Në një intervistë për gazetën Mapo, Çlirim Gjata paralajmëron se PD do të denoncojë të tjerë kryebashkiakë si të lidhur me krimin. Gjata tha se se sot asnjë Këshilli Bashkiak nuk ka zërin opozitar.
“Ky Autoritet ishte ai, që nuk pranoi të vëzhgonte zgjedhjet e 30 qershorit. Pra, ky Autoritet me këtë veprim parimisht nuk i njohu këto zgjedhje dhe është organi më i lartë në KiE që merret me vëzhgimin e pushtetit vendor brenda çdo shteti anëtar. Në përfundimet e fundit vihet theksi se kemi të paktën 31 bashki me kryetar të emëruar, jo të zgjedhur me konkurrent, d.m.th. njehsohen me ish-Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive të kohës së komunizmit. Apo, në asnjë Këshill Bashkiak nuk ka asnjë anëtar opozitar. Kjo për ta është shumë shqetësuese. Gjithashtu po vëzhgojnë edhe zbatimin e reformës territoriale Por ajo që kemi theksuar dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë ne mbetet fakti se, në 30 qershor nuk ka patur zgjedhje por emërime nga Qeveria të drejtuesve vendorë. Dhe çfarë ka ndodhur – gjashtë kryebashkiakë deri tani janë gjetur të kapur nga ligji i dekriminalizimit. Njëra ka dhënë dorëheqjen (Durrës) dhe një tjetër (për turp të zotit) është filmuar me kokë në pjatë. Dhe lista vazhdon akoma, ndaj prisni. Kjo është fitorja e madhe e Edi Ramës më 30 qershor. Për gjithë sa diskutuam ka vetëm një zgjidhje. Dhe kjo është zgjidhja politike: me qeveri kujdestare të përkohshme, zgjedhje të lira e të ndershme për qytetarët, parlamentare dhe lokale në një ditë“, – u shpreh Çlirim Gjata.