Një prej atyre vezëve që mbajnë në kurriz shenjën se vijnë nga fshati që ta grish edhe më shumë dilemën nëse prej saj erdhi pula, apo anasjelltas, tek e lëmon në gishta, vendosur pa estetikë në një kovë plastike, duke u bërë atraksioni i trotuareve tona, u ble sot me 350 lekë të vjetra.
Deri pak më parë, ishte 200 lek. Një shitëse në një dyqan të lezetshëm me ushqime bio, thotë se mbërriti këtu kjo punë, sapo filluan shkollat.
Vezët e fshatit si rregull nuk kanë lidhje me energjinë elektrike, as me gazin, dhe as me naftën. As të tërthortë, sado ta tjerrësh. Po edhe nëse preken, nuk ka llogjikë që të kushtojë sot gati dyfish.
Dhe kjo në pabesi të plotë, teksa Ahmetaj e Rama janë përveshur me orë të gjata e netë pa gjumë për të përgatitur planin e masave.
Rritja e çmimeve është tashmë një realitet. Dhe një zhvillim që po ndryshon rendin në vend.
Çmimet e larta kanë nisur me kohë, prej fillimit të vjeshtës, por tanimë që flitet ngado e bota e spekullimit ka hapur dyert, sekush që shet diçka, ndihet i lirë ta tarifojë sa të dojë.
Pjesa më e madhe e njerëzve do ta shohin veten shumë shpejt duke kaluar nëpër një shteg gjithnjë e më të ngushtë e më të thepisur, drejt fundit të muajit.
Ata, të pamundurit, që jetojnë tashmë në zgrip, të cilët janë të paktën 1/3 e shoqërisë, mund të përfundojnë në batakun e lëmoshës për të mbajtur frymën.
Nuk ka paketë qeveritare e kompetencë të tipit “ben ahmetaj” që do të mund të kompensojë diçka në jetën e ndoshta gjysmës së popullsisë, teksa batareja e çmimeve të larta po kris nga të katër anët.
Kjo krizë do të na vërë të gjithëve në provë, me gjasë do të ndikojë thellë në humorin, rutinën dhe stilin tonë të jetës.
Sakaq, në këto trazira do të kuturisen edhe aktorët kryesorë në vend, politika dhe vendimmarrësit. Një rracë për të cilën ka gjithnjë e më pak vemendje e respekt.
Qeveria dhe kryeministri pritet të kalojnë ditë të vështira pasi koha e ka treguar se shqiptarët mund të mos ngrihen në këmbë kur raporti i OSBE-ODIHR tregon që zgjedhjet ishin të parregullta, apo kur ndodh ndonjë skandal i madh. Po, kur vjen puna tek lëkura, tek buka, revolta mund të jetë prezente.
Një nga njerëzit që e njeh mirë këtë përmasë, është Edi Rama. Ndaj s’është e rastit që ai po u flet njerëzve. Në çdo komunikim të ditëve të fundit. Ndjen ai se retë mund të jenë të forta dhe të grumbullohen para kryeministrisë. Siç ndodhi pak ditë më parë, ku qindra u bënë bashkë, me një fishkëllimë në Facebook.
Teksa qytetarët janë të ndarë në 100 parti, simpati, mendime dhe ide, rritja drastike dhe tronditëse e çmimeve mund t’i mbledhë ata në një prej bashkimeve më të forta që njeh koha, dhe para kësaj padyshim se janë liliputë edhe më të gjatët e më të fuqishmit.
Tifozët e Ramës, të Salës, të Bashës, të Metës, apo ata që kanë shemritë e tyre për Juventusin, Milanin, Interin, Realin, e Barçën, Liverpulin a Bayernin, ka gjasa të gjëjnë strehë në të njëjtin stadium.
Pamundësia për të përballuar jetesën.
Përfytyrojeni vetë se çfarë energjie prodhohet aty.
Kjo, teksa Opozita ka aktualisht hallin e vet.
Një luftë e fortë po ndodh aty se kush do ta mbajë nën kontroll, kush do ta drejtojë Partinë Demokratike.
Dje Sali Berisha e shpalli fare hapur projektin dhe ambicien për t’u rikthyer në krye të demokratëve. Ndërsa la të kuptohej se nuk ka në plan të kandidojë më për kryeministër, pasi një tjetër figurë do të luajë në këtë rol.
A mundet që shoqëria në këto kushte të prodhojë një alternativë. Emocionet në skaj, dhe humusi për lëvizje, për populistë e të çartur që premtojnë përmbysje, do të jetë i volitshëm.
Ky dimër në prag, ngjan se do të jetë i akullt nga ana klimatike, por shumë i nxehtë politikisht.