Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se Shqipëria është duke u përgatitur për të përballuar situatën me koronavirusin duke menduar skenarin më të keq, si në Italinë fqinje të prekur nga COVID-19. Rakacolli tha se nëse do të arrihet në pikën që spitali Infektiv në QSUT të mbushet me pacientë, atëherë është menduar për të kthyer në karantinë edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, ose Sanatoriumi siç njihet.
“Vetëm 3 të shtruar kemi në të gjithë spitalin Infektiv. Edhe nëse do të mendojmë për skenarin më të keq si në Itali, nëse do të mbushet infektivi, se ata edhe shërohen, ka një qarkullim, do të dalin, do të kemi edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, i kemi marrë të gjithë masat. Edhe nëse shkojmë në këtë situatë, nuk do t’i pritet fare kujdesi njerëzve të tjerë. Do kemi shtretër të ndarë nga ana që kanë COVID-19″, tha zv.ministrja Rakacolli.