Gazmend Bardhi tha përmes një konference për shtyp se Fatmir Xhafaj i ka paraqitur seancës së 30 marsit të vitit të kaluar një paketë ndryshimesh ligjore të Kodit të Procedurës Penale të ndryshme nga ajo që kishte miratuar Komisioni i Ligjeve.
Sipas kësaj logjike, Bardhi tha se përmes një propozimi momentet e fundit në seancën e 30 marsit 2017, i ndryshëm nga versioni i miratuar nga Komisioni i Ligjeve, i ka mundësuar Agron Xhafajt të dënuar me vendim të formës së prerë që të mos vuajë dënimin as në Itali dhe as në Shqipëri.
Sipas Gazmend Bardhit, Xhafaj në kohën që PD ka qenë në çadër ka falsifikuar dokumentet për të mbrojtur vëllain e tij.
Bardhi tha se Xhafaj ka genjyer pasi e ka servirur draftin në Kuvend si identik me ate që kishte kaluar Komisioni i Ligjeve.
Fjala e Gazmend Bardhit sot në konferencën për shtyp:
Në datën 21.03.2017, Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, i ka paraqitur seancës plenare Raportin për projektligjin ndryshues të Kodit të Procedurës Penale.
Në faqen 32 të Raportit pasqyrohet edhe ndryshimi që i bëhet nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, ku pasqyrohet se ndryshimi ishte identik me atë që kishin propozuar ekspertët dhe kishte miratuar Komisioni, pra versioni i propozuar nga deputetja Vasilika Hysi zyrtarisht.
Në tekstin integral të ndryshimeve që i bashkëlidhej Raportit dhe i dërgohet seancës për votim, ndryshimi në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, është shkruar një version tjetër, i falsifikuar dhe i ndryshëm nga ai që ishte miratuar dhe që pasqyrohej në Raportin shpjegues të Komisionit.
“Neni 491
Nuk mund të jepet ekstradimi:
…
f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.”
Ky version i falsifikuar nga Fatmir Xhafaj pamundëson ekstradimin e Agron Xhafajt të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë Italiane për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj.
Ky version po kështu pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që Agron Xhafaj ta vuajë dënimin e formës së prerë të drejtësisë Italiane në burgjet shqiptare.
Ndryshimi sipas këtij versioni të miratuar, është bërë pas votimit nga Komisioni, personalisht nga Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj. Është e qartë se pas këtij ndryshimi fshihet një dhe vetëm një çështje. Shpëtimi i Agron Xhafajt nga drejtësia.
Fatmir Xhafaj është përpjekur ta fshehë ndryshimin që kishte falisfikuar. Kjo duket qartë nga fakti se edhe pse në nenin 491 të K.Pr.P është bërë vetëm shtesa e shkronjës “f”, ndërkohë që shkronjat “a”-“ë” janë identike siç kanë qenë në Kod, Fatmir Xhafaj ka bërë riformulimin e të gjithë nenit, duke e prezantuar atë si një nen të ri!
Duke hequr pjesën që kishte miratuar Komisioni, pra që në ato raste kur refuzohet ekstradimi, Ministria e Drejtësisë detyrohej të kërkonte njohjen e vendimit në Shqipëri dhe që dënimi të vuhej këtu, si dhe duke lënë të pandryshuar nenin 514 të Kodit të Procedurës Penale, atëherë edhe njohja e vendimit (për të njëjtin shkak – mosthirrjen në gjykim të të pandehurit, pra dënimin në mungesë), bëhet e pamundur.