Ekonomi

Çudia: Kriza po ndikon tek… euro! Beqiraj: Presim kohë të vështira






               Publikuar në : 19:52 - 17/05/19 |
mapo.al

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së sotme, duke zbritur nën 123 lekë për herë të parë gjatë këtij viti.


Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 122.95 lekë, me një rënie prej 0.14 lekësh në raport me ditën e mëparshme. Ky është niveli më i ulët që nga 26 dhjetori i vitit të kaluar, kur euro kapi nivelin më të ulët në gati 11 vjet ( që nga gushti i vitit 2008).

Sipas revistës Monitor, euro është dhe nën efektin e sezonit. Duke marrë në shqyrtim të dhënat historike të këmbimit të euros me lekun, monedha e përbashkët fillon dhe nënçmohet këtë periudhe. Përmirësimi i kushteve atmosferike do të rrisë numrin e turistëve edhe për rrjedhojë pritet që të rritet oferta në valutë. Deri nga mesi i qershorit ekspertët flasin se euro do të ketë tendenca rënëse në raport me monedhën vendase.

Për sa i përket krizës politike, ata thonë se nuk reflektohet direkt te kursi, siç mund të ndodhë në vende të tjera, ku një krizë politike zhvlerëson monedhën vendase. Përkundrazi, ndikimi në Shqipëri është i kundërt, pasi kriza po zhvlerëson euron. Teksa kriza politike po ndikon te konsumi, kjo reflektohet te kërkesa e dobët e biznesit për mallra dhe si rrjedhojë dhe për valutë. Në kohë krizash individët priren të tkurrin shpenzimet e tyre, çka ul qarkullimin e parave në ekonomi.

Ndërkohë Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financave në qeverinë “Rama 1” në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se na presin situata të vështira.

“Ekonomia shqiptare ka përpara një vit të mbushur me sfida dhe jo të lehtë. Përveç ndikimit të ngadalësimit të ritmit të rritjes së partnerëve tanë ekonomik, ekonomia shqiptare përballet me probleme strukturore afatgjata, ku krizat, sjellja dhe diskursi politik kanë ndikuar ndjeshëm. Problemi i parë afatgjatë që ka kërkuar dhe kërkon zgjidhje të dakordësuar nga të gjitha palët është rritja e produktivitetit. 1 në 4 punë në Shqipëri janë në sektorë me produktivitet të ulët, siç është tregtia dhe riparimet. Më shumë se gjysma e popullsisë është e punësuar në bujqësi, sektor, i cili për shkak të fragmentizimit të tokës dhe mungesës së ekonomisë së shkallës, gjeneron rreth 1/5 e PBB në Shqipëri.

Problemi i dytë është konkurrueshmëria. Ekonomia jonë përballet me konkurrencë të lartë në tregun evropian edhe botëror. Ndërkohë që vuajmë nga një adaptim te ulët, të tekonologjive të përparuara, mungesë të ekonomisë së shkallës dhe produktivitet të ulët , sot ne konkurrojmë me kostot e ulëta që kryesisht vijnë si rezultat kostos së ulët të krahut të punës. Konkurrueshmëria jonë sot bazohet tek një monedhë kombëtare e dobët. Nëse monedha kombëtare forcohet forcohet, konkurrueshmëria jonë pëson goditje të rëndë. Konkurrueshmëria e arritur si rezultat i pagave të ulëta, apo monedhës së dobët ,nuk mund të jetë kurrsesi zhvilluese.

Shqipëria ka akoma një portofol eksportesh të padiversifikuar, që ka në përbërje produkte dhe shërbime me vlerë të ulët. Ne vazhdojmë kryesisht të eksportojmë burime natyrore të pa përpunuara dhe krahun e lire e të pa kualifikuar te punës.

Ulja në vazhdimësi e kreditimit për bizneset dhe rritja e depozitave të biznesit, tregon që më pak biznese po investojnë . Në këto kushte, rritja ekonomike jo vetëm që nuk mund të jetë gjithëpërfshirëse, por do të jetë përjashtuese. Megjithëse ka një ulje të përqendrimit të depozitave krahasuar me 2012, sërish 5% e shqiptarëve mbajnë 50% të depozitave, gjë që tregon që rritja ekonomike, prek vetëm një pjesë të vogël të shqiptarëve. Për më tepër, struktura jonë ekonomike, është shumë e fragmentizuar dhe përbëhet nga mikrobiznese. Struktura prodhuese në Shqipëri është e dominuar nga kompani shumë të vogla. Bizneset që kanë më shumë se 50 të punësuar, përbëjnë vetëm 1,1% , të totalit të sipërmarrjeve.

Ekonomia që ju përshkrova më sipër nuk ka “këllqe” të përballojë kriza politike të vazhdueshme. Ekonomia jonë nuk ka kapacitet të përballojë zjarrin, bombat molotov, gazin lotsjellës, protestat dhe antimitingjet. Ekonomia jonë ka kohë që thërret për dialog dhe për reflektim. Ka kohë që ekonomia kërkon dakordësi midis palëve, sesi do të adresohen probleme e vështira strukturore, nga të cilat ekonomia lëngon për një kohë të gjatë dhe që nuk janë zgjidhur edhe nuk mund të zgjidhen me ndryshimin e pushtetit, sa majtas -djathtas,” tha ajo.


Etiketa: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas