Editorial

Ç’po ndodh, Basha ndez sheshet, Ramës i mungojnë batutat

Mapo.al


Një kontrast po vihet re këto ditë në skenën politike. Nga njëra anë po befason Lulzim Basha me takimet në rrethe, me pritjet entuziaste, me një lloj shpërthimi në sheshet e rrugët e qyteteve, dhe çka bie më shumë në sy, kjo po ndodh nëpër Mallakastër, Gjirokastër e Vlorë, e sot në Lushnje, ku nuk është se njerëzit shkulin flokët për PD, dhe nga ana tjetër, kemi një shfaqje të zbehtë të mezidukshme të Edi Ramës. Edhe kur del me turin e ambalazhuar së fundmi me brandin, “Bashkia që duam”, Ramës i mungon humori, nuk ka më ato batutat tipike që ngacmonin, shkaktonin gajasje, dhe reagim.

Kjo pamje e politikës me dy portrete, me Bashën mes njerëzve, të qeshur, energjik dhe entuziast, dhe nga ana tjetër me Ramën nopran, pa humor, pa frymëzim, po i bën përshtypje shumëkujt. Disa mendojnë se opozita po ngjiz, atë për të cilën kishte shumë nevojë, dhe që akuzohej se nuk e bën dot, pra është fjala për çka cilësohet si, frymë. Tingëllon se një frymë po krijohet. Jo vetëm nga zhgënjimi, nga keqqeverisja, konsumi i vitit të 6-të të qeverisjes, por sidomos nga gjendja e të fikëtit që qeveria dhe kreu i saj, kaloi pas protestës së studentëve dhe një skandali të pashoq, siç ishte dhënia e gati 40 milionë eurove një firme, që u zbulua se ishte totalisht fantazmë, apo ballores që mori në mjekër për raportit të Zërit të Amerikës, ku doli lidhja e kërthinjtë e shefave të mëdhenj me banditët e njohur, marrje-dhënia e tyre në fushata e votime.

Akrobacia me ndryshimin e qeverisë nuk ka dhënë efekt. Nuk ka prodhuar impulse, apo pritshmëri të reja. Në krye të superministrisë së Infrastrukturës, u vendos një zonjë, e cila, ende pa gdhirë një muaj në detyrë, u kap duke komunikuar me mesazhe me një deputet të PS, me një gjuhë banale e tepër arrogante, sikur të ishte ajo një gjysmë perëndie që vendos për fatin e njerëzve, pra hiq një kryetar bashkie, vendos një tjetër, mbylli karrierën dikujt, e çelja një tjetri.

Me pedagogët kundër, që janë inteligjenca e vendit, me studentët më e pakta të zhgënjyer e hatërmbetur, me fare pak punë publike, me asnjë investim të huaj, me varfërinë që rritet, me mungesën e emrave që t’i bëjnë avokati qeverisjes së tij në publik, Edi Rama duket se po kalon ditë të vështira. Pa humor, pa batuta, pa grintë. Kryeministri e ka një prej armëve më të forta qesëndinë, shpotitjen e kundërshtarit, e sidomos, kur mundohet të bëjë qesharake faktet e forta, skandalet, ngjarjet e rëndësishme, dhe aksionet e opozitës. E fundit batutë e Ramës, ishte në Elbasan shumë ditë më parë, kur bëri hoka me një biznesmen, teksa e pyeste nëse ishte me precedent, apo merrte dot vizë amerikane, meqë po bënte foto me të.

Kjo situatë dëshpëruese, gati depresive e qeverisë, është sigurisht arsyeja kryesore pse po ndizen shkëndijat në sheshet e qyteteve ku shkon Basha. Me gjasë, 16 shkurti do jetë një protestë e madhe, dhe njerëzit e kanë ndarë mendjen të përgjigjen. Qytetarët po kërkojnë ndryshim, edhe pse lideri i opozitës nuk është se po del me teza të reja, me kauzë impresionuese, apo qoftë edhe me fjalor të pahasur më parë. Ai po merr vëmendje, po rrethohet nga njerëz, thjesht duke treguar se është me ta, se ka energji, dhe u gjendet pranë, iu dëgjon hallet, e përpiqet t’i bindë se ka një plan të thjeshtë dhe efikas ekonomik. Basha nuk bën askënd të hidhet përpjetë, nuk e ka atë karizëm. Por ia ka dalë t’u tregojë njerëzve se është normal, dhe është dikush që nuk kërkon bujë, lozha e vëmendje ndërkombëtare, as të jetë lideri bombastik i një vendi nga Ballkani. Por një kryeministër i një vendi me shumë halle, që mund të përmirësohet e të zhvillohet nëse ke prioritet njerëzit, dhe jo një grusht njerëzish.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas