Sot Sandër Lleshaj i vuri vulën një hesapi brenda mazhorancës, për t’ia faturuar deri në fund shembjen e Teatrit Kombëtar, Bashkisë së Tiranës. I thirrur në një interpelancë, ai e nxori fort mirë në dukje se policia ishte bërë pjesë e aksionit, se këtë e kishte kërkuar Erjon Veliaj.
Ministri i Brendshëm foli edhe për zaptues të paligjshëm, por theksi ishte se pronari i godinës, kishte kërkuar ndërhyrjen.
Edi Rama e kuptoi shpejt të Dielën e 17 majit, që pasojat e shembjes së Teatrit, shkuan përtej parashikimit. Dhe sot po mundohet të shpëtojë, çfarë mund të shpëtohet.
Teksa në nivel europian imazhi i është rrënuar e ka shkuar bashkë me rropullitë e Teatrit, duke qënë se mediat më të rëndësishme të kontinentit dhe zyrtarë të lartë e drejtuan gishtin nga ai, duke e quajtur krim, barbari dhe duke shprehur zhgënjimin se si një politikan që ishte marketuar si artist, mund të arrinte në këtë pikë, tashmë kryeministri po rreket me çdo mjet e marifet, që të paktën të zbusë kostot e aktit, këtu brenda, në fshatin tonë të madh.
Dhe mënyrë më efikase ngjan, t’ia hedhë në kurriz sa më shumë, Erjon Veliajt, gërmadhat morale, politike dhe ligjore. E ka kuptuar mirë se pakënaqësia dhe revolta ngjit jo pak në shtatin e atij që vetë e futi në politikë, e rriti e promovoi dhe e caktoi edhe Kryetar Bashkie.
Me këtë rast, një rrugë e dy punë. Lan duart nga skandali dhe i hedh ujë të ftohtë një arrivisti të pandalshëm që mund të kthehet në rrezik.
Përpara se ti dalë nga frerët dhe ambicia e tij të shkojë larg, Rama po e bën Veliajn të mbajë ndoca pesha të rënda. Pesha që rrezikojnë ta lëshojnë në gjunjë. Kreu i Bashkisë së Tiranës do ta ketë të vështirë ta marrë veten pas kësaj goditje. Rikuperimi i i portretit të qashtër të dikurshëm, duket i pamundur.
Privilegji i madh ka edhe bishta nga pas. Nuk janë vetëm kënaqësitë e pushtetit, charterat e Parisit, netët e shtrenjta të Barcelonës, pushimet në Bali, por ka edhe taksa të rënda që duhen paguar.
Veliaj është ndërgjegjësuar për këtë, dhe e ka kuptuar mirë se zelli i tepërt për të çuar në fund trillin 20 vjeçar të shefit të tij, për shembjen e Teatrit, mund t’i kushtojë karrierën, në mos edhe më shumë, duke qënë se çështja është në Prokurori.
Eshtë kjo arsyeja që sa vjen dhe ka një padurim në rritje që të çlirohet nga pushteti i Kryeministrit. Nga kjo këmishë force që po e asfikson. E dinë mirë të gjithë, se “i gjati” vendos për interesat më të rëndësishme në kryeqytet, cakton kush merr çfarë, fare lehtësisht pa asnjë rezistencë dhe në fund, me firmën dhe pëgjegjësinë e Kryetarit të Bashkisë.
E vetmja mënyrë që Veliaj të shpëtojë nga ky karantimin politik, është që bosi i rilindjes të ikë sa më shpejt nga pushteti. Ndaj nuk është aspak habi që historia të përsëritet. Dhe atë çka i bëri Fatos Nanos, t’i kthehet Edi Ramës në kurriz, si mallkim.