Pamjet filmike të sapo transmetuara nga News 24, tregojnë prova të reja e të forta lidhur me një prej ekzekutimeve të bujshme në Tiranë. Pamjet filmike tregojnë se si personi nën akuzë për vrasjen e Devi Kasmit pret pak kohë pranë shtëpisë së tij, dhe pasi ka kryer atentatin, vjen me hap normal drejt një furgoni të bardhë që ikën me shpejtësi.
Devi Kasmi u vra me 29 janar të vitit 2018 pranë shtëpisë së tij në rrugën Kongresi i Manastirit. Ai u qëllua me disa plumba dhe humbi jetën menjëherë.
Për vrasjen e Kasmit, është arrestuar polici i forcave special greke Efthymiou Efthymious. Efthymious e ka mohuar vazhdimisht ngjarjen në gjyq, mirëpo pamjet e kameras së sigurisë të transmetuara nga televizioni news 24 duket se janë një provë e fortë, pasi personit që ikën me furgon pikërisht në atë rrugë, nga vendi i ngjarjes, i duken disa tipare të portretit. Sipas raportimit në media, ai dyshohet se është pikërisht ish polici special grek Efthymious. Prokuroria mendon se greku Efthymious është vrasës me pagesë, ndërsa ekzekutimi është porositur nga kreu i një bande, Aurel Hoxhallari, i cili është në arrati dhe nuk është kapur nga policia./Gazeta Mapo/