Aktualitet

COVID-19/ Kapërcejnë shifrat, në gusht më shumë se 13 300 të infektuar














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 01/09/21 |
mapo.al

Rezulton se 42 persona kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në këtë muaj, çka tregon se Shqipëria paraqitet më mirë se vendet e rajonit për sa iu përket fataliteteve. Gjithsesi shifra prej 13 mijë personash është alarmante, pasi sipas specialistëve nuk ka filluar ende dimri dhe infektimet shënojnë vetëm rritje. Ditën e djeshme u shënuan 1059 raste të reja ndërsa vendet në spitale po ezaurohen me shpejtësi. Gjithsej në vend regjistrohen 10 mijë raste aktive, ndërsa varianti delta i coronavirusit është 9 herë më ngjitës se variantet e mëparshme






Situata e Covid-19 duket se sa vjen e rëndohet. Pas një periudhe relativisht të qetë që filloi në muajin maj dhe deri javën e parë të gushtit, duket se ka rifilluar një valë e re epidemike e cila dje kulmoi me rreth 1054 raste ditore, dhe 3 humbje jete. Megjithatë duhet theksuar se për sa i përket fataliteteve Shqipëria pozicionohet shumë më mirë se vendet e tjera të rajonit, infektimet e reja po njohin vetëm rritje. Sipas një llogaritjeje të bërë nga MAPO duke iu referuar shifrave zyrtare, në 31 ditët e gushtit janë infektuar rreth 13346 persona, ndërsa ka pasur 42 humbje jete. Aktualisht të shtruar në spitale janë 96 persona, dhe në rast se vazhdohet me këto ritme atëherë shumë shpejt, mund të përballemi me një situatë si ajo e muajve të dimrit.


Rajoni
Shifrat do të fillonin të rriteshin në dhjetëditëshin e dytë të gushtit. Më datë 11 të këtij muaji Shqipëria shënoi 284 raste me koronavirus, ndërsa në ditët në vazhdim ka pasur vetëm progresion rritës. Kjo vjen dhe nga hyrja në masë e turistëve apo emigrantëve që ktheheshin për pushimet në atdhe, të favorizuar dhe nga lehtësimi i masave që aplikoi qeveria për të rritur turizmin. Por duhet theksuar se Shqipëria pozicionohet shumë më mirë se vendet e tjera përreth në lidhje me fatalitet. Vetëm dje Maqedonia e Veriut kishte 37 viktima në 870 raste. Po ashtu shifra të larta fatalitetesh regjistrohen dhe në Kosovë. Në muajin gusht janë regjistruar më shumë se 36 mijë raste ndërsa numri i fataliteteve ka arritur në 238 vdekje. Madje Shqipëria paraqitet më mirë se dhe Mali i Zi i cili megjithëse ka një popullsi disa herë më të vogël, sërish shënon shifra më të larta infektimesh dhe vdekjesh. Sipas institutit John Hopkins, në 28 ditët e gushtit Mali i Zi numëron 89 viktima, nga 38 që numëron vendi ynë.







Vaksinimet
Deri më tani rezulton se infektimet janë të paktën tre herë më të larta se gushti i vitit 2020. Nga ana e ISHP nuk jepen të dhëna se sa është përqindja e personave të infektuar të cilët kanë bërë vaksinën e plotë ose së paku dozën e parë. Deri më 18 gusht, Ministria e Shëndetësisë raportonte për më shumë se 1.3 milion vaksinime prej të cilëve më shumë se 500 mijë prej tyre kanë marrë të dyja dozat. Muaji gusht është shpallur si muaji i hapur i vaksinimeve, megjithëse vihet re një neglizhencë e theksuar te qytetarët. Nga ana tjetër, eksperienca nga vendet e tjera ka treguar se varianti i ri delta ka rezultuar rezistent ndaj vaksinave, dhe shumë vende po mendojnë për dozën e tretë të vaksinës, sidomos për personat në moshë të vjetër, dhe ata që kanë mbi tetë muaj që i kanë marrë të dy dozat e saj. Në rast se do vazhdohet në këtë praktikë duhet theksuar se Shqipëria është shumë mbrapa. Instituti amerikan John Hopkins e rendit vendin tonë me 20% të popullatës së vaksinuar që gjithsesi është shumë larg imunitetit të tufës që duhet të jetë së paku 70% siç flasin studimet.




Dimri
Duke njohur normën e përhapjes së variantit të ri delta, specialistët janë të mendimit se Shqipërinë e pret sërish një vit i vështirë, dhe problem mbetet kolapsi i sistemit shëndetësor. Më optimistët shprehen se variant i ri është më i lehtë se ai britanik dhe duke pasur parasysh dhe imunitetin që jep vaksina besojnë se hospitalizimi nga ky variant do jetë më i rrallë. Gjithsesi shifrat flasin ndryshe. Përhapja me shpejtësi dhe në një numër më të madh popullsie se variantet e mëparshme mund të sjellë të njëjtën situatë si ajo e shkurt marsit të 2021 e cila ka qenë dhe më e rënda sipas institutit John Hopkins për Shqipërinë. Në atë kohë Shqipëria renditej e para në kontinentin europian për numër popullsie e cila prekej nga koronavirusi, në një mesatare prej 369 personash të infektuar për 1 milion banorë. Kjo shifër regjistrohej gjashtë muaj pasi dolën të dhënat e gushtit, ndërsa me këto ritme të shfaqjes së koronavirusit të ri, kjo shifër në muajt e dimrit mund të shumëfishohet. Zgjidhja më e mirë sipas ekspertëve është vaksinimi derë më derë i banorëve, ndërsa për disa kategori si mjekët, mësuesit, apo dhe sektorë të shërbimeve private duhet të jetë i detyrueshëm.



Statistika (31 Gusht 2021)

Raste të reja ditore 1054
Të shëruar në 24 orë 469
Të shtruar në spitale 96
Humbje jete në 24 orë 3
Testime ditore 7,256

Testime totale 1,047,380
Raste pozitive 146,387
Raste të shëruara 133,801
Raste Aktive 10,088
Humbje jete 2,498

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 3,638
Shkodër 1,789
Vlorë 908
Durrës 778
Fier 695
Lezhë 567
Elbasan 497
Berat 352
Gjirokastër 281
Korçë 254
Dibër 169
Kukës 160

1


Etiketa: , , ,

Pas