Viktimë e sulmit terrorist që tronditi Vjenën para një jave ishte edhe një i ri shqiptar. Nexhip Vrenezi, 20 vjeçari nga Struga ndërroi jetë pasi u qëllua pas shpine nga agresori i sulmit të frikshëm.
Gajur Kaba është daja i viktimës. Ditën e sotme në një prononcim për mediat ai përshkruan se nipi i tij ishte lindur dhe rritur në Vjenë.
Në momentin kur është vrarë, nipi ka qenë i shoqëruar nga dy shokë gjermanë. Agresori ka gjuajtur mes turmës, një plumb ka kapur Nexhipit i cili fillimisht u plagos. Shokët i shpëtuan atentatit, Nexhipi jo.
Gajur kaba thotë se ata po e ndiqnin sulmin në transmetim live në media por kurrë nuk ua merrte mendja se do të ishte nipi i tij. Lajmi iu përcoll familjes nga shokët gjermanë të Nexhipit një ditë pas ngjarjes.
Daja i viktimës tregon se Nexhipi kishte tre javë që ishte liruar nga ushtria. Ai kishte dalë për të festuar mbarimin e ushtrisë. Shokët i kishin thënë eja të dalim për kafe meqenëse do të fillonte punë të nesërmen.
Nipi bashkë me të vëllanë në muajin qershor kanë qenë në Strugë për herë të fundit.
Bashkia ka ndihmuar në transportimin e trupit të viktimës i cili do të mbërrijë sot në Strugë. Ndërsa nesër do të zhvillohet ceremonia mortore. Nexhip Vrenezi do të prehet në vendlindjen e prindërve, në Strugë.
Nexhipi ishte një i ri ëndërrimtar me pasion futbollin i cili aspironte të ndiqte pasionin e tij në një shtet tjetër.