Udhëheqja e Gjermanisë po ndikon në uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike mes vendeve të Ballkanit. Vizita e fundit në Prishtinë dhe prania e Kancelarit Olaf Scholz në darkën e Selanikut vërteton angazhim gjerman për njohjen e Kosovës nga fqinjët e saj
Samiti i përvitshëm i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) i mbajtur në Selanik u kryesua nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. E veçanta e këtij samiti ishte pjesëmarrja e Kosovës dhe e Serbisë, në një tavolinë. Në një anë të tavolinës me kreun e qeverisë greke, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani qëndroi gjatë darkës së shtruar me këtë rast krah kryeministrit shqiptar Edi Rama, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ndërsa përballë tyre qëndronte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Aktualisht Kosovën nuk e njeh Serbia por as Greqia, ndërsa me ndërmjetësimin e gjermanëve duket qartë nga ky samit se njohja mund të jetë çështje kohe. Para darkës nuk munguan as batutat mes kryeministrit grek dhe atij shqiptar për krevatën e veçantë të Ramës dhe simbolikën e saj.
SEECP synon përforcimin e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht të vendeve të Evropës Juglindore, në të cilën mori pjesë edhe Kosova. Qëllimi i Samitit është të forcojë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal si dhe të përgatitet siç duhet për integrimin e anëtarëve të tij në Euroatlantik, përmes bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit, sigurisë dhe ekonomisë.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel mori pjesë në Samit si i ftuar dhe vëzhgues i lartë, ndërsa Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, me praninë e tij i dha rëndësi takimit rajonal pas ftesës që iu drejtua nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Ishin të pranishëm Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Teodora Genchovska dhe zëvendësministri i Çështjeve Evropiane të Turqisë Faruk Kaymakci. Mori pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) Majilinda Bregu.
Në fund të Samitit, u miratua një Deklaratë e Përbashkët, mbi përkushtimin e pjesëmarrësve ndaj parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave të respektit dhe solidaritetit të ndërsjellë që frymëzojnë SEECP që nga fillimi i tij, duke riafirmuar perspektiva e saj evropiane. Deklarata përfshin angazhime specifike të vendeve të rajonit tonë, për veprime në fusha me rëndësi kritike strukturore, si siguria kundër kërcënimeve të vjetra dhe të reja, siguria energjetike dhe zhvillimi i qëndrueshëm, i gjelbër dhe gjithëpërfshirës.
Sa i përket paqes, aq e munguar në Ballkanin e karakterizuar nga tensione të vazhdueshme, ky ndoshta mund të jetë momenti më i mirë i rajonit tonë.
SEECP u themelua në vitin 1996 me një iniciativë greke dhe bullgare. Samiti i parë i tij u mbajt në Kretë në vitin 1997. Përveç Greqisë, morën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia. /Liberale.al/