Aktualitet

COVID19…gjendja është serioze, por s’ka vend për panik





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:35 - 28/02/20 |
Artan Koni

Artan Koni


Bota është pushtuar nga frika e coronavirusit, një sëmundje relativisht e lehtë e cila ngjan me gripin. Arsyeja pse shumë shtete po alarmohen dhe po marrin masa ekstreme është sepse ky është një virus i ri, një virus me të cilin askush nuk ka pasur kontakt më parë…rrjedhimisht, askush nuk ka imunitet ndaj kësaj sëmundjeje. Është e vërtetë që ky virus ka vdekshmëri të ulët, biles shumica e njerëzve të cilët e marrin virusin, e kalojnë me simptoma të lehta. Është pikërisht kjo arsyeja pse ky virus po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën. Ajo shumicë njerëzish të cilët e kalojnë lehtë, është vështirë të evidentohen…sepse nuk mund t’i bësh analiza gjithë popullsisë…duke qenë vështirë evidentimi, këta njerëz me virus por pa shqetësime të rënda, vijnë vërdallë nëpër qytet duke përhapur sëmundjen te të tjerët. D.m.th., duke qenë sëmundje e lehtë, përhapet më shpejt, rrjedhimisht, përhapet më shumë tek ajo shtresë e popullsisë e cila ka imunitet të dobët…ajo shtresë e cila ka vdekshmëri të lartë nga ky virus.



Bazuar në këto arsye, shumë vende të botes kanë zbatuar modelin e karantinës, një metodë efikase për zvogëlimin e përhapjes së sëmundjes në një zonë të caktuar. Karantina nuk dëshirohet nga asnjë qeveri, normalisht. Karantina do të thotë rënie të ekonomisë, kolaps në shoqëri, pezullim i disa shërbimeve të caktuara…Nuk është e lehtë të marrësh masa të cilat do dëmtojnë ekonominë e një shteti, por unë mendoj se jeta e njeriut vlen më shumë se çdo humbje ekonomike. Me të vërtetë do humbasim disa lekë, do privohemi nga disa shërbime…por do kemi parandaluar vdekjen e shumë njerëzve.


Vijmë te rasti i Shqipërisë sonë…me këtë shpejtësi përhapjeje globale, është çështje ditësh ardhja e virusit në Shqipëri…në mos ka ardhur që tani që flasim. Ardhja e virusit nuk do të thotë që do kemi të sëmurë që ditën e parë, sepse virusi ka një periudhe inkubacioni mesatarisht 7-10 ditë (periudha e inkubacionit është koha nga marrja e virusit deri në shfaqjen e simptomave). Kështu që logjikisht, duhet të monitorohen me kujdes njerëzit të cilët vijnë nga zona ku janë konfirmuar tashmë rastet me coronavirus. Në këtë aspekt, monitorimi i personave të cilët vijnë nga jashtë duhet të bëhet nëmënyrë strikte, jo thjesht duke i matur temperaturën në ballë atyre që zbresin nga trageti p.sh. Duhen përgatitur zona të caktuara karantine, zona të cilat duhet të bëhen publike, njerëzit duhet ta dinë ku do shkojnë dhe si do procedohet me ta në këto zona karantine. Duhet krijuar një staf i caktuar personeli mjekësor, punonjësish socialë dhe punonjës të rendit të cilët duhet edhe të trajnohen për këtë detyrë të re…dhe më e rëndësishmja, të bashkërendojnë detyrat me njëri-tjetrin.

Për rastet që do shfaqen në Shqipëri me coronavirus (dhe të jeni të sigurt që do shfaqen), qeveria duhet të jete sa më transparente, duke informuar popullsinë dita-ditës për masat e marra. Qeveria nuk duhet ta shohë transparencën ndaj publikut si një rrezik për përhapje paniku. Përkundrazi, terri informativ mendoj se krijon më shumë panik. Kjo është edhe arsyeja që vendet e zhvilluara i raportojnë menjëherë rastet me këtë sëmundje.

Stafi mjekësor në spital është grupimi më i rrezikuar ndaj këtij virusi, kështu që duhet të shtohen masat e sigurisë në të gjitha spitalet e vendit. Maskat nuk vlejnë për popullatën në përgjithësi, por personeli mjekësor e ka të domosdoshme përdorimin e maskës. Personat të cilët shfaqin simptomat e këtij virusi, normalisht duhet të shkojnë në një pikë të përcaktuar nga shteti për t’u ekzaminuar, jo të shkojnë në poliklinikën e parë ose spitalin e parë qe iu del përpara…sepse kështu përhapet akoma më shpejt sëmundja. Prandaj është shumë e rëndësishme që qeveria të ngrejë pika kontrolli nëpër rrethe të ndryshme, pika të cilat tëpërdoren për të seleksionuar rastet që realisht kanë këtë virus dhe nuk kanë një grip të thjeshtë.

Kjo ishte për sa u përket masave që duhen marrë nga një qeveri e përgjegjshme, ka edhe disa masa që duhen marrë nga secili prej nesh:

-lani shpesh duart;
-mos vini dorën kur të teshtini, mund të ngrini bërrylin ose mund të përdorni një facoletë, të cilën duhet ta përdorni vetëm 1 herë.
-evitoni ambientet e mbipopulluara. Është e vështirë t’i thuash një punonjësi i cili sapo ka dalë i lodhur nga puna “mos hip në autobus”, por këto janë masa të nevojshme për parandalimin e përhapjes.
-evitoni udhëtimet në qytete të tjera.
-nëse jeni personel mjekësor, përdorni maska.
-mbani një distancë rreth 2-3 metra me njerëzit e tjerë, sepse kjo konsiderohet një distancë e sigurt ndaj përhapjes së virusit.

Si përfundim dua t’ju kujtoj se kemi rreth 650 mijë të moshuar në Shqipëri, e cila është mosha më e rrezikuar nga ky virus… nuk janë të botës, janë nënat e baballarëttanë. Masat që duhen marrëjanë tëvështira e të kushtueshme…por jeta e njeriut është gjëja më e shtrenjtë në këtë botë.

Mos harroni që paniku dhe ankthi e dobëson sistemin tonë imunitar, sistem i cili është mbrojtja më e mirë që kemi ndaj këtij virusi. Prandaj mos bëni panik…por gjithashtu mos e konsideroni këtë situatë më pak serioze se çështë realisht!!


Etiketa: ,

Pas