Një tjetër viktimë mes të prekurve nga Covid-19. Kryetari i Këshillit Bashkiak në Kavajë, Ramazan Cara, nuk ka mundur dot t’i bëjë ballë virusit vdekjeprurës. Cara ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare.
Lajmi bëhet i ditur nga kryebashkiaku Redjan Krali. Në një postim në “Facebook”, Krali shpreh dhimbjen për humbjen e mikut të tij, ndërsa e vlerëson për zemrën e butë, urtësinë e mendimit dhe besnikërinë e rrallë.
Ramazan Cara ndodhej i shtruar për kujdes mjekësor të specializuar në spital, prej datës 1 shkurt. Fillimisht ai u trajtua në banesën e tij në Kavajë, por pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore u dërgua në spital.
Postimi i Redjan Kralit në “Facebook”:
Shumë u lutëm për ty o mik i mirë, por kjo flamë të mundi!
Tepër e hidhur është ikja jote sot, për secilin nga ne që pati fatin të të njihte.
Të të njihte zemrën e butë, urtësinë e mendimit, besnikërinë e një miku të rrallë.
Nuk ka ngushëllim kjo humbje për familjen tënde; Zoti i dhëntë durim dhe forcë!
Të qoftë dheu i lehtë!