Kur gjërat shkojnë keq, ato do ta dëshmojnë këtë në shumë mënyra. Më kryesorja ndër to është se logjika e humbet krejtësisht rolin e saj duke e lënë gjithçka në një kaos moskoherencash. Kjo po ndodh edhe me fushatën e partisë socialiste për të çuar në 150 mijë numrin e anëtarëve. Vetë kryeministri Rama ka marrë pjesë në disa takime anëtarësimesh, duke u shprehur se njerëzit që duan të zgjedhin PS-në për të qenë anëtarë shkojnë deri në 16% të totalit të votuesve, ndërsa vetëm 3% do të shkonin te PD. Ministri i Brendshëm Tahiri ka thënë se njerëzisht dëshirojnë fuqimisht të jenë anëtarë të PS-së sepse PS iu jep shpresë. Sot kudo në vendet demokratike, sidomos në Europë dhe Amerikën e Veriut, anëtarësimet në parti po pësojnë një rënie të pazakontë në gjithë historinë e tyre. Ndonëse të jesh anëtar i partisë socialiste në Francë kushton 20 euro (një ulje e ndjeshme nga vlera e para disa viteve), të jesh anëtari partisë konservatore në Britani kushton 25 euro (edhe kjo ulje e madhe) anëtarësimet janë më të ulëtat në histori. Numri i anëtarëve në Gjermani ka rënë me 20%, në Suedi me 27% në Norvegji me 29%, në Slloveni me 24 % etj. Sot në Britani është më i madh numri i anëtarëve të klubit të rulotëve (karavanëve) se sa numri i anëtarëve të partive. Ndërkohë kryeministri Rama flet për 150 mijë anëtarë ose për një rritje me gati 40-50% të numrit të anëtarëve duke e çuar atë në rreth 6-7% të popullsisë, ndërkohë që laburistët, (të cilët Rama kërkon t’i imitojë) kanë vetëm 0,3%, socialistët francezë rreth 0,5%, ata spanjollë rreth 0,4% të popullatës. Rënia e numrit të anëtarëve në fakt, shihet si një problem për Europën sepse në vitet ‘60-‘70 partitë financoheshin thuajse krejtësisht nga kuotizacionet pasi numri i anëtarëve arrinte deri në 20-30% të totalit të votuesve. Në kohët e sotme thotë Andreas Schedler, një politolog i njohur, partitë për shkak të rënies së numrit të anëtarëve financohen përmes sponsorizimeve, gjë që i bën ato më të varura nga këto financime. Këtu kemi inkoherencën e parë: Rama nuk po e rrit anëtarësinë për të pavarësuar partinë duke u financuar me kuotat. Edhe tani PS ka mbi 100 mijë anëtarë dhe nuk është financuar nga ata por nga biznese të ndryshme, gjë që e ka bërë atë plotësisht të varur nga ato. Maurice Duverger, një nga teoricienët më të njohur në studimin e modelit të partive politike i ndan ato në dy grupe. Në një grup janë partitë e mbështetura te baza masive dhe grupi tjetër, të mbështetura tek elita. Grupi i partive të mbështetura te baza masive kanë një organizim të fortë dhe të sigurt dhe një strukturë të qëndrueshme të rregulluar në formë piramidale me hierarki të mbivendosur. Anëtarët e saj e identifikojnë veten më së shumti me ideologjinë e partisë se sa me liderin e saj. Vendimmarrja e tyre mbështetet nga pjesëmarrja e të gjithë anëtarëve dhe financimi i tyre bëhet nga anëtarët. Këto parti kërkojnë vazhdimisht të rrisnin anëtarësinë dhe e bëjnë atë. Partitë e mbështetura tek elita parapëlqejnë cilësinë e anëtarëve dhe jo masivitetin, anëtarët e saj janë njerëz me ndikim në nivel lokal apo edhe kombëtar. Këto parti kanë struktura të dobëta, nuk kanë disiplinë dhe iu lejojnë anëtarëve të tyre një liri të madhe veprimi. Financimi i tyre bëhet kryesisht me anë të sponsorëve dhe fuqia e tyre vjen nga përfaqësuesit politikë dhe parlamentarë etj. Cili është modeli që po zgjedh Rama dhe PS. PS është një parti e modelit të anëtarësisë masive, me struktura të forta dhe të rregullta, me disiplinë por ajo nuk financohet nga kuotat dhe nuk ka një hierarki të mbivendosur. Aty drejton vetëm Rama, nënkryetarët, kryesia apo asambleja as që mblidhen fare. Ideologjia e PS-së është e paqartë, diku është e majtë me taksën progresive, diku është e majtë liberale dhe ultraliberale duke dhënë me koncesion shërbime, diku është ultra e majtë me rritjen e pushtetit të qeverisë, diku rivendikon simbole të diktaturës, si: Hoxha, bunkeri etj. Anëtarët e saj nuk janë aty për shkak të ideologjisë. Në fakt PS është edhe një parti e bazuar tek elita. Rama ka mbledhur një grup njerëzisht që janë realisht elita por partia e Ramës dhe e elitës së tij s’është e fokusuar tek anëtarët cilësorë por tek masa. Pra ka moskoherencë të thellë kudo në mënyrën se si Rama sheh PS-në. Partitë në Europë janë duke u bërë të gjitha parti të mbështetura tek elita. Modeli i partive masive po zhduket dhe po prodhon disa probleme me demokracinë për shkak të financimit nga sponsorët dhe për shkak të ngjashmërisë së madhe mes parive. Shqipëria po ruan një model qesharak të vjetër dhe po i mvesh atij elementet më të këqija të partive të mbështetura tek elita. Nuk kemi asnjërin as tjetrin në PS dhe kjo ka zhdukur çdo shenjë lirie. Edhe PD ka vuajtur nga ideja e partisë masive, me mijëra anëtarë. Janë të njohura skenat e fushatave apo takimeve të Topallit që anëtarësonte nga 3 mijë të rinj në parti apo të politikanëve të tjerë të PD-së. Ka të paktën 3 vjet që nga viti 2013 në fushatë që PD nuk po del të flasë për fushatë anëtarësimesh dhe kjo është një gjë e mirë. Rasti i PS-së na vë para një modeli të ri, që do të ndihmojë ndoshta shkencat politike në studimin e partive por është model që po e bën Shqipërinë gjithnjë e më jodemokratike sepse ky model qeverisjeje në parti nuk është vetëm aty.