i fajësonte shqiptarët për këtë makabritet. Për këtë shkruan edhe Julius Mertus. Për një formë tjetër arti të kolegut të Bregoviqit, Bora Gjorgjeviqit i cili i thuri vargjet se: «Kurrë paqe s’ka më pas/ mes meje e Ilirit» ka shkruar edhe një studiuese tjetër, Sabrina Ramet.
Një tjetër argument që shpesh jepet në media është se ‘Ballkani është një shkrirje kulturash’ që edhe mund të jetë e vërtetë, por kjo shkrirje kulturash për momentin është e ngrirë. Është e ngrirë sepse vendi nga Bregoviq krijoi këtë mori kangësh ikonike, i krijoj për t’i shërbyer një narracioni serb. Ky narracion serb, ka shkaktuar qindra-mijëra viktima në ish-Jugosllavi dhe vetëm në Kosovë, ka shkaktuar rreth njëzet mijë dhunime seksuale.
Kjo shkrirje e pretenduar është ngrirë nën katalizatorin serb për dominim në Ballkan ku audienca e Bregoviqit nuk ndan artin e tij prej politikës. Audienca e Bregoviqit e normalizon thirrjen për gjuajtje dhe vrasje. E celebritizon këtë veprim makabër dhe duke vallëzuar “Juriš, Stoj, Pucaj! Boom Boom.”
Duhet potencuar edhe se ky mllef për Bregoviqin nuk është i drejtuar ndaj tij por ndaj asaj çka Bregoviqi përfaqëson. Nuk është specifikisht madje as kundër Kallashnikovit të tij. Ky mllef fillon e mbaron me dhunën sistematike e kulturore njëqindvjeçare në ish-Jugosllavi ndaj shqiptarëve.
Ky mllef është krijuar nga Lëvizja Paqësore së pari herë duke bojkotuar jetën kulturore dhe politike nën sundimin jugosllav e serb. Përderisa popullata duhej të ushqehej me prodhimet serbe gjatë viteve ‘90, asnjëherë nuk dëgjonin muzikën serbe apo nuk merrnin pjesë në takimet letrare. Në fakt, e tërë ideja e rezistencës paqësore Kosovare ndaj Serbisë buron ndaj bojkotimit kulturor dhe fillon me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.
Orientimi nga Shqipëria nuk ishte vetëm strategjik por edhe praktik. Tani që nuk ka nevojë për Kallashnikov as artistik, pushuesit Kosovarë që shkojnë në bregdetin shqiptar me të drejtë kërkojnë pjesë në sferën publike në Shqipëri. Investimi i tyre nuk është thjeshtë një grusht para në një hotel apo akomodim dhe disa dreka. Investimi i tyre, para së gjithash është emocional dhe shpirtëror. Sa për informim, në Kosovë ekziston shprehja që është sinonim për lirinë: “si në Shqipni” që me siguri i ka rrënjët që nga 1912. Por kjo nuk është pjesë e kujtesës kolektive në Shqipëri ku e keqja erdhi nga ata që flisnin shqip me regjimin komunist.
Zërat se kanë dëgjuar Rok&Roll Jugosllav në këtë mes janë minoriteti i nomenklaturës. Përse, ta zëmë kërkuesit e demokracisë së demostratave të vitit 1981 nuk e dëgjuan koncertin e Bregoviqit në Prishtinë? Pyetje naive, por ata kërkuan demokraci ishin në burg! Sepse, kishin kërkuar demokraci e liri një vend i cili kishte leje për të studiuar në gjuhën shqipe vetëm në vitin 1970. Pasi Kroacia, Serbia e Bosnja e tejkaloi revolucionin seksual e kishte më “shumë plazhe nudistike se sa kishte Kosova shkolla”. Kosovës iu lejua të studiojë në gjuhë shqipe rreth 10 vite pasi që në Gjermani kishte katedra të konsoliduara për studimin e gjuhës shqipe.
Pra, progresi në Kosovë, nën Jugosllavi ka qenë jo vetëm në disproporcion me vendet e tjera në Jugosllavi por ka qenë në esencë vetëm simulim. Për këtë punë, nuk janë pa faj edhe elita politike shqiptare e Kosovës e kohës. Po kjo pak ka rëndësi në këtë debat. Për këtë debat ka rëndësi se kur nxanësit kosovarë shkuan në shkolla përgjatë sistemit të mosdëgjueshmërisë qytetare, Kallashnikovi ndëgjohej nga veturat e policisë serbe që i përndiqnin studentët shqiptarë.
E gjithë kjo, mund edhe të tingëllojë e çuditshme. Mbase, në mungesë të një iniciative për pajtim, për kërkim falje apo vetëm pakëz dinjitet për personat e zhdukur, viktimat e luftës, viktimat e dhunës seksuale apo njohje e dhunës sistematike nga Serbia, pajtimi dhe bashkëjetesa mbesin të ngrira. Mbase, veprimet politike duhet t’u paraprijnë atyre kulturore kur kultura është krijesë politike. Për ta parafrazuar Kaluzeviqin se lufta është vazhdimi i politikës Me mjete të tjera- në mungesë të njohjes së viktimave dhe dhunës, edhe arti është vazhdimi i politikës me mjete të tjera.
Çka është shumë e rëndësishme në këtë mes, është e konkluzioni se Shqipëria nuk e njeh këtë dhunë qindravjeçare dhe manifestimi kulturor i kësaj mosdije është jo vetëm injorancë por me të drejtë merret si fyerje nga kosovarët. Ky manifestim i mosdijes ndodh përmes artistëve mediokër e plagjiator. Tingulli i orkestrës së Bregoviqit me trumbeta si duket është dehës pa kuptim, e në këtë aspekt, Ballkani është një shkrirje e kulturës ku harresa është komponenti kryesor që mban këtë dehje.
*Autori është studiues i medias dhe konfliktit. Fokusohet në studimin e ballafaqimit me të kaluarën.