Blerja e pasaportave false ka qenë gjithmonë një problem dhe në fokus të mediave. Gazeta britanike “Daily Mail” pas një kërkimi dhe ka verifikuar se në Shqipëri falsifikohen pasaportat e vendeve të BE-së.
Sipas një shkrimi të publikuar së fundmi, “Daily Mail” shkruan se gazetarët kanë udhëtuar drejt vendit tonë dhe kanë arritur që brenda tre ditëve të gjejnë pasaporta false.
Gazetarët kanë regjistruar të gjithë bisedën me një falsifikator shqiptar, i cili për 1000 euro prodhonte pasaporta italiane, me të cilat siç thuhet në artikull përdoren për të hyrë ilegalisht në Angli.
‘Në kryeqytetin shqiptar Tiranë ne kontaktuam një falsifikator pas një ndërmjetësimi dhe pas 72 orësh kishim në dorë pasaportën italiane’, thuhet në shkrim.
Më tej vijohet se ata i kishin dhënë foton e tyre dhe për tre ditë kishin në dorë një pasaportë me identitet të vërtetë të një shtetasi italian.
Falsifikatori shqiptar u ofroi gazetarëve anglezë edhe një kartë shëndeti me emrin Tessera Sanitaria, me të cilën gjithkush fare mirë në Angli mund të hapë një llogari bankare apo të marrë shërbime shëndetësore nëse do të paraqitej në Angli.
Janë pikërisht të tilla dokumente, thekson Daily Mail, cituar nga Shqiptarja.com, që kanë bërë të mundur futjen ilegale në Angli të mijëra shtetasve shqiptarë. Në lidhje me përdorimin e pasaportave të falsifikuara, Caroline Nokes i ka deklaruar kësaj gazete angleze se “ne kemi ekipe me ekspertë në të gjithë pikat kufitare në Angli që zbulojnë personat përdorues të tyre.
Nga 2010 deri në 2018 janë ndaluar të hyjnë në Angli 144.000 persona me të tillë dokumente”.
Në fund të artikullit, ‘Daily Mail’ mbërrin në konkluzionin se shtetasit shqiptarë dhe ata ukrainas janë më të shumtit përdorues të pasaportave italiane apo greke të falsifikuara kapur duke tentuar të hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe.