Bota

Ç’ndodh me Korenë e Veriut, nëse Kim zhduket? Të gjithë pretendentët për pushtet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:57 - 28/04/20 |
mapo.al

Spekullimet rreth shëndetit të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, për shkak se nuk shfaqet në publik prej ditësh, mund të jenë të kota, por pyetjet se kush pritet ta zëvendësojë atë, qendrojnë. BBC ka bërë një raport të plotë, duke biseduar me analistë dhe njohës të vendit.


Një burrë nga familja Kim ka qënë gjithnjë në krye, qysh se Koreja e Veriut u themelua në vitin 1948, nga Kim ll sung. Mitologjia e kësaj dinastie, është shtrirë thellë në shoqëri. Propaganda rreth saj, nis përpara se fëmijët të mësojnë të lexojnë. Këndohet në kopshte kudo; “Dua të shoh liderin Kim Jong-un”.


Pra si mund të imagjinohet një Kore e Veriut, pa simbolin e figurës politike në majë. Si do të organizoheshin elitat dhe shoqëria në këto rrethana? Përgjigja e thjeshtë është: Nuk e dimë. Po ashtu, as ata vetë nuk e dinë, se asnjëherë nuk e kanë hapsur si temë, si pyetje, apo si përvojë.


Teksa Kim Jong-un po bëhej gati për pushtet, ata nisën të përdorin trashëgiminë e Paetku, për legjitimitetin e tij. Paetku, konsiderohet si një mal i shenjtë, ku Kim ll pat fituar luftën guerile, e ku Kim Jong il, pati lindur. Aktuali Kim, pra udhëheqësi i sotëm, shkon shpesh në atë vend, kur dëshiron të theksojë e marrë vendime të rëndësishme.


Gjithnjë ka pasur një Kim në zemër të ideologjisë së vendit.

Ç’mund të jetë Korea e Veriut pa ta. Kim Jong un, 36 vjeç, besohet se ka 3 fëmijë, por ata janë ende shumë të vegjël. Mendohet se i madhi është 10 vjeç, dhe i vogli vetëm 3. Dhe Kim Jong un, ishte konsderuar i ri kur erdhi në pushtet, teksa ishte 27 vjeç.

Vëzhguesit mund vetëm të tregojnë se kush janë në postet më kyçe dhe kanë sot më shumë pushtet atje, por zor se e dinë se si zhvillohet dinamika e brendshme e fraksioneve. Shpesh numrat dy nëpër institucione, janë më të fuqishëm se sa titullarët. Ndaj kjo e bën parashikimin shumë të vështirë.

Nga Kimët, janë 3 vetë potencialisht të mundshëm për të marrë pushtetin, nëse Kim Jong-un, del nga qarkullimi.

E para është motra e vogël e Kim, Kim Yo-jong. Ajo besohet se ka qënë favoritja e babait të saj, pasi ka treguar interes në politikë që herët. Ka një stil eficent dhe është vendimarrëse. Ajo është shfaqur shumë në publik, në dy raste. Në samitin Trump-Kim në Singapor, teksa i kalon një stilolaps vëllait të saj, Kim Jong-un, për të firmosur marrëveshjen. Dhe po ashtu, në samitin e Hanoit, teksa duket në një cep, kur dy liderët pozojnë për fotografët. Ajo aktualisht është një anëtare e byrosë politike dhe zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të agjitacion-propagandës. Një prej zyrave më të rëndësishme të vendit. Pika e saj e dobët është të qënit një grua, çka e bën të vështirë të imagjinohet se do të vijë në krye të hirearkisë së Koresë së Veriut, një vend që u takon totalisht burrave.

Të drejtosh dhe të komandosh ushtrinë, nuk shihet si punë femrash.

I dyti është, Kim Jong-chul. Ai është vëllai i madh i liderit. Por që, nuk ka treguar interes për pushtet, dhe mendohet se ka më shumë pasion për Eric Clapton. Raportohet se mund të marrë vetëm ndonjë pozicion honorifik dhe të lexojë fjalime.

I fundit është Kim Pyong-il, gjysëm vëllai i babait të udhëheqësit. I lindur nga njerka e paraardhësit të Kim. Mamaja e tij, luftoi shumë që ai të vinte në krye. Por dështoi dhe u mënjanua nga skena me kalimin e kohës. Kim Pyong-il u dërgua në Europë në vitin 1979, ku ka patur detyra në diplomaci dhe përfaqësim. Eshtë kthyer në Kore, vetëm vitin e kaluar. Kjo do të thotë se ai nuk ka kontaktet dhe rrjetin e duhur për të marrë pushtetin në Pyongyang.

Ka edhe aktorë të tjerë që kanë qënë mjaft afër me Kim Jong-un në epokën e tij. Një prej tyre, Choe Ryong-hae. Ai është në presidiumin e byrosë politike dhe kryetar i komisionit të punëve shtetërore, dhe përfaqëson Korenë në marrdhëniet me jashtë.

Ka patur poste në ushtri, dhe në organizatën e udhërrëfimit, një strukturë me shumë influencë që merret me besnikërinë ndaj partisë. Eshtë praktikisht numri 2 i Koresë së Veriut.

Kim Yong-chol, është një tjetër pretendent. Ky gjeneral përgatiti terrenin për samitin Trump-Kim, duke patur disa takime me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Ka qënë kreu i shërbimit inteligjent të vendit për shumë kohë, dhe përgjegjës për raportet me Korenë e Jugut.

Po ashtu, flitet edhe për Kim Jae-ryong. Si shefi i qeverisë, ai mendohet të jetë person me mjaft influencë në vend. Ai ka qënë një yll në ngjitje në vitet e fundit. Ka menaxhuar idustritë ushtarake dhe ka qënë i përfshirë në programin nuklear.

Nuk lihen mënjanë edhe funksionarë të tjerë, apo shefa të ushtrisë. Por më favoritët, janë emrat e përmendur në analizën më sipër.

Mes këtyre grupimeve, duhet parë se kush do të përplaset e kush do të bëjë aleancë. Kjo mund të çojë ndoshta edhe në kaos, por është në interesin e pushtetit të elitave, që shteti të mos bjerë. Aktualisht, nuk ka një pretendent perfekt. Motra e vogël, duhet të kapërxejë barrierën e seksizmit si kulturë e traditë. Askush tjetër, nuk i ka rrënjët, nga legjenda e gjakut, që lidhet me Paetkun. Por në fund, mendohet se ata sëbashku, do të mbrojnë shtetin që kanë ndërtuar dhe e kanë mbajtur ashtu, të izoluar nga gjithë bota. Mapo.al


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas