Sipas policisë ai është konstatuar duke ecur me shpejtësi në zonat e banuara dhe është sinjalizuar për të ndaluar.
Ai nuk është bindur policis dhe është larguar me shpejtësi në zonat ku ka përplasur një këmbësor në afërsi të shkollës Vasil Shanto, dhe një automjet taksi në rrugën Sulejman Delvina.
Më pas 30-vjeçari është kapur në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Nuk iu bind urdhrit të shërbimeve të Qarkullimit Rrugor, për të ndaluar, gjatë tentativës për t’u larguar aksidentoi një shtetas dhe përplasi një automjet, vihet në pranga 30-vjeçari.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ditën e sotme, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë konstatuar një automjet, drejtuesi i të cilit nuk rregullonte shpejtësinë në zonat e banuara dhe përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
Duke vlerësuar riskun që ky shtetas paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit, drejtuesi i të cilit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka aksidentuar shtetasin D. B., 61 vjeç, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas, në rrugën “Sulejman Delvina”, ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.
Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi D. Sh., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.