Kryesore

MAPO WEEKEND: COVID dhe ekonomia, ç’po ndodh në Shqipëri





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:55 - 11/07/20 |
mapo.al

Të gjitha të dhënat flasin se Shqipëria po shkon drejt një krize ekonomike. Borxhi ka tejkaluar shifrat historike të gati 80 për qind të PBB-së, ndërsa shifrat e pandemisë flasin se kjo situatë do të va zhdojë gjatë. Për ish-ministrin e Financave Arben Malaj, dalja nga kriza e borxheve duhet të kalojë në disa faza, por kjo sduhet të imponojë shkurtime të ndjeshme buxhetore pasi mund të vrasë rritjen ekonomike. Ndërsa mjeku Renato Osmënaj, në intervistën e tij shpjegon tendencën në rritje të shifrave të pandemisë


Të gjitha të dhënat flasin se Shqipëria po shkon drejt një krize ekonomike. Bizneset e vogla nuk po arrijnë t’i mbijetojnë mjedisit me të ardhura të pakta, por dhe humbjeve që patën për shkak të mbylljes totale nga pandemia. Të tjerët, bizneset e mëdha apo të mesme po qarkullojnë paratë e fundit në kushtet e vështirësisë së lëvizjes së mallrave për shkak të mbylljes.


Turizmi, një tjetër sektor i rëndësishëm i ekonomisë që pompon rreth 1.8 miliard euro çdo vit, sivjet po përballet me mungesën e turistëve dhe indiferencën qeveritare. Dhomat e hoteleve dhe shezlongët e plazheve që mbushen në fundjavë nuk mund të përballojnë dot qiratë, rrogat dhe shpenzimet e tjera vjetore. Rënia e Prodhimit Përgjithshëm Bruto për këtë vit llogaritet nga 1.5-1.8 miliard euro, para që do i mungojnë ekonomisë shqiptare.


*****


Por nuk është vetëm kjo. Një akt normativ që mban datën 2 korrik të këtij viti, e detyroi qeverinë shqiptare të ndërhynte sërish në buxhet. Të ardhurat për vitin 2020 rezultojnë në446.570 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 579.535 miliardë lekë. Diferenca, prej 132.9 miliardë lekësh, ose rreth 1.2 miliard lekë korrespondon me gati 8.4 për qind të PBB dhe kjo vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit. Por, nuk është vetëm pandemia ajo që ka sjellë rritje të borxhit publik.

Rama dhe qeveria e tij rezultojnë huamarrësit më të mëdhenj nga të gjitha qeveritë shqiptare në këta 30 vjet. Në vitin 2013, Shqipëria kishte një borxh publik prej 6.3 miliardë eurosh, dhe ka pasur rritje progresive vit pas viti. Sot borxhi publik ka arritur në më shumë se 10 miliardë euro ose rreth 80 për qind e GDP. Pra, që nga ardhja e tij në pushtet qeveria Rama ka marrë rreth 4 miliardë euro borxhe në tregun e brendshëm e të jashtëm. Duket se vetë qeveria nuk ka lëvizur nga shpenzimet e saj në prokurime apo pagesa PPP, megjithëse shifrat në mbledhjen e të ardhurave, sidomos përgjatë dy muajve të pandemisë po shkonin drejt gropës.

Nga ana e saj, opozita e ka akuzuar shpesh për zhvillime tenderësh të panevojshëm në kohë pandemie, të cilat duket se kanë rritur dhe artificialisht faturën financiare. Shifra prej 100 milionë dollarësh që u shpërndanë në formë ndihme për ata që humbën vendet e punës, është shumë larg nga deficiti që pretendon qeveria se është shkaktuar për shkak të pandemisë. Për rritjen e borxhit qeveria ka ndryshuar dhe ligjin e vitit 2008, në nenin 4/1 ka shtuar paragrafin “Masa e deficitit buxhetor nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit, përveçse në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme që parashikohen në nenin 4/4, të këtij ligji.”

*****

Dhe përballë kësaj situate Shqipëria përballet me një rritje të ndjeshme të të infektuarve me koronavirus. Një rikthim në karantinë do të ishte një vetëvrasje shoqërore thotë ish-ministri i Financave Arben Malaj. Mjeku Renato Osmënaj, shprehet se pas hapjes Shqipëria duhet të ishte e përgatitur për një rritje të numrit të rasteve, ndërsa menaxhimi i pandemisë u duhet lënë në dorë ekspertëve.

Gjithsesi ai thotë se fuqia virale e Sars Cov-2 ka rënë, dhe kjo shihet te rënia e numrit të të sëmurëve me vështirësi respiratore. Por si mund të dilet nga kjo situatë ekonomike dhe pandemike, cilat janë rrugët për të shpëtuar ekonominë nga kriza, dhe shoqërinë nga kolapsimi i sistemit shëndetësor. Mjeku Renato Osmënaj dhe ish-ministri i Financave Arben Malaj, flasin në dy intervista për gazetën MAPO.

Malaj: Rama dështoi të thithte fonde nga donatorët​​​

Ish-ministri i Financave Arben Malaj, në një intervistë për MAPO shprehet se kriza e borxheve nuk duhet të ndikojë në shkurtimin buxhetor të investimeve, pasi kjo do të sillte vrasjen sipas tij të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, Malaj shprehet se një rikthim në karantinë do ishte vetëvrasje për ekonominë e vendit.

Zoti Malaj, qeveria ka deklaruar një borxh prej gati 1.2 miliard euro për vitin 2021, në një kohë kur kanë kaluar vetëm 6 muaj. Në perspektivën afatshkurtër, a rrezikohemi nga një krizë ekonomike, pra a ka forcë ekonomia shqiptare të përballojë një rritje të tillë?
Borxhi është si kolesteroli në organizëm i cili ka nivele të shëndetshme dhe nivele kërcënuese për jetën. Jeta me kolesterol të keq është gjithnjë një jetë e vështirë. E tillë është edhe jeta e çdo populli ku borxhet individuale, borxhet e bizneseve dhe borxhet e shtetit rritet në nivele kërcënuese. Dështimi i Rama-qeverisë për të përfituar fonde nga donatorët e projekteve nën vlerësimin e konferencës së Berlinit siç është korridori blu, dështimi i thithjes së donacioneve të donatorëve të konferencës së donatorëve për tërmetin, nuk bëhet thjesht dhe vetëm nga paaftësia apo lodhja, por bëhet sidomos nga tendencat korruptive dhe kapjes së shtetit që bëjnë përfituesit abuzivë nga projekte dhe financime publike.

Çfarë duhet bërë në këto kushte, kur borxhi ka arritur në 80% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto, për ju cila është rruga e daljes nga kriza?
Dalja nga kriza e rëndë e borxheve kalon në disa faza. E para është inventarizimi i saktë i borxheve të njohura dhe të fshehura. Ka ndodhur që qeveri të ndryshme kanë falsifikuar statistikat fiskale për të fshehur borxhin publik. E dyta është ristrukturimi i borxheve dhe kostos së tyre, shndërrimi i borxheve tregtare afatshkurtra dhe afatmesme në borxhe afatgjata nëpërmjet instrumenteve të menaxhimit të borxhit.

E treta, ndërtohen paketa fiskale kundër krizës së borxheve qëndër sa në periudhë afatshkurtër borxhi rritet, në afatmesëm dhe afatgjatë ai bie gradualisht. Ky koordinim bëhet që pagimi i borxheve të mos imponojë shkurtime të konsiderueshme të shpenzimeve dhe investimeve buxhetore pasi kjo vret rritjen ekonomike.

Në strukturën e këtyre paketave të aplikuara nëhistorinë e krizave të borxheve të shumë vendeve bie në sy se për të kaluar nga deficitet buxhetore primare të larta në suficit primar, kërkohen shkurtime në krahun e shpenzimeve dhe rritje e të ardhurave. Por për të krijuar stabilitet të financave publike dhe qëndrueshmërisë së tyre përballë krizave dhe goditjeve strategjia më e mirë është rritja me ritme më të larta të ekonomisë, rritje e aftësisë parandaluese të krizave, rritja e aftësisë absorbuese të goditjeve të jashtme dhe një rritje e drejtë që nënkupton një rritje që rrit punësimin, lufton papunësinë, varfërinë dhe pabarazinë.

Qeveria ka deklaruar investime të mëdha publike për vitet në vazhdim, si tuneli i Llogarasë, aeroporti i Vlorës, hidrocentrali i Skavicës, rindërtimi me paratë e buxhetit të Teatrit Kombëtar etj. Sa të realizueshme janë ato në situatën që ndodhemi?
Qeverisja e çdo vendi nuk ngjan me një copë letër ku zhargavit, por është arti i të pamundurës. Asnjë vend nuk mund ta ndërtojë dhe modernizojë infrastrukturën fizike (e cila është më pak e dobishme se investimi në kapitalin human dhe social), me paratë e taksapaguesve të vendit të tij. Analizoni historinë e investimeve në infrastrukturë të Greqisë, Spanjës, Portugalisë, Rumanisë dhe Bullgarinë që janë përfituese neto nga buxheti i BE dhe me mbështetje financiare edhe nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë investuar në infrastrukturën fizike, por edhe në kohezionin dhe solidaritet social midis vendeve më të pasura dhe vendeve më të varfra të BE-së.

Po vihet re një rritje e ndjeshme e rasteve me COVID-19. Në skenarin më të keq, çfarë do të thotë një rikthim në karantinë e Shqipërisë?
Ndjesë por do të ishte një vetëvrasje shoqërore. Shqetësimi është i madh por duhet të mbështesim mjekët e talentuar që ta menaxhojnë riskun e përhapjes. Kostot po i paguajmë tani. Vendi ynë është bllokuar me vendet e tjera si përpara viteve 90. Atëherë ishte bllokim për shkak ideologjie, kjo që ndodh tani është më e rëndë, është bllokim për efekt pandemie dhe paaftësie.

Mund të mirëkuptohen mbyllje pjesore por jo një rikthim në një mbyllje totale si në fillimet e pandemisë. Pasojat humane, sociale, ekonomike dhe buxhetore të një mbylljeje të dytë do të ishin katastrofike. Të bashkohemi të gjithë për ta ndalur përhapjen e pandemisë. Detyrimi i parë për gjithsecilin prej nesh është respektimi i detyrimit të vendosjes së maskave/ Detyrimi i dytë respektimi i distancës dhe detyrimi i tretë respektimi i higjienës personale. Të tria bashkë këto detyrimeve bazike të protokolleve të mbrojtjes dhe ndaljes së përhapjes janë tri kolonat ku mund të mbështetet një strategji e fitores kundër valës së dytë

Renato Osmënaj: Pse u rritën shifrat dhe si u trajtua deri tani pandemia

Një analizë kritike e situatës për gazetën MAPO nga doktor Renato Osmënaj, imazheristi i infektivit. Ku çaloi puna e autoriteteve dhe pasojat që po sjell gjendja aktuale. Zëri kritik i doktor Renatos, që nuk kursehet për të vërtetat e tij.

-Doktor çfarë analize keni për shpërthimin e rasteve pas rihapjes, a pritej në këto përmasa dhe sa shqetësuese është për ju?
Ishte një situatë e pritshme mbas izolimit total (për mua i pakuptimtë) për rreth 2 muaj pasi prej këtij izolimi u ndërpre zhvillimi normal i epidemisë gjë që solli si pasojë mungesën e normalitetit të kurbësNë këto momente kjo kurbë është pak më e fryrë në shifra por me stabilitet për fundin e saj (bishtin). Shtimi i numrit të rasteve ka ardhur si pasojë e mungesës së një strategjie eficiente dhe gabimeve të bëra në fazat e hapjes duke mos ndjekur me kritere specifike çdo fazë të hapjes së vendit. Në javën e fundit të janarit kemi pasur rreth 3400 të sëmurë në ditë me infeksione respiratore sipas të dhënave të ISHP, ndërsa sot mund të jenë 60 të sëmurë nga infeksione respiratore relativisht të rënduara. Gjatë hapjes së vendit burimi i parë i infeksionit u bënë Institucionet Shëndetësore dhe pas tyre administrata shtetërore. Në këto kushte, situata doli jashtë kontrollit të drejtuesve të Task-Forcës.

-A është ky lloj analizimi, me tamponë, mënyra më e mirëpër të marrë vesh gjendjen reale?
Tamponimi është një nga metodat e parandalimit kur ai është në numër të konsiderueshëm (duhet të kemi parasysh fals-negativitetin e rezultatit dhe vonesat e kryerjes së tamponit dhe dhënies së përgjigjes). Në vendin tonë nuk u bë asnjëherë tamponimi në shifra të konsiderueshme të cilat mund të merreshin si bazë për të analizuar situatën e epidemisëAktualisht, pjesa e konsiderueshme e personave të infektuar po ndiqen me CT si për tu diagnostikuar nga COVID-19, ashtu dhe për të bërë ndjekjen e sëmundjes. Arsyeja e parë është vështirësia që hasin për bërjen e tamponit dhe arsyeja tjetër është diagnostikimi i hershëm i cili është dhe kushti kryesor në shërimin e tyre.

Aktualisht në vendin tonë kanë humbur efikasitetin masat parandaluese të ndërmarra nga komiteti. Duke pasur parasysh që në fazën akute pozitiviteti në diagnozën me CT arriti 98% kam propozuar që në muajin prill, që Triazhimi duhej të kryhej në ditën e 2-3, bazuar në vlerësimin klinik nga MF, LABORATORIK GJAK KOMPLET +PCR + CT. Kjo ishte tërësisht e mundur pasi të gjitha spitalet rajonale kanë kapacitet për kryerjen e këtij Triazhimi, i cili diagnostikon, stadifikon dhe bën prognozë të hershme të patologjisë e cila përmirëson dukshëm shërimin.

Rezervat e mia për të dyja mënyrat e depistimit, qoftë tamponi qoftë serologjia lidhen me:

1. Fals-negativitetin e tamponit që është 45%

2. E vetmja aparaturë që kryen serologjinë është blerë në 2009 me mangësi teknike dhe në bazë të provave shkencore anti-trupat mund të krijohen 3-6 muaj mbas kalimit të sëmundjes.

-Si po menaxhohet sipas jush gjendja nga autoritetet shëndetësore, a kemi numrin e duhur të shtretërve dhe mjeteve për trajtim?
Lufta antiCOVID në vendin tonë e ndau sistemin shëndetësor në dy kampe: në frontin politik dhe atë mjekësor gjë e cila solli moskoordinim veprimi brenda strukturave shëndetësore. Dhe si pasojë pati:

1. Keqmenaxhim në drejtim të krijimit të një infrastrukture spitalore adekuate, si p.sh. krijimi i dhomave me presion negativ e cila do të mundësonte uljen e dozës virale të kontaminimit për të sëmurët dhe uljen e riskut të infektimit për personelin.

2. Dëmi më i madh që iu bë sistemit ishte largimi nga skema e parandalimit e MJEKUT të Familjes dhe centralizimi drejt urgjencës kombëtare e cila solli vonesa prej 10-15 ditësh nëdiagnostikimin e sëmundjes.

3. Interpretimi politik i situatës me një panikim të pavlerë qoftë të popullatës apo punonjësve të sistemit shëndetësor, çoi në një çoroditje si për punonjësit shëndetësor ashtu dhe për qytetarët.

-Kemi disa raste të përsëritura me vdekshmëri në mosha të reja, si e shpjegoni ju këtë?
Fatalitetet e një sëmundjeje fatkeqësisht nuk kursejnë as moshat e reja por ajo që unë mendoj është se kjo ka ardhur si pasojë e mos diagnostikimit të hershëm të tyre apo dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese që mund të kenë pasur. Vdekshmëria në moshat e reja lidhet me diagnostikimin e vonshëm të sëmundjes dhe avancimin e saj në prekjen e pulmonit. Është e vërtetë që ky virus ka shumë të panjohura por gjithashtu është e vërtetë se përvoja e deritanishme ka treguar që sa më herët të kapet sëmundja aq më i sigurt është shërimi i saj.

-Si duhej trajtuar që në fillesë pandemia, a kishte ndonjë mënyrë për ta mbajtur nën kontroll?
Ka modele të njohura të suksesshme që janë përdorur në të gjithë botën për parandalimin e kësaj pandemie. Modeli që u përdor te ne ishte një copy paste i shëmtuar dhe përveç kësaj tanket e nxjerra në rrugë ishin origjinalitet i kësajqeverie.

Kam propozuar që në fillim modelin izraelit, krijimin e imunitetit dhe paralelisht kujdesin dhe distancimin për moshat e treta. Ky virus është virus i ambienteve të mbyllura dhe kohës së zgjatur të ekspozimit gjë që e bën mjaft të dyshimtë rolin e mjeteve mbrojtëse si maska, mbasi mendoj se ka më shumë efikasitet ajrosja e ambienteve të mbyllura. Faktet kanë treguar që edhe personat që kanë qenë striktë në rregullat e mbrojtjes personale (deri më të sofistikuarat si veshjet spitalore) përsëri janë kontaminuar.

-Ju keni qenë një kritik që në fillim, a keni pasur mundësi ti bëni të ditura shqetësimet pranë autoriteteve ose komitetit të eksperteve?
Unë jam mjek dhe kam një imazh publik pasi kam 20 vite që iu shërbej qytetarëve të këtij vendi. Kritikat dhe sugjerimet e mia kanë qenë pothuajse të përditshme nëpërmjet rrjeteve sociale ashtu si kanë qenë të përditshme kuraja dhe këshillat mjekësore të domosdoshme për qytetarët apo të gjithë të njohurit e mi.

Në vazhdimësi kam komunikuar me stafin mjekësor të spitalit infektiv, pjesë e të cilit kam nderin të jem dhe respekti për ta është maksimal.

Duke mos pasur mundësinë e kontaktit me komitetin e shpëtimit kam përcjellë mesazhe mjaft profesionale për ta nëpërmjet rrjeteve sociale dhe TV. Ajo çfarë kam kuptuar këta muaj është që ky komitet mund të quhet thjesht një vesh i shurdhër.

Pavarësisht se është ndoshta vonë po iu bëj thirrje publike jo profesionistëve të fushës që kjo luftë duhet të drejtohet nga ekspertët e mjekësisë aktive ndaj luftës anticovid dhe jo nga Rama, Ogerta apo Tritan Shehu.

-Cili mendoni se do të jetë ndikimi i kësaj gjendjeje nëturizëm, a ka ndonjë mënyrë për të shpëtuar sezonin sipas jush?
Situatën e turizmit në vendin tonë e shikoj të trishtueshme mbasi jemi të identifikuar si një nga shtetet më të dobëta në menaxhimin e epidemisë. Duke qenë se i gjithë menaxhimi shëndetësor kryhet vetëm në një spital qartazi kemi pranuar që strukturat tona spitalore janë jashtë funksionit dhe pa kapacitet pritjeje cilësor dhe sasior për të sëmurët e rastësishëm në të gjithë vendin, ku përfshihen dhe turistët.

Me keqardhje kam mësuar nga kontaktet e mia personale që agjencitë turistike reklamojnë një risk të lartë për vizitat turistike në vendin tonë. Pra ne, për agjencitë e udhëtimit dhe ato turistike, jemi vend i pasigurt në menaxhimin e problemeve shëndetësore, qofshin covid apo jocovid.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas