Falë ndërhyrjes së ushtrisë amerikane dhe asaj të NATO-s në marsin e vitit 1999, Kosova feston 22-vjetorin e çlirimit nga okupacioni njëshekullor serb dhe 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj më 17 Shkurt 2008. Ndërhyrja e aleatëve solli edhe largimin një herë e përgjithmonë nga trojet shqiptare të makinës kriminale ushtarake serbe të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç. Ish-luftëtarët e UÇK-së të inkuadruar tashmë në parti politike, duhej të hiqnin kostumin e “luftëtarit të lirisë” dhe të vishnin kostumin civil të politikanit, të shtetarit, pasi tani ata do të merrnin përgjegjësi të mëdha politike dhe publike për drejtimin e vendit në rrugën e reformave.
Dhe ashtu siç e tha edhe Presidenti Clinton “ne bëmë luftën, ju bëni paqen”, përgjegjësitë tani do të ishin shumë të mëdha. Por fatkeqësisht një pjesë e lidershipit protagonist të “ish-luftëtarëve të lirisë”, duke harruar edhe misionin e tyre historik si dhe duke zhgënjyer pritshmëritë që kishte kombi ndaj tyre, shumë shpejt u transformuan nga “luftëtarë lirie” në “gjahtarë parash të pista apo gjobëvënës”, në “gjuetarë pronash dhe tenderash publike apo përvetësues privatizimesh të jashtëligjshme”. Ata harruan luftën, harruan dhe tradhtuan idealet e lirisë, lanë veteranët e UÇK-së në mes të katër rrugëve, harruan Kosovën dhe popullin e saj, dhe u shndërruan në pengmarrësit më të mëdhenj të historisë së Kosovës.
Situata shkoi edhe më keq pasi lidershipi politik në Kosovë, për halle të veta ishte gati që të falte territore të Kosovës, duke ushqyer bashkë me Aleksandar Vuçiçin dhe Edi Ramën plane djallëzore dhe antikombëtare për ndarjen e Kosovës. Ndërkohë që krimi, korrupsion, paaftësia, krahinalizmi, nepotizmi, injoranca dhe politizimet e tejskajshme në administratën publike kanë pushtuar çdo qelizë të saj, dhe fatkeqësisht Kosova ka vite e vite që nuk kryen reforma të suksesshme, duket se vetëm sa vegjeton. Vendi është i zhytur në një mjerim, skamje dhe varfëri ekstreme, papunësia kap shifra rekord dhe për pasojë vendi, ashtu si edhe Shqipëria po shpopullohet çdo ditë, duke rrezikuar ekzistencën tonë kombëtare pas disa dekadash.
14 Shkurti mbylli kapitullin e pasluftës dhe hodhi në kosh plehrash një brez politikanësh që fatkeqësisht e keqpërdorën dhe përdhosën luftën për liri, pasi u zhytën në hajni pa kufij dhe pa skrupuj, dhe do të hapë një epokë të re, me shpresën dhe besimin se Kosova e drejtuar nga Kurti-Osmani do të përparojë dhe bëjë progres në të gjitha fushat, dhe se vendi do të ketë më në fund një qeverisje popullore që punon për popullin, jep llogari përpara popullit, dhe ikën kur populli nuk të don më.
Vota plebishitare në mbështetje të Kurtit dhe Osmanit do të jetë edhe një përgjegjësi shumë e madhe për lidershipin e ri, për të mos bërë kurrë ato që kanë bërë paraardhësit e tyre “të koshit”, por për të bërë ato gjëra të mrekullueshme që politikanë me dinjitet dhe të përgjegjshëm bëjnë çdo ditë në vendet dhe shoqëritë e zhvilluara perëndimore për popujt dhe qytetarët e tyre.
Ata janë politikanë të lirë, janë qytetarë model që kurrë nuk “vdesin” në pushtet dhe as për pushtet, përkundrazi i shërbejnë vendit të tyre maksimumi për dy mandate, për t’u rikthyer përsëri atje ku e nisën, në jetën e tyre private dhe profesionale, duke lënë liderë të tjerë pas dhe duke lejuar rrotacionin biologjik dhe social-shoqëror të elitave, i cili është si leva e Arkimedit për shoqërinë njerëzore.
Parë në këtë këndvështrim, 17 Shkurti i vitit 2021, me sa duket do të jetë edhe pavarësia e dytë e Kosovës dhe urojmë që kjo të jetë një pavarësi reale dhe afatgjatë. Nëse pavarësia e parë ishte ndaj së keqes që quhej Serbi, kjo e dyta është ndaj së keqes sonë të brendshme, që fatkeqësisht na bën po aq dëm në mos më shumë, sesa ajo e keqja e madhe e huaj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë në këtë ditë të madhe të kombit tonë!