Aktualitet

Personazh/ Çuçi, një ministër joarrogant për emergjencat





               Publikuar në : 10:59 - 07/12/19 |
mapo.al

Mapo.al


Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor, dhe ditët që pasuan, ishin një test i madh për sjelljen e shumëkujt. Në këtë sprovë kaloi padyshim edhe qeveria. Me gjithë dramën e madhe, kjo nuk i pengoi shefat e mëdhenj të tregonin arrogancë, të kishin dalje pa fund televizive, dhe pakkush manifestoi përulësi. Duke nisur nga kryeministri, i cili gjen çdo ditë dikë për të sulmuar, duke u mburrur se qeveria e tij është perfekte.



Po në këtë aradhë, ka rënë në sy një përzgjedhje që ai ka bërë, duke emëruar Bled Çuçin, si të parin e emergjencave. Nuk dihet me saktësi çfarë pune është duke bërë ai konkretisht. Por e sigurt është se Rama vendosi në krye të këtij aksioni, fytyrën më të pranueshme në ekran, atë që nuk ka shfaqur deri më tani asnjë dromcë arrogance.


Një amortizim i mirë ndoshta për situatën e tensionuar ku ndodhet vendi. Ndërkohë, kanë ndodhur çudira të mëdha. Njerëzit janë në pikën e hallit, dhe live, paturpësisht, kemi parë për shembull ministrin e Brendshëm që ka manifestuar kulmin e vrazhdësisë në komunikime me qytetarët. Duke iu drejtuar atyre sikur të kishin diçka më pak si qenie humane, apo me pyetje të tipit të sigurimit të shtetit: Kush je ti? Çfarë pune bën, Ik merru me ndonjë gjë, apo më keq, Pusho!

Çuçi ka një qasje tjetër. Ai është i sjellshëm, dëgjon, dhe nuk përton të flasë me njerëzit. Mendo dikë që nuk ka strehë, që po i ikën mendja, që nuk di se ku të dërgojë fëmijët, nën akth e pasiguri, t’i dalë përpara Sandër Lleshit, rrethuar me një duzinë bodigardësh, që të trajton në fund edhe si leckë.
Mund të ishte edhe më keq. Të prekurit nga tërmeti mund të kishin të bënin edhe me Spiropalin për shembull, që kushedi ç’shpjegim mund të kishte dhënë, apo çfarë krahasimi do të kish përdorur për të qetësuar njerëzit.

Kur i merr me radhë ata që ka Rama në krah e po qeveris vendin prej vitesh, zor të gjesh dikë që mund të ndërtojë një komunikim normal me qytetarët dhe të jetë i pranueshëm nga ta. Përjashtim bën këtu Çuçi. Ai vjen në mandatin e dytë qeverisës si ministër. Në fillim ishte për antikorrupsionin, po puna e bërë atje duket, s’do kallauz. Tani ka portofolin e Bujqësisë. Produktet nuk shihen kund. Po të paktën, ai ka një sjellje tjetër dhe përulësinë, që e ka të domosdoshme kjo situatë./ Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas