Kryesore

Dash Shehi, aftësia e veteranit për të mbetur i ri dhe aktual




Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:35 - 06/04/19 |
mapo.al

Dashamir Shehi ka një parti të vogël. Madje askush nuk e di mirë se çfarë emri ka formacioni i tij, dhe cila është sigla. Po ai vazhdon të jetë prezent pothuajse çdo ditë në jetën politike. Fjalimet që mbante në Parlament kishin gjithnjë zakonin të bëheshin virale. Po ashtu dhe batutat, apo argumentimet nëpër studio. Po si ia del një personazh i vjetër tashmë në skenën e debatit, të jetë aktual dhe atraktiv? Është e vërtetë që Shqipëria konsumon shumë më tepër politikë se sa prodhon. Në një vend me census çdo ditë në tkurrje, ku me gjasë ngelen pak më shumë se 2 milionë e gjysmë njerëz, ka për çudi dhjetëra emisione politike, gjysma e të cilëve të përnatshme e të përditshme.


Për frymë popullsie, me siguri mbajmë rekord për kohën televizive që u kushtohet njerëzve të pushtetit dhe të partive. Edhe më të rinjtë, ka shumë shanse që në këtë karusel që rrotullohet e vjen vërdallë çdo 24 orë, të vjetrohen pa kaluar muaji. Sepse rrallë e tek, gjen ide dhe përmbajtje. Më së shumti ka formë, batuta dhe përsëritje të mesazhit që kërkon shefi i madh, sigurisht sharje dhe fyerje me tepri. E prapë, në këtë garë të çmendur çdo ditë të javës, është dikush që spikat pa djersirë shumë, dhe di të shkojë deri në fund. Ky është Dashamir Shehi.


Gjendet në politikë që prej ardhjes së pluralizimit. Me funksione të rëndësishme në Berishën e Parë, siç thuhet, deri zëvendëskryeministër. Pastaj me kundërshti e ndarje me të. Ia del të mbijetojë dhe të krijojë një alternativë të qendrës së djathtë. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar quhet partia e tij. Me një bastion të vetëm, tiranasit, Dash Shehi nuk ka rënë asnjëherë nën disa mijëra vota.



Po ajo çka bën më shumë përshtypje, është se si arrin ai të qëndrojë në krye, në kohën e internetit, të rrjeteve sociale, në ditët që po jetojmë ku një Meme, ka më shumë vlerë se një marshim proteste. Teksa çdo gjë ngjan kaq moderne dhe digjitale, pikërisht, i kërkuar mbetet ai veterani që mban një veshje modeste, të njëjtin stil flokësh, dhe të krijon përshtypjen se ka në përdorim një Nokia të vjetër.


“E dëgjove Dash Shehin mo”, të thotë dikush në lagje, në kafe, në rrugë. Një tjetër thotë i bëra “share” në FB. Dikush shkon edhe më larg kur shpall se ai është i madh. E vërteta është se Dash Shehi ngjit.


Po cili është sekreti i këtij politikani?
Kreu i LZHK, që së fundmi mbërriti në parlament me votat e PD, pasi si shumë aleatë të tjerë u fut në listat e saj, ka aftësinë për të qenë origjinal, i vërtetë. Propaganda u ka ardhur njerëzve në majë të hundës. Me sa duket, Dashi e di mirë këtë. Ndaj, ai nuk e përdor asnjëherë këtë instrument komunikimi, me parulla dhe ekzagjerime. Ka një teknikë të veçantë. Ndoshta ai kështu është, por në publik ngjan si teknikë. Në fjalimet, në debatet që mban, pranon dobësitë e asaj që përfaqëson. Pranon gabimet e PD-së në të shkuarën. I përmend në mënyrë të njëmendët dhe bindëse, çka duket qartë se i beson. Kjo i jep avantazhin e madh, që kur i sulet kundërshtarit, ta godasë me ç’të mundet e të mos duket i ekzagjeruar.

Shehi është i kundërti i një politikani të shtirur dhe kallp. Cilësinë dhe forcën e argumentit, ia jep edhe fjalori që përdor. Nuk ka gjuhë të drunjtë aty. Janë fjalët që njohin dhe përdorin njerëzit në jetën e tyre. Por, ai ka dhe cilësi të tjera, sepse është ekonomist i zoti. Si i tillë, di të bëjë analiza të gjendjes ku ndodhemi dhe të japë fakte. Ndryshe nga shumë financierë të lartë që kur flasin ngjajnë si buletinë të mërzitshëm bankash, me terma makro e me koncepte pak të largëta, që shkojnë mirë vetëm në veshin e specialistëve, kur flet për paratë, tregun, dhe punën, Dash Shehi iu vë emrin gjërave sipas lëkurës së qytetarëve. Pra, ai ka dhe përdor bojën e njeriut.

Dash Shehi me siguri i njeh limitet e veta. Ai e di se nuk është lider i madh, dhe nuk duket se pretendon të udhëheqë turma, apo përmbysje. Është një nga ngjyrat simpatike të një koalicioni, të një formacioni. Këtë e di me sa duket mirë, dhe e mban deri në fund. E kanë sulmuar shumë për disa cene. I thonë që pi raki. Po kjo, në të vërtetë nuk e ka dëmtuar edhe aq, përkundrazi. Në një botë kriminelësh, politikanësh të lidhur me bandat, në kohën kur qeveria bën ç’të dojë me buxhetin, në një ambient hajdutësh e karrieristësh të pafre, në një vend ku kryeministri ndan tendera e koncesione me miqtë e tij, kur servilët arrijnë majat e kur lypsen vetëm brohoritës, të kesh të metën më të madhe që kthen ndonjë gotë, është me të vërtetë integritet i madh.

Për më tepër që ky tipar e afron edhe më shumë me rrënjët, me disa cilësi kulturore e zakone të shumë shqiptarëve, po sidomos të bastionit të tij, Tironës. Prapë, arma e tij më e fortë është se e thotë mendimin, dhe i ruan bindjet që ka, pa u konformuar. Është me sa duket kjo arsyeja, pse atë vazhdojnë ta ftojnë çdo natë në studio debatesh. Dash Sheshi, ndryshe nga shumë kryetarë të partive të vogla, nuk ka nevojë dhe nuk iu bie kurrë telefonave të kryeredaktorëve dhe drejtuesve të emisioneve politike, që të jetë prezent, e të dalë në prime time. E kundërta ndodh, janë ata që e marrin pothuajse çdo ditë dhe kërkojnë ta kenë në studion e tyre.

Kreu i LZHK është një leksion i gjallë e i përditshëm për çdokënd që është në politikë dhe synon të bëhet popullor, po sidomos për ata që aspirojnë të hyjnë në këtë arenë të madhe e të vështirë.


Etiketa: , , , ,

Pas