Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, reagon pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë dhe naftëtarëve – daljes së këtyre të fundit nga greva e urisë për marrjen e një mbështetjeje financiare.
Në një postim në “Facebook”, Alibeaj thotë se bëhet fjalë veçse për një mashtrim nga ana e kryeministrit, pasi sipas tij historia e vjedhjeve të Ramës përsëritet çdo herë.
“Edhe kësaj here asgjë nuk ka për të ndodhur. Naftëtarët do të vuajnë, nafta do të vidhet”, shprehet Alibeaj krahas videos së publikuar, ku duket kreu i mazhorancës në daljet e tij publike, duke bërë premtime të njëpasnjëshme.
“Thotë të njëjtat gënjeshtra që të shtyjë edhe një ditë tjetër në karrige. Ajo është e vetmja gjë që i intereson. Njerëzit nuk i ka patur dhe nuk i ka në llogari”, vijon Alibeaj.
Postimi i Enkelejd Alibeajt në “Facebook”:
Historia e mashtrimeve dhe e vjedhjeve të pasurisë kombëtare përsëritet çdo herë me Edi Ramën.
Edi Rama di vetëm të gënjejë!
Një gënjeshtër sot, një gënjeshtër mot, ka kaq vite që u bën naftëtarëve premtime boshe. “U mbars mali e polli një mi” – është thënia që i rri më mirë Edi Ramës, sepse edhe kësaj here asgjë nuk ka për të ndodhur. Naftëtarët do të vuajnë, nafta do të vidhet.
Ndiqeni videon! Aty është fytyra e një kryeministri të pafytyrë që tallet me bukën e gojës të qindra familjeve. Thotë të njëjtat gënjeshtra që të shtyjë edhe një ditë tjetër në karrige. Ajo është e vetmja gjë që i intereson. Njerëzit nuk i ka patur dhe nuk i ka në llogari.👇